Home KRYESORE Meta: Qeveria e Kosovës ti japë zgjidhje Demarkacionit

Meta: Qeveria e Kosovës ti japë zgjidhje Demarkacionit

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet në Prishtinë duhet të ratifikojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, në mënyrë që të hapet rrugë për liberalizimin e vizave.

“Uroj që pas zgjedhjeve vendore në Kosovë, Qeveria e re e Kosovës në bashkëpunim edhe me opozitën, të gjejë bashkëpunim për të ecur përpara dhe për të zgjidhur jo vetëm çështjen e Demarkacionit përfundimisht e Malin e Zi, por edhe për të përfituar nga liberalizimi i vizave të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta.

Po ashtu Presidenti Meta ka bërë thirrje edhe për një hetim ndërkombëtar në lidhje me rastin ”Kumanova”.

Radio Evropa e Lirë: Fillimisht dua të ndalem tek roli që ka Shqipëria si shtet në rajon. Në kohën kur Serbia luan një rol aktiv për mbrojtjen e interesave të serbëve kudo që ndodhen, në këtë kontekst cili është roli i Shqipërisë kundrejt interesave të shqiptarëve?

Presidenti Ilir Meta: Besoj se Shqipëria ka një rol tepër pozitiv për gjithë shembullin dhe përkushtimin e saj për forcimin e marrëdhënieve me fqinjët dhe bashkëpunimin rajonal si një shtyllë e fortë e gjithë e filozofisë dhe angazhimit të saj për evropianizimin e këtij rajoni. Dhe natyrisht që në këtë drejtim dhe në këtë koncept ajo ka qenë e përkushtuar dhe e angazhuar për të inkurajuar dhe për të përkrahur shqiptarët kudo në rajon, që të fitojnë të drejtat e tyre në varësi dhe me gjendjen në rajon në raportin ku ata janë ndodhur dhe janë si qytetarë të Evropës, ku duam të anëtarësohemi të gjithë.

Radio Evropa e Lirë: Në këtë drejtim do të dua të ndalem dhe në atë se si shihni në ngritjen e çështjes së pasaportave që ka kërkuar presidenti Thaçi për qytetarët e Kosovës, si kundërpërgjigje BE-së karshi liberalizimit të vizave?

Presidenti Ilir Meta: E kam mirëkuptuar kërkesën publike të presidentit Thaçi si një apel për një zgjidhje sa më të shpejtë të çështjes së liberalizimit të vizave dhe jo si një alternativë reale për tejkalimin e këtij ngërçi apo izolimi të qytetarëve të Kosovës nga një proces ku janë përfshirë gjithë vendet e rajonit prej kohësh. Sepse jo vetëm që nuk është e drejtë që qytetarët e Kosovës të vazhdojnë të kenë kenë pengesë, por njëkohësisht besoj se marrja e shtetësisë shqiptare nuk do të ishte asnjë zgjidhje për të lehtësuar lëvizjen e tyre drejt vendeve të zonës Shengen për arsye se vetë Shqipëria është një vend i detyruar të tregojë kujdes të vazhdueshëm sa i takon gjithë detyrimeve që burojnë nga zbatimi i liberalizimit të vizave.

Pra, do të ishte një lëvizje joproduktive, një lëvizje joracionale dhe nga e cila jo vetëm që qytetarët e Kosovës që nuk do të përfitonin, por mund të dëmtoheshin edhe ata të Shqipërisë. Kështu që besoj se ky qëndrim është një mesazh për një sensibilizim më të madh edhe ndërkombëtar, besoj edhe evropian për t’i dhënë zgjedhje kësaj çështjeje, e cila sikurse e dimë është lidhur prej disa kohësh me një çështje tjetër që është ajo e zgjidhjes së demarkacionit me Malin e Zi. Unë besoj dhe uroj se pas përfundimit të zgjedhjeve vendore në Kosovë qeveria e re e Kosovës në bashkëpunim edhe me opozitën të gjejë bashkëpunim për të ecur përpara dhe për të zgjidhur, jo vetëm çështjen e demarkacionit përfundimisht me Malin e Zi, por edhe për të pasur mundësinë për të përfituar nga liberalizimi i vizave të gjithë qytetarët e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Z. President, në deklaratën tuaj pas takimit që kishit me Presidentin e Maqedonisë, Ivanov, ju keni inkurajuar autoritetet e Maqedonisë për hetim dhe proces gjyqësor transparent për ngjarjet që lidhen me Kumanovën, nënkupton kjo dhe angazhimin e faktorit ndërkombëtar? Çka nënkuptoni kur thoni se duhet më shumë transparencë?

Presidenti Ilir Meta: Pa diskutim që vlerësoj se edhe angazhimi i faktorit ndërkombëtar, që reformën në drejtësi dhe performancën e institucioneve të drejtësisë e ka në qendër të vëmendjes. Besoj që angazhimi i faktorit ndërkombëtar do të ishte një veprim pozitiv për rritje e transparencës në fazat tjera të gjykimit të kësaj çështjeje dhe për të garantuar një drejtësi të standardeve evropiane larg çdo lloj paragjykimi apo qëndrimi që krijon mosbesim.

Radio Evropa e Lirë: Z. President vizita e juaj përkon me festën e alfabetit, ndërkohë që në Parlamentin e Maqedonisë zhvillohet debat rreth ligjit që rregullon përdorimin zyrtar të shqipes. Në njërën anë kemi ekspertët që thonë se shqipja mbetet lag gjuhës maqedonase sa i përket zyrtarizmit të saj dhe faktori politik shqiptarë që është pjesë e qeverisë që thotë se me këtë ligj shqipja zyrtarizohet në të gjitha institucionet. Si e shihni ju këtë çështje?

Presidenti Ilir Meta: Unë besoj se çështja e ligjit të gjuhëve është në proces, ne kemi diskutuar edhe me autoritet maqedonase edhe me te gjithë drejtuesit e forcave politik shqiptare këtu, po kështu në këtë drejtim ka dhe një angazhim të faktorit ndërkombëtar, pra është një proces më kompleks. Kemi marrë garanci edhe nga përfaqësuesit e forcave politike shqiptare, jo vetëm ata që janë në qeveri, por edhe ata në opozitë se do të bëjnë më të mirën për të arritur maksimumin në këtë drejtim dhe shpresoj që në fund të kemi një legjislacion, i cili sjell një arritje pozitive dhe shumë të pritur për gjithë qytetarët shqiptarë të Maqedonisë.

Radio Evropa Lirë: Gjatë kësaj vizite në Shkup keni vënë theksin mbi rëndësinë e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, duke shprehur mbështetje pa rezerva të shtetit shqiptarë në këtë drejtim për t’i dhënë shtytje Maqedonia këtij procesi. Ju gjithashtu takuat dhe liderin e opozitës maqedonase VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili shihet si personaliteti që i ka dhënë hapësirë influencës ruse gjatë kohës kur ai qeveriste me shtetin si kryeministër…

Presidenti Ilir Meta: Unë besoj se stabiliteti dhe siguria e Maqedonisë paraqet stabilitet edhe për Shqipërinë dhe për gjithë rajonin dhe në këtë kontekst besoj se tre apo katër muajt e ardhshëm janë vendimtarë për të zgjidhur një çështje të mbartur gati prej një dekade. Dhe unë jam më optimist do të thosha si asnjëherë më parë për mundësinë e realizmit të kësaj arritjeje historike, të gjitha forcat politike shqiptare janë të angazhuara në këtë drejtim dhe e kuptojnë se sa e rëndësishme është që Maqedonia të jetë anëtare e NATO-s po edhe që Maqedonia të zhbllokojë proceset e integrimit evropian. Këto dy kolona të forta do të mund të realizojnë edhe ata deficite që shqiptarët ndjejnë këtu në Maqedoni, sa i takon të drejtave dhe realizimit të një barazie të plotë, por shpresoj që edhe vetë opozita maqedonase të kontribuojë në këtë drejtim, pavarësisht rrugëve të ndryshme që ajo mendon, pasi edhe ajo është e përcaktuar për anëtarësimin në NATO dhe për anëtarësimin në BE, ndërkohë që qeveria aktuale dhe kryeministri i ri janë tepër të vendosur për të bërë çdo gjë sa i përket arritjes së këtyre objektivave sa më shpejtë.

Radio Evropa e Lirë: Ju shpreheni me tone shumë optimiste se Maqedonia mund të bëjë kthesa shumë të mëdha sa i përket anëtarësimit në NATO, ku e mbështesni këtë optimizëm?

Presidenti Ilir Meta: Po jam më optimist se asnjëherë më parë. Së pari këtë optimizëm e mbështes te situata në Maqedoni, angazhimi dhe përkushtimi i Maqedonisë dhe i qeverisë së Maqedonisë nuk kanë qenë asnjëherë në këto nivele që janë sot. Gjithë forcat politike shqiptare janë qartësisht për t’i shërbyer këtij prioriteti, por besoj dhe shpresoj edhe opozita maqedonase të këtë një qasje sa më konstruktive dhe bashkëpunuese që të jetë e mundur në këtë drejtim. Pra, ka një tërësi faktorësh që mund të sjellin një produkt pozitiv dhe të prekshëm si asnjëherë më parë.

Share: