Home KRYESORE Moti i keq, bllokohen portet.

Moti i keq, bllokohen portet.

Një situatë e vështirë detare ka mbërthyer vendin mëngjesin e sotëm për shkak të kushteve të këqija të motit.

Kritike situata paraqitet në detin Adriatik, ndërsa në zonat bregdetare të Gjirit të Durrësit shpejtësia e erës paraqitet në rritje. Mëngjesin e sotëm anija tregtare ‘Envi 1’ që ndodhet në radën e portit paraqiti situatë emergjence, kur si rezultat i forcës detare iu lirua spiranca. Pas ndërhyrjes së ekuipazhit dhe ndihmës së dhënë situata u kthye në normalitet.

Aktualisht, deti regjistron forcën 7-8 ballë me drejtim nga jugu, ndërsa shpejtësia e erës në rritje. Për shkak të këtyre kushteve atmosferike, edhe 2 tragetet e linjës Bari-Durrës, që duhej të bregëzoheshin në orën 8.00, nuk janë futur ende në ujërat shqiptare.

Drejtoria e Përgjithshme detare bën të ditur se tragetet janë nisur me vonesë nga Bari dhe pritet të mbërrijnë pasditen e sotme, pas orës 15:00. Ndërkohë janë paralajmëruar të gjitha mjetet lundruese të rrisin masat e sigurisë për të shmangur incidentet dhe të mos dalin në det.

Edhe qyteti bregdetar i Vlorës është zgjuar me një mot të keq, me erë shumë të fortë dhe reshje të dobëta shiu. Kapiteneria e portit të Vlorës ka marrë masa qysh mesditën e djeshme ku ka ndaluar dhe pezulluar lundrimin detar deri në një njoftim të dytë për përmirësim të motit.

Edhe Sinoptikanët greke sugjerojnë që nga sot e deri të shtunën pasdite të evitohen lëvizjet në zonën e Greqisë veriore dhe Shqipërisë jugore. Sakis Arnautoglu, sinoptikan i njohur i kanalit shtetëror grek ERT, parashikon që në pak ditë në Shqipërinë e jugut të shkarkohen 500 litra shi në një metër katror./opinion.al

Share: