Partia Demokratike të shtunën ka reaguar pas akuzave të PS-së, në lidhje me kontratat e lobimit me një kompani amerikane nën dyshimin se është fshehur burimi i financimit.
Përmes një deklarate për mediat sot, PD thekson se dokumentet janë publike dhe gjithashtu janë të depozituara në Departamentin Amerikan të Drejtësisë.
Në deklaratë bëhet e ditur se pagesat e bëra janë subjekt i ligjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe janë audituar dhe kontrolluar nga qeveria amerikane.
“Megjithatë Taulant Balla dhe Blerina Gjylameti janë të mirëpritur t’i hetojnë ato në çdo kohë. Partia Demokratike u vë në dispozicion një kopje kur të duan. Madje janë të mirëpritur të marrin edhe Sajmir Tahirin dhe Agron Xhafën dhe Moisi Habilajn në ekipin e hetimit”, – citohet nga deklarata e PD-së.
Gjithashtu theksohet se shpërqëndrimi i vëmendjes nga kriminalizimi i qeverisë dhe Partisë Socialiste është shërbim ndaj krimit dhe minim i interesit publik.
“Sidoqoftë, shashkat dhe tamtamet e tyre nuk mbulojnë dot bëmat ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë të Saimir Tahirit, Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit, Elvis Roshit dhe të vetë Edi Ramës që janë zhytur në krim dhe trafik droge duke vënë në rrezik sigurinë kombëtare, sistemin politik dhe të ardhmen ekonomike të shqiptarëve”, thuhet në reagimin e PD.
Sekretari i Përgjithshëm i PS dhe njëherësh kreu i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Taulant Balla, ka reaguar ditën e sotme në lidhje me kontratat e PD-së me kompaninë amerikane të lobimit, duke theksuar se Basha po fshihet nga përgjegjësia, pasi ai duhet të përgjigjet menjëherë se cili është burimi i atyre parave.
Sipas tij, fillimi i hetimeve nga Prokuroria mbi kontratën e paligjshme të Lulzim Bashës me një kompani të huaj, të paguar nga një burim i padeklaruar parash, është një detyrim ligjor.