Home KRYESORE Mësime didaktike për Komisionin e Ekonomisë dhe Ministrinë e Financës dhe Ekonomisë

Mësime didaktike për Komisionin e Ekonomisë dhe Ministrinë e Financës dhe Ekonomisë

Nga Kasem Seferi

Duke lexuar me vemendje të plotë dhe duke dashur të sjell një vlerësim në lidhje me komentet e Dhomës Amerikane të Tregtisë në lidhje me paketën fiskale 2018 (kryesisht pjesën e tatimeve),

TVSH dhe barra e tatimpaguesve

Kosto e administrimit të TVSH – së bie gjërësisht mbi bizneset. Tatimpaguesit duhet të vendosin, të operojnë dhe të rishikojnë në mënyrë konstante proçeset kontabile për të administruar një tatim që, në teori, ata aktualisht nuk e paguajnë vetë, por paguan blerësi, ose konsumatori fundor i mallit dhe/ose shërbimit.

Kosto e përmbushjes së kërkesave të ligjit (compliance cost), rregullave dhe praktikave zyrtare të TVSH – së, përfshijnë: (1) shpenzimet e bëra për marrjen e informacionit, (2) trajnimin e stafit, (3) menaxhimin e kontrolleve të TVSH – së, (4) informacionet dhe mosmarrëveshjet, (5) koston e ndëshkimeve financiare (që, zakonisht, nuk janë shpenzime të zbritshme kundrejt tatimit mbi fitimin).

Kapja e informacionit të nevojshëm për të plotësuar në mënyrë shumë të saktë deklaratat (FDP) brenda datës 14 të muajit pasardhës një detyrë që zbatohet për një numër shumë të madh transaksionesh, ndërkohë që nuk janë të paktë ndëshkimet që vendosen për faturat individuale që (i) nuk lëshohen në kohë ose që (ii) përmbajnë gabime.

Përgatitja e FDP – ve është një detyrë tjetër që kërkon saktësi të madhe brenda kuadrit të kufizuar ligjor (datës 14 të çdo muaji pasardhës kur është kryer transaksioni) për veprimtari komplekse biznesi por me burime të kufizuara.

Rishikimi në mënyrë konstante i detyrimeve të deklarimit të TVSH – së, që përfshijnë ndikimin mbi (i) kushtet financiare dhe (ii) kërkesat për kapitalin e punës (dhe veçanërisht në kushtet e rimbursimit të TVSH – së).

Ndryshimet e shpeshta legjislative, që ndodhin shpejt dhe shpesh, bëjnë të domosdoshëm caktimin e burimeve thelbësore nga tatimpaguesit për të rishikuar në mënyrë të përgjithshme të gjithë efeket e mundshme të këtyre ndryshimeve mbi bizneset e tyre.

Së pari, vendimet e biznesit duhet të motivohen nga konsiderat ekonomike më saktë se sa nga ato tatimore.

Së dyti, si tatimpaguesit ashtu dhe administratorët tatimorë do të përfitonin nga një mjedis më i qendrueshëm më i lehtë dhe më efektiv.

Së treti, rregullat dhe praktikat zyrtare tatimore shumë komplekse të TVSH – së janë kundërprodhuese, pasi ato bëhen më të vështira për tatimpaguesit që të plotësojnë detyrimet e tyre tatimore në mënyrë shumë të saktë.

Së katërti, mundësia dhe pamundësia e hyrjes së administratës tatimore në një dialog të hapur me tatimpaguesit e mëdhenj, ka pasojat e saj pozitive dhe negative.

Rimbursimi TVSH – së

Nga një studim që i është bërë këshillave që kanë dhënë misionet e FMN – së në vendet me të ardhura të ulta dhe të mesme nga një grup studjuesish të London School of Economics, të bie në sy fakti se vetëm 15 për qind prej tyre i përkasin rimbursimit të TVSH – së dhe rrallë herë vihet re ndonjë këshillim në lidhje me ndihmën që u duhet dhënë biznesve që operojnë në kufijtë e informalitetit në lidhje me pagimin e TVSH – së dhe tatimeve të tjera.  

Tiparet e dëshirueshme për politikën tatimore të vendeve në zhvillim dhe në tranzicion janë: mbajtja e numrit të tatimpaguesve për TVSH në atë nivel që mund të menaxhohet nga administrata tatimore, gjë që përcaktohet nga përcaktimi i pragut të qarkullimit vjetor të tatimpaguesit; aplikimet për regjistrimin për qëllime të TVSH – së duhet të jenë subjekt edhe i identifikimit dhe verifikimeve të tjera, me qëllim që të parandalohen tregtarët fiktivë të hyjnë në sistemin e TVSH – së; vendosja e sistemeve të përshtatshme të monitorimit dhe parashikimit, si dhe krijimit në nivele të mjaftueshme të fondeve në dispozicion për të plotësuar të gjitha kërkesat e drejta për rimbursimin e TVSH – së; përpunimi i kërkesave për rimbursimin e TVSH – së të bëhet brenda periudhës së përcaktuar me ligj që nga dita e dorëzimit të kërkesës; kujdesi për rimbursimet e TVSH – së së kohëve të fundit; kompensimi i rimbursimit të TVSH – së të bëhet me anë të detyrimeve për tatime të tjera; prioriteti t’i jepet rimbursimeve të TVSH – së për eksportuesit; verifikimi i kërkesave për rimbursim të bëhet pjesë e një programi kontrolli tatimor më të gjërë; trajtim preferencial për eksportuesit me histori të mirë të përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor; sanksione të përshtatshme për tatimpaguesit që falsifikojnë faturat për qëllime të rimbursimit të pamerituar të TVSH – së; proçedura të qarta apelimi në lidhje me rimbursimin e TVSH – së; dhe sigurimi i shërbimeve të veçanta për tatimpaguesit që kërkojnë rimbursimin e TVSH – së.

Tatimi mbi Fitimin

Firmat e biznesit mungojnë në teorinë moderne të të tatuarit optimal për arsye se firmat janë konsideruar, thjesht, mjete mekanike për kombinimin prodhues të sasive të mallrave kapitale, mallrave dhe shërbimeve të ndryshme në produkte të gatshme në përpjestime të kostos minimum (skema e pasurisë së patundshme, punës dhe kapitalit).

Në fakt, firmat luajnë një rol qendror në të gjithë sistemet tatimorë modern për arsye se, për të tatuarit efektiv, çelës është informacioni dhe çelës për informacionin në ekonominë moderne është korporata.

Firmat, shumicën e të ardhuarve tatimore e transferojnë te buxheti i shtetit; ayre shpesh u kërkohet të raportojnë informacion që mund të lehtësojë monitorimin e detyrimeve tatimore.

Tatimi mbi fitimin ndryshon nga tatimi mbi të ardhurat personale në dy mënyra madhore: e para, për arsye se është një tatim jo mbi të ardhurat bruto por mbi të ardhurat neto, ose fitimet me zvogëlimet e lejueshme për pjesën më të madhe të kostove të të bërit biznes; e dyta, tatimi mbi fitimin zbatohet vetëm për firmat e biznesit, por jo mbi ortakët ose ortakun e vetëm.

Tatimi mbi fitimin në Republikën e Shqipërisë është 15 për qind.

Një nga arsyet kryesore që tatimi mbi fitimin të jetë i ulët është se firmat e biznesit mund të zgjedhin, lehtësisht, vendndodhje në vende të tjera ku përqindja e tatimit mbi fitimin është më e ulët (Monitor së fundi kishtenjë artikull konkret për një përpunues të peshkut për të investuar në Maqedoni).

Tatimi mbi të ardhurat personale

Përkufizimi i të ardhurave të cilat përdor pjesa më e madhe e ekonomistëve (dhe e cila ka qenë baza e rekomandimeve për Tatimin mbi të Ardhurat Personale) është i ashtuquajturi përkufizim Haig – Simons, ose i përgjithshëm i të ardhurave: gjërat “e dukshme”: pagat, komisionet, fitimet nga bizneset e zotëruara privatisht, dividentët, të ardhurat nga interesi i letrave me vlerë dhe depozitat bankare, të ardhurat nga qiratë; pagesat e transferuara (të tilla si përfitimet e sigurimit të punësimit); dhuratat ose trashëgimitë e marra; të ardhurat në natyrë: vlera e parkimit të lirë e siguruar nga punëdhënësi, vlera e përdorimit të automjetit të firmës për qëllime personale, vlera e biletave të avionit pa pagesë për sasinë e miljeve të bëra në fluturim dhe vlera e zënies së banesës së pronarit; rritja neto e vlerës reale të aseteve të personit.

“Të ardhurat vjetore të një personi është vlera që ajo/ai duhet të konsumojë atë vit, ndërkohë që e mban pasurinë e saj/tij konstante.”.

Sistemi tatimor dhe gjendja ekonomisë

Sistemi tatimor nuk duhet ta pengojë ose zvogëlojë kapacitetin prodhues të ekonomisë. Sistemi tatimor i një vendi është në duart e admistratës tatimore, e cila: nuk duhet të mbledhë të ardhura me çdo mjet; por të gjejë mënyrën me të cilën të përpiqet të gjenerojë të ardhura; të ketë efekt mbi barazinë e trajtimit të tatimpaguesve; për arsye se, në fund të fundit, ndikon mbi fatin politik të çdo qeverie dhe mbi nivelin e mirëqenies ekonomike.

Në periudhën e një krize borxhi: dikush thotë se duhet një ulje e tatimeve, sepse një gjë e tillë do të rrisë fitimet e ndërmarrjeve dhe në në këtë mënyrë do të stimulohet veprimtaria ekonomike; të tjerët thonë se ajo që duhet me të vërtetë është rritja e tatimeve egzistuese, që të stimulojë rritjen e të ardhurave tatimore, të cilat më pas stimulojnë shpenzimet e qeverisë.

Të marrë veç e veç, secili prej sugjerimeve të mësipërme, përmban disa grimca të së vërtetës, por ato janë krejt të njëanëshme, sepse nisen vetëm nga disa efekte direkte që duken, por nuk marrin parasysh efektet indirekte për arsye se nuk mund të bëhen krahasime të madhësisë relative të efekteve dhe të kundërfekteve të ndryshme.

Prandaj, para së gjithash, studjues dhe ekspertë botërorë në zë, mendojnë se me vlerë do të ishte nëse do të adresoheshin çështjet e mëposhtme: sistemi tatimor nuk duhet të shkojë në ato drejtime që e shtrembërojnë sjelljen e tatimpaguesve, duke shmangur ndryshimet e papritura që mund të çojnë në ristrukturimin domethënës të shitjeve me shumicë që mund të sjellë pasoja të paqëllimta; sistemi tatimor nevojitet të jetë më pak kompleks dhe më i qendrueshëm me qëllim që t’ua bëjë të mundur sa më shumë parashikimet bizneseve duke rishikuar volumin e legjislacionit tatimor dhe të ndryshimeve të tij; sistemi tatimor t’i shërbejë kontekstit të konkurrencës tatimore në kuadër të integrimit rajonal dhe global; sistemi tatimor të adresohet në ato drejtime themelore që tërheqin investimin e huaj; sistemi tatimor të jetë i thjeshtë dhe homogjen me qëllim që të japë biznesit sigurinë që i nevojitet; sistemi tatimor t’i shërbejë stabilitetit afatgjatë me qëllim që bizneset të adoptojnë strategji afatgjata; sistemi tatimor të zbatojë parimin: “MENDO MË SË PARI PËR BIZNESIN E VOGËL” në ndryshimet e legjislacionit tatimor; sistemi tatimor të ketë nivelin e duhur të transparencës dhe stabilitetit, që ta risigurojë dhe inkurajojë biznesin e vogël; qeveria të konsultohet në mënyrë të qendrueshme me komunitetin e biznesit mbi çështjet tatimore, veçanërisht, në çështjet e zvogëlimit të kompleksitetit dhe barrëve të zbatimit të legjislacionit tatimor në periudhën e ndikimit të krizës financiare.

Sistemi tatimor është jetik dhe si i tillë ai duhet të mos e dëmtojë biznesin, gjë që nënkupton se çështje të tilla si konsultimi me biznesin, zvogëlimi kompleksitetit, rritja e stabilitetit me qëllim për t’ia bërë të mundur biznesit parashikimet dhe sigurinë për arsye se të gjitha tatimet ekzistuese janë në përputhje me kërkesat e kohës, bëhen çelësa.

Njerëzit i paguajnë tatimet për dy arsye: së pari, pjesa më e madhe e dinë edhe pse e pranojnë me gjysmë zemre se pagimi i tatimeve është detyrë e çdo qytetari; dhe së dyti ata e dinë se ligji kërkon pagimin e tatimeve dhe se evazioni tatimor është krim dhe se ligji parashikon ndëshkime.

Në këtë kuptim, çështjet praktike të administratës tatimore për zbatimin e legjislacionit tatimor janë rrugëzgjidhjet për të forcuar secilin prej arsyeve të mësipërme; pra: sa duhet shpenzuar; si duhen organizuar masat shtrënguese për të çuar zbatimin e legjislacionit tatimor; dhe për të arritur rezultatet më të mira për çdo lek të harxhuar.

Albert Ajnshtajni ka thënë se “mungesa e logjikës qëndron në të bërit gjithnjë e më shumë të njëjtën gjë por që pret rezultate të ndryshme.”.

Të paktën Ajnshtajnin ta respektojmë për këtë PASURI INTELEKTUALE QË NA KA LËNË TRASHËGIM!

Kasem Seferi – ekonomist

Share: