Home KRYESORE Lufta Nacionalçlirimtare, sa ka qene e nevojshme?

Lufta Nacionalçlirimtare, sa ka qene e nevojshme?

Nga Leke Tasi

Replikat e këtyre javëve në shtyp vlejnë për të kuptuar pohimin e një medie perëndimore: “me ndryshimet kushtetuese që po bëhen, Shqipëria kalon nga Lindja në Perëndim”. Fjalë të qarta që të bëjnë të mendosh se kthesa do të jetë historike, e jo si në 1990-n. Gjithçka përmblidhet te kjo: drejtësia e blerë me para a me presione ka për t’u bërë drejtë- si efektive. Ngjan e pabesueshme, por fakti që zullumi i 25 viteve e mbushi kupën e durimit të fuqive perëndimore, jep shpresë që kjo kthesë të ndodhë vërtet.

E sigurt që kjo të shkaktonte “shtrëngimin e radhëve” të të gjithë atyre që mendësisë 45-vjeçare i bashkojnë gjynahe të natyrës ordinere, që i kapte gjyqi, por që vazhdojnë të jenë shend e verë, sepse ushtrimi i pushtetit ka pasë fuqinë magjike të përjashtonte nga kategoria e të ndëshkueshmve krejt spektrin politik. Mbrojtjen e kërkonin te solidariteti që kishin dalë gati të gjithë nga palltoja e establishmentit të para 90-s. Prandaj edhe vënia në dyshim e shenjtërisë së Luftës Nacionalçlirimtare nga gazetari A. Stefani ka sjellë reagim të zemëruar, ngaqë hedh tej atë gomë shpëtimi.

Pa dyshim, ka edhe ndjenjë në këtë reagim (kujtime të bukura rinore që nuk shlyhen lehtë, formim shkollor i zier tri herë), por kryesorja është shqetësim i natyrës praktike: ballafaqim me drejtësinë për shkelje të rënda të ligjit, vetanake ose transversalisht, ndërpartiake. Në këtë debat, që ish-të përndjekurit e kanë nisur qyshkur kundër murit që s`digjon, elementi i ri është se kritika që i bëhet Luftës vjen nga një studiues prej radhëve të tyre.

Vërtet ai e pohon pozicionin zyrtar se Lufta partizane ka qenë e drejtë, por i shton që diktatori me shokët e tij ia kanë hequr asaj kuptimin pozitiv duke vendosur diktaturën personale, duke zhgënjyer tërësisht shpresat e dëshmorëve për liri dhe mirëqenie. Kjo nuk është thënë kurrë me zë të lartë (në fakt nuk i janë hequr titujt honorifikë shkaktarit). Përballë qartësisë së Stefanit të pranuar botërisht prej kohësh (dhe që solli në 1991 disfatën elektorale të R. Alisë kundrejt një kandidati gati anonim -Franko Krroqi) artikujt e kundërshtarëve janë konfuzë, sepse ndryshe nga Stefani me prejardhje të njëjtë, por që vendos si bazë të tijën dy shtylla krejt të papërfillura deri sot:

1)pavarësinë e arsyetimit personal dhe

2)të drejtat e njeriut, ata mbrojnë në fakt privilegjet, dhe/ose verbërinë dhe mospendesën e të palënduarit nga diktatura, një formë e njohur psikologjike e vartësisë nga koha dhe jo nga arsyeja. Rindezja dhe vijimi i polemikës (“dekorimet: mirë apo keq? Dhe feja e klerikët- kolaboracionistë apo jo?”) ka në thelb brengën pse të mbarojë komoditeti mes palëve (grindje haptas dhe impunibilitet i nënkuptuar), dhe po afrohet koha të dalin kartërat sheshit për ç’ka ndodhur, duke u kushtuar vëmendje të gjitha burimeve historike, që ndodhitë e kaluara të mos manipulohen më. Prapa të gjitha shqetësimeve pra fshihet nevoja e ngutshme për ribashkim mbi bazën e të fituarave, materiale, morale dhe të natyrës pushtetore, siç është e qartë tanimë për njeriun e rrugës.

* * *

Të përndjekurit, pjesa politikisht kundër diktaturës, dhe jo vetëm emocionalisht pse janë prekur soje, janë më të avancuar në këtë debat, sepse vënë në pikëpyetje vetë luftën partizane. A ishte e nevojshme në kushtet që u bë, apo u projektua qysh në krye e tillë siç doli, pra qe pjesë dhe shkak direkt i gjëmës që pasoi?

Pjesëmarrja në koalicionin antifashist që afishohet si imperativ i pakundërshtueshëm, megjithëse teorikisht i detyrueshëm për shkak të fitores të asaj pale, shihej nga krerët e përgjegjshëm shqiptarë (pikërisht ata që u është dhënë cilësimi “kuislingët”) si fati më i mbrapshtë që mund të na takonte për shkak të infiltrimit lindor, siç dhe doli nga lidhja e E. Hoxhës me agjentët e rangut të ulët të PKJ (të ulët që të mund të lante duart ajo vetë më vonë). Prova e parë për këtë: zhdukja e tërë më të aftëve e të pavarurve në karakter ndër të afërtit e tij, nisur ky aksion qysh në luftë.

Por mbrojtësit e sotëm të asaj Lufte, ose shohin deri te hunda, ose ca më keq, nuk janë prekur ata vetë apo rrethi i tyre ngushtë, dhe s’mendojnë as për viktimat e rrethit të gjerë. Kriteri politik vërtet i përgjegjshëm është interesi kombëtar dhe vetëm ai, i cili ndërron sipas momentit që kalon vendi, dhe vrojtohet me vëmendje emergjente nga qeveritë dhe opozitat e momentit së toku. Por ky kriter paska qenë luks i madh për ne. Kulti për aleancat e mëdha me emra të bukur janë veçse servilizëm mendor kur ato aleanca s’na bëjnë punë, përkundrazi, na groposin.

Po të marrim dy vende ballkanike me pozicion gjeografik më të disfavorshëm se i yni, por me përvojë më të pasur si shtete, Bullgaria dhe Rumania, shohim se fati i aleancave që bënë alternativisht me Boshtin dhe me Koalicionin Antifashist, u vinte si nevojë për rivendikime tokash që u përkisnin ose që i pretendonin, dhe u erdhi si forcë madhore prej balancës së forcave gjermane-sovjetike që avanconin drejt tyre e i shkelnin. Shqipëria me një pozicion pa krahasim më të favorshëm, nëse do të kishte unitet dhe një rend kushtetues më të konsoliduar, do mund të mbante neutralitetin më me sukses falë afërsisë së trupave aleate.

Mos të thotë kush që ia ndalonte Jalta. Po atëherë pse zbarkuan aleatët? Krahaso politikën gjermane me qeverinë tonë që shpalli neutralitetin, kundrejt neutralitetit që e deshi dhe e shpalli mbreti bullgar Boris, me pasojë helmimin e tij prej mjekut kurues gjerman, megjithëse ishte gjerman si origjinë. Edhe pasonjësit e tij manovruan sipas momentit, por pa shthurjen totale të unitetit si te ne. Manovrimin me mirëkuptim të detyrueshëm mbi bazë kombëtare e shohim të realizuar tek ato dy vende, megjithëse të shoqëruara me aspekte tragjike mes palëve; por tek ne ai, manovrimi, vetëm mund të përfytyrohej, jo të realizohej.

Sepse disunitetin tonë të trashëguar e shfrytëzoi siç thamë PKJ (nacionalizmi tek ata mbijeton si në mbretëri edhe në komunizëm) jo vetëm për të mos pasur një shtet të pavarur në shpinë (Shqipëri perëndimore – gjëja më e lehtë për t’u arritur gjatë LDB.), por edhe që të zhbënin gjithçka ishte ndërtuar aty në 30 vjet shtet, si garanci që rivendikimet tona për shqiptarët nën sundimin e saj do të mehnin, siç ndodhi, madje me deklarata shprehimisht në konferencën e paqes për mosekzistencë të një çështjeje të tillë.

Me këto gjëra duhet të merren ata që himnizojnë Luftën, sepse e tërë vazhda e shkëputjes nga krahu perëndimor i koalicionit nisi qysh me goditjen tinëz gjatë Luftës të oficerëve anglezë pranë A. Kupit, me minat e kanalit të Korfuzit menjëherë mbas saj, pushkatimin e deputetëve, me dëbimin e misioneve aleate, dhe deri te vrasja e elitës dhe refuzimi i Planit Marshall, që të gjitha gjëra që i siguronin regjimit mosnjohjen e gjatë dhe komode në izolim, pra mospjesëmarrjen në fakt te Koalicioni, por rehatin diktatorit si besnik i emëruesve të tij. Të gjitha e kanë shkakun direkt dhe koshient tek ajo Luftë. A nuk u vranë gjatë saj prapa shpine kuadrot për simpati properëndimore?

* * *

Prej asaj lufte fillojnë të gjitha, për disa indirekt, për ne direkt. Prej asaj vjen varfërimi ekonomik i masës dhe depersonalizimi i qytetarit; dhe në distancë doemos edhe mosdalja në qenie e një të djathte reale kur ra diktatura, por e njërës që bëri të djathtën pa njohur efektivisht pronën(!), me pasojë egërsimin e gjendjes, mungesën e debatit për ekonominë dhe në vend të tij grindjen për votën, po edhe bashkëpunimin për qëllime të jashtëligjshme pa ngjyrë përkatësie. Mjafton të shohësh vitet e luftës: terrori i viteve 1943-44 nëpër fshatra pati vazhdim logjik një radhë ngjarjesh të së njëjtës natyrë, e kundërta e pritshmërisë antifashiste: terrori në Kuvend me varjet e pushkatimet e deputetëve të zgjedhur nga populli, ekzekutimet e inxhinierëve, deri te mbyllja e gojës së inteligjencës dhe përdhosja e saj me sulmet reciproke mes tyre.

Një pikë delikate që nuk preket fare as sot është grupi i marksistëve të mirëfilltë, që nga Z.Mala, A.Lulo, te N.Zisi etj., ose e deviacionistëve Z.Fundo e Dh.Fallo gjatë luftës dhe deputetëve si Gj.Kokoshi, Sh.Beja, R.Dani etj. Në kohë paqeje, të eliminuar nga udhëheqësi aventurier i kooptuar prej dyshes së PKJ, i cili zhduku më vonë edhe ata pak komunistë të mbetur (T.Jakova, K.Tashko, Hulusi Spahiu, Mehmet Shehu, K.Theodhosi etj); pse nuk u jepet një vend sot këtyre figurave, apo këto tema i shtien në vështirësi autorët e “hapit përpara të LNCl”? Këto ishin “fitoret” e Frontit NCl, dhe u kultivuan me kujdes duke mbytur që në embrion çdo zbutje revizioniste, pra një objektiv i ndjekur nga kreu-kyç me përpikëri qysh në fillim dhe gjatë fazave 45- vjeçare.

Nuk mund të kishim pra edhe demokraci sot, me një brumë që nuk njohu asnjë ferment gjatë 50 vjetëve, përveç atij të shpërthimit të vitit 1990 prej helmeve të thithura, që duke i gjetur rrugët e ligjshme të mbyllura, përfundon në krim dhe paligjësi. Çdo pengim e kemi prej këtij zinxhiri malinj djesot, që falë Zotit e gjeti zgjidhjen individualisht (emigracioni) dhe aspak organizativisht gjatë mandatit të parë me nxitje të prodhimit në rrugë të natyrshme, njohje e pronës-investim-taksa-formalizim-bursë- kompeticion. Jo, pronat në asnjë mënyrë pronarëve, por megapronarëve! Që ashtu të mos u hapej rruga për kthim emigrantëve të gatshëm për të investuar punën dhe paratë e tyre në vend.

Kjo është pika më nevralgjike sot: përligjja e brumit parasitar, por shumë aktiv (pasanikët e paligjshëm) me prononcime pro konsensus, tezë që e hanë lolot, ose të interesuarit direkt, por që shumica e kupton si apel “ejani shokë të ruajmë fitimet kundra ‘imponimit’ të ndërkombëtarëve”. Shkaktarët pra të një keqqeverisjeje, ose përfituesit soje, guxojnë të invokojnë sovranitetin kombëtar kundra ambasadorëve për të shpëtuar korrupsionin e tyre galopant, duke u angazhuar të jenë përsëri ata protagonistët e pastërtisë…

Në fakt, ndërkombëtarët nuk bëjnë tjetër veç prurjen e normalitetit, ligjit, mënjanimin e marrëveshjeve transversale që synojnë vazhdimin e impunibilitetit, me gjetje shtigjesh të reja për ta blerë sërish drejtësinë dhe mbrojtur milionat. Ndërkombëtarët angazhohen më vendosmërisht sot, sepse e shohin qartë tanimë, që fuqia e opinionit, pakënaqësia, nuk kanë asnjë peshë mbas 70 vjet nënshtrimi; ata kanë përveshur mëngët vetë.

Te ky rrezik që i kanoset kalbësirës së djeshme të ardhur në kulmin e saj, shohim edhe shkakun e mbrojtjes emergjente me sa munden të disa tipareve “pozitive” të diktaturës së djeshme, por me arsyetime kontradiktore, dhe mobilizimin e fortë për të denigruar palën e kundërt: kritikat i bëhen asaj duke e nxirë si kolaboracioniste, duke mos përmendur cilat do të ishin rezultatet nëse do të ruhej neutraliteti, as vetitë e krerëve tërësisht perëndimore të ruajtura edhe në kushte lufte, kulturën, pastërtinë morale, gatishmërinë për bashkëpunim.

E bëjnë këtë fushatë se mos nga rrëke, kritikat bëhen lumë dhe e përlajnë çdo mbeturinë të asaj kohe të zesë, dje dhe sot. Kjo perspektivë i brengos tepër. Sepse shohin që këtë radhë Perëndimi e ka seriozisht. Janë arsye strategjike, konjuktura të tilla, që tejkalojnë Shqipërinë, prandaj Shqipëria duhet shpë- tuar edhe përtej vullnetit të pjesës që tërheq mbrapa. Si përherë, fati, jo ne, po punoka për këtë vend…

* * *

Por në nivel koshient, momenti vetë dhe panorama tërësore e tërheq qytetarin e përgjegjshëm t’i shohë jashtë kontekstit familjar ose formimit rinor shkaqet që janë në zanafillë të së keqes 70-vjeçare. Duhen hedhur poshtë manovrimet e motivuara nga politika e ditës dhe të përballohen themelisht arsyet e pasojat. Prekja edhe të mëdhenjve që po ndodh, e Fishtës e Konicës p.sh., kërkon edhe një kriter që nuk është përmendur kurrkund, pikërisht kalibrin e personit, kulturën, volumin dhe nivelin e punës së tij, që përkthehen në rol historik të papërsëritshëm pro Shqipërisë.

Indro Montanelli na mëson veç këtyre, edhe një kriter tjetër, thjeshtësinë, varfërinë, përkushtimin, kur ai përshkruan më të kritikuarin e këtyre figurave të mëdha: M. Krujën. Mbas 70 vjet veprimi antikombëtar të përgjakshëm e mizor dhe më pas, orvatjeve për ta minimizuar elitën tonë të vërtetë, rehabilitimi i figurave (bile i çdo krahu) të bëhet me seriozitet, ai i nacionalistëve gjatë luftës, meqë është momenti tani; ajo të nisë jo nga ushtarët e thjeshtë, për të cilët bëhet gjithë kjo zhurmë e kotë, por nga krerët, nga Alush Lleshanaku, Hamit Matjani, Preng Cali, Hysni Lepenica e plot të tjerë që dhanë jetën për shpëtimin e Shqipërisë.

Krijimi i një aparati drejtësie dinjitoz si shpresojmë, do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm për administrimin e shkeljeve ekonomike, por edhe mbi çdo sektor të jetës publike dhe kombëtare. Për të pasur gjithkush ku të kërkojë arbitrazh edhe mbi çështje specifike me pjesëmarrje të specialistëve më të kualifikuar nëpër botë. Prandaj po e presim me padurim reformën edhe për këto çështje, që kanë të bëjnë me nderin e figurave, të denigruara deri dje./VOAL

Share: