Fatos Lubonja thotë se nën qeverisjen e Ramës, Shqipëria ka kaluar nga një regjim mediatik, në një narkoregjim.
“Sipas gjykimit tim, kjo që po ndodh me sulmin e Ramës ndaj mediave, edhe ndaj atyre që deri dje e kanë mbështetur – flet për kalimin në një fazë tjetër të regjimit. Duke përdorur terma tashmë të njohur do të thoja se po asistojmë në kalimin nga regjimi mediatik te narkoregjimi.
Me regjim mediatik kam parasysh se, duke filluar që nga viti 1997 e deri në legjislaturën e fundit Rama, klasa jonë politike, për të sunduar dhe përfituar, ka punuar kryesisht nëpërmjet lidhjes me mediat dhe oligarkët pronarë mediash. Deri disa vite më parë, oligarkët pronarë mediash pasuroheshin nëpërmjet ndërtimit duke përdorur mediat, por duke thithur kryesisht paratë e emigrantëve. Me Ramën kryeministër kemi një “hop cilësor”. Paraja e madhe e krimit po merr rolin kryesor në mbajtjen në këmbë të pushtetit. Kështu, p.sh., kullat që projektohet të ndërtohen nuk justifikohen veçse me para të pista.
Banka e Shqipërisë te raporti i politikës monetare (2017) flet për ulje të kërkesave për kredi “si pasojë e përdorimit të burimeve alternative të financimit jashtë sistemit bankar”. Në këto kushte, pronarët e mediave, pjesërisht pasi ky realitet nuk fshihet dot pasi dalin përditë zbuluar nga portalet e shumta dhe pjesërisht pasi bizneset e tyre po varen gjithnjë e më shumë nga paraja e krimit, kanë dalë në plan të dytë si instrumente pushteti. Rama provoi ta mbulojë këtë realitet të ri mediatik duke shumëfishuar mediat dhe portalet e tij.
Pastaj krijoi një televizion të vetin. Duke mos mbetur i kënaqur, sot po konsumon shumë shpejt një fazë që po prodhon më së shumti efekt negativ: delegjitimimi dhe denigrimi i gazetarëve që flasin për këtë realitet. Por a mund të ndalë këtu? Shenjat janë dukshëm që jo. E këtu vijmë te rreziqet e ardhshme që, po nuk i ndalëm me kohë, mund të prodhojnë një realitet shumë më dramatik. Le të mos harrojmë se prapa Ramës tashmë nuk janë vetëm oligarkët dhe gazetarët vrasës moralë të paguar prej tyre, por edhe narkotrafikantët dhe ushtarët e tyre, vrasës fizikë. Narkoregjimi është faza e pastrimit të parave të krimit nëpërmjet çimentimit të lidhjeve të politikës me oligarkët, me kriminelët, ku këta të dytët bëhen gjithnjë e më vendimtarë”, shkruan Lubonja për gazetën Panorama.
“Prandaj denoncimi dhe sulmi ndaj krimit si dhe investigimi ndaj tij sot përjetohet nga Rama dhe bashkëpunëtorët e tij si sulm ndaj shtyllës kryesore të regjimit. Ja pse në këtë moment vijmë në nevojën e diktatorëve të djeshëm për ta zhdukur fare nga faqet e mediave kronikën e zezë të krimit. Mirëpo, kjo nuk arrihet dot në gjeopolitikën ku jetojmë. Atëherë rreziku është që shumë shpejt të kalojmë në faza që i kanë kaluar vende ku ka sunduar mafia, siç është p.sh. Sicilia e viteve ’80, kur Andreoti kryeministër thoshte se në Sicili nuk ekziston mafia dhe vriteshin gazetarë dhe prokurorë.
Duke perifrazuar një thënie famëkeqe të komunistëve për pushtetin do të thoja se Edi Rama & Co po japin përditë sinjalin se me krim e kanë marrë dhe me krim do ta ruajnë pushtetin. Ndalimi i këtyre rreziqeve kërkon veprim sa nuk është vonë për shkatërrimin e narkoregjimit me kurajë, bashkim dhe largpamësi”, e mbyll shkrimin e tij Lubonja./360grade.al