Nga Artan Shabani*
Kryeministri dhe artisti Edi Rama kishte të drejtë kur tha se, të flasësh për Fate Velaj, nuk është e lehtë. Nuk është e lehtë për faktin se Fate Velaj është një qytetar pa koordinata të përcaktuara, një udhëtar ndërkufitar dhe një artist jashtë kufijve. Pra, për fokusin që ka shoqëria jonë për individin mund të themi se ai është një person atipik. Fate Velaj të imprension me prezencën e tij shumëdimensionale sepse atë njëkohësisht e gjen duke pikturuar, duke fotografuar, duke shkruar si dhe duke negociuar politikisht diku në Vjenë, në Bruksel apo në New York City dhe, po në të njëjtën kohë, e gjen në Vlorë, në Kaninë e në Rradhimë, dhe këtë e them mbasi ai është një busull në mardhënjet me vendlindjen, origjinën familjare, me detin, me miqtë, me portretet e mijra njerëzve të panjohur nëpër botë si dhe me anijen e Baçit, që janë pjesë e historisë së këtij monarku të fotografisë.
Fate Velaj është një djalë, një zotëri, një artist, një qytetar i pa lodhur, i pa epur, është një njeri i cili e mbush minutën, ditën, orën, e mbush javën, e mbush muajin, vitin dhe jetën e tij plotë me kujtime. Me kujtime por këto, jo në sensin që ulet e shkruan apo flet dhe jeton me kujtime, pra me të kaluarën. Kujtimet e tij vijnë nga e ardhmja e tij dhe jo pa qëllim ato kanë qenë pjesë e realizimeve të tij artistike, si në pikturë dhe fotografi.
Fate Velaj ka një dimesionin unikal të mardhënies me qënien e vetë, me imagjinatën e vetë, me ndjesinë e vetë, me atë sesi i artikulon ato në jetën e tij të perditshme. Por, më tepër unë do të theksoja dimensionet e jetës së tij artistike ato në pikturë, në fotografi si dhe në letërsi ku spikat me një narrativë e stil unikal. Ai observon, që do të thotë se Fate ndodhet në një vëzhgim të përhershëm të gjithçkaje që atë si dhe vetë ne na rrethon madje, dhe të pashikueshmen, atë që është matanë planit të tretë që të tjerët e shohin diku në sfond ose nuk e shohin fare, ai e sjellë në plan të parë. Kjo është ajo që e bën të ndryshëm artistin Velaj nga artistët e tjerë. Ai është një njeri që nuk i shpëton detaji mbasi ai punon me detajet, punon me portretin, punon me psikologjinë e portretit, me thellësitë e karaktereve të tyre duke mos i klasifikuar ato sipas gjendjes sociale, por duke i parë ato në një dimesion horizontal, jo në atë vertikal. Si një udhëtar në kërkim të një të pakapshmeje që s’gjendet askund por që teorikisht ekziston, fotografi Velaj, ashtu si gjithe maestrot e mëdhej të fotografisë botërore, është gjithmonë në kërkim. Fotografia e tij zhvillohet në një krah komplet të kundërt me pikturën që ai realizon, e cila merret thuajse ekskluzivisht me çështje të abstraktes në art. Fotografia e tij është thuajse e gjitha e mbushur me figurën njerëzore dhe gjendjen e saj shpirtërore. Sidomos cikli i tij i portreteve “Fytyra – përtej identitetit” merr në shqyrtim fatin e individit në ditet tona moderne. Fytyrat e fotografuara nga Velaj janë bartëse jetësh e të kaluarash nostalgjike. Autori është selektues dhe ruhet të mos bjerë në kurthin e një kornizimi të paramenduar të subjektit të fotografuar duke përdorur stereotipe të ushtruara shpesh nga fotografë, udhëtarët dhe turistë për “fotografi” të popullsisë vendase sipas paragjykimeve perëndimore. Ai bën një ndarje të qartë me një lloj qëndrimi dominant karshi subjektit të fotografuar dhe kjo është fusha ku unë e konsideroj fotografinë e tij si të paçmueshme. Me këtë mënyrë fotografimi ai sfidon edhe vetë historinë vizuale të kësaj qasje artistike dhe shkëputet nga kjo lloj shkolle fotografie që ka pak ndjenja për strukturën reale të subjektit, për botën e tij të brendshme, për thelbin e papërcaktuar, por që duhet kërkuar. Shpeshherë, kur i shoh fotografitë e realizuara prej tij dëshiroj të isha unë autori i tyre por, Fate Velaj ka aftësinë e rrallë ta bëjë shikuesin të jetë pjesë e një lloj intimiteti i cili i është dhënë vetëm atij, në një moment fluturak, pa kthim.
Artisti Velaj është një njeri me shumë sentiment, shumë pozitiv në këndvështrimin tim si dhe të gjithë atyre që e njohin. Fotografitë e tij janë ndjenjë, janë thirrje për vemendje, ato të venë në pozitë për reagim. Ato janë romanet e tij në JPEG si dhe objektet e pikturave të tij të pa forma dhe të gjitha këto, e kanë burimin tek thellësia e njerëzores brenda tij. Midis të mirës dhe jo të mirës, ai gjithmonë jep më të mirën. Ai ka një energji pozitive, që e ka reflektuar dhe e reflekton përditë në jetën e tij të përditshme, në skenën e artit, të politikës, dhe në të gjitha shoqëritë që ai bën pjesë. Por, duhet evidentuar fakti se ai është pjesë e shoqërisë shqiptare dhe austriake, por, në të njëjtën masë dhe i shoqërive më të spikatura europiane dhe vendeve arabe. Pra është një kozmopolit. Kur një njeri arrin në dimesionin e kozmopolitizmit nuk meret me provincat. Nuk merret me sfumaturat të cilat janë të pa rëndësishme. Fate Velaj i evidenton këto sfumatura, i lë mënjanë ato duke i degdisur të vetshpallurat plan i parë në plan të tretë dhe akoma më tutje për të sjellë para syve dhe vemendjes sonë atë që gjatë vëzhgimit observues e kishte parë diku larg.
Kjo kërkon një kurajo qytetare dhe Fate’s, kjo nuk i mungon. Ai nuk ka boshllëqe se është një njeri i jetuar. Brënda tij ka shumë botë. Ka shumë lloj-lloj jetësh. Dhe kjo vjen si një produkt i një eksperience të akumuluar në vite.
Unë mendoj që Fate Velaj nuk ka një qytet, nuk është pjesë e Vlorës. Ai është pjesë e realiteteve që ai ka prekur e përjetuar e së fundmi, i ka hedhur nëpërmjet shkrimeve, nëpërmjet pikturave, fotografive, forumeve, debateve mbi të ardhmen e tij, shqipërisë si dhe vetë europës.
Përsa i përket veprës së tij, ajo duhet ndarë. Personi Fate Velaj është vetë vepra e tij. Vepra është vetë artisti, vetë individi, ndërsa të tjerat janë pjesë e një konteksti. Pra, duhet parë fotografia, duhet parë piktura, duhet parë literatura, duhet parë dhe mardhënia që ky ka me të treja ato si dhe me vetveten. Nuk mund të thuhet që Fate Velaj është një piktor por, është edhe piktor ashtu siç nuk mund të thuhet që është një fotograf, sepse ai nuk kërkon të jetë vetëm një fotograf por e shikon fotografinë si pjesë përbërese e artit të tij gjithpërfshirës mbasi ai është një artist i pikturës, i fotografisë si dhe një shkrimtar por dhe një artist i diplomacisë. Fate Velaj është institucion. Ka shumë gjëra brënda këtij personazhi. Këto lloj personazhesh nuk para ndeshen. Nuk ndeshen thjeshtë në kulturën, ose në jetën e përditshme. Për këtë gjë unë e quaj atë një personazh atipik, ekspresiv, një njeri që rrezaton entuziazmin që buron nga tërësia e të qenit shumëdimensional.
Fate’n unë e shikoj si një njeri që është gjithmonë në lundrim. Që të lundrosh të duhet të dish të lundrosh mirë jo vetem në det. Duhet të lundrosh në të gjitha ujrat, qofshin ato të ëmbla, në liqene e në lumenj si dhe në ato të kripura deteve dhe nëpër oqeane ndoshta, dhe në ato pa shije specifike, sallonve diplomatike. Të gjitha këto kanë vështirësitë e veta, kanë stilet e veta, kanë taktikat, kanë strategjitë e veta dhe Fate Velaj është njeri që lundron i sigurt me jetën e tij dhe në një fare mënyre, po na merr dhe ne me vete në këto lundrimet e tij pa limite.
*Artan Shabani*
Artist dhe drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve