Përpara disa ditësh emisioni investigativ italian “Le Iene” transmetoi një reportazh nga Bulqiza ku trajtohej problemi i fëmijëve që punon gjithë ditën në stoqet e mineralit të kromit për të fituar 100-200 lekë në ditë.
Fëmijët dëshmonin me zë dhe figurë se kjo ishte një mënyrë për të ndihmuar familjet e tyre të varfra dhe gazetarja Alice Martinelli i shoqëroi ata përgjatë një dite pune me mineralet.
Ndërsa kryeministri Edi Rama, gjatë një vizite në Bulqizë, tha se media që ka bërë reportazhin është një media kazani si edhe që pamjet e shfaqura ishin të vjetra dhe ato nuk i përkisnin aspak periudhës së tij të qeverisjes.
“Më erdhi inat me ca italianë se dhe atje kazanë sa të duash ka. Kishin bërë një reportazh të ndyrë për Bulqizën më filmime të vjetra, me fëmijët që turreshin për të mbledhur krom. Faktikisht sot nuk është më si fenomen. Ka raste sporadike, por nuk është më. Po ishin filmime të vjetra mo… edhe e nxjerrin atje: “Ja Shqipëria, turren…tmerr. Tmerr. Çfarë të thuash!”, tha Rama gjatë vizitës në një familje në Bulqizë.
Por sot ka ardhur edhe reagimi i gazetares Alice Martinelli që ishte në Bulqizë dhe realizoi reportazhin.
“Ne do të ta vërtetojmë që kronika është bërë në mes të tetorit, po t’i çfarë do të bësh për ata fëmijë në Bulqizë?” – thotë ajo.
Komenti i gazetares Alice Martinelli:
Dikujt, kronika jonë për fëmijët shqiptarë që shkojnë të mbledhin krom i ka shkaktuar bezdi. Edi Rama, kryeministri shqiptar, gjatë një pasarele në favor të telekamerave ka thënë se Le Iene janë “një emision kazani” dhe na akuzon se kemi realizuar “një reportazh m*ti me imazhe të vjetra, mbi një fenomen që nuk ekziston më”.
I dashur kryeministër Edi Rama e kuptoj se reportazhi ynë nuk ju ka pëlqyer, por për një gjë të rrini i qetë: është xhiruar mes 14 dhe 16 tetorit 2017, më pak se një muaj më parë. Nëse pamjet që keni parë nuk ju mjaftojnë (jam e pranishme unë në 90% të pamjeve, si mund të jetë një kronikë e vjetër?), kemi gjithë provat që e dëshmojnë: filmime dhe fotografi me datë, dhe faturat e qëndrimit tonë.
Por më thoni, duke qenë se mund t’iu dëshmojmë se është gjithçka e vërtetë dhe aktuale, ju tani do të bëni ndonjë gjë për fëmijët nga Bulqiza dhe për familjet e tyre? Sepse, ne i pamë me sytë tanë të mbledhin gurë dhe më pas t’i shesin me 0,10 qindarka kilja. Ashtu sikurse kemi parë se kur bie nata, një pjesë e qytetit është tërësisht në errësirë. Dhe se kushtet strukturore dhe higjienike të disa shtëpie janë të tmerrshme.
Ju çfarë mendoni të bëni?