Hetimet për gjyqtarin e Apelit, Shkëlqim Mirin mësohet se kanë nisur në janar të këtij viti, pas informacioneve se gjykatat shqiptare po i jepnin lirinë Gentian Dodës, ish-i dënuar në mungesë për vrasje.
“Panorama”, duke iu referuar burimeve nga Prokuroria shkruan sot se pjesë e aferës korruptive janë edhe katër shtetas të tjerë, që nga ndërmjetësi, deri te një i afërt i ish-të dënuarit Doda, i cili ka fituar në qershor të këtij viti.
Prokuroria ka në dorë tri prova të forta që e implikojnë gjyqtarin në aferat korruptive.
Janë pamjet filmike të një kamere sigurie në një lokal në Fushë-Krujë, në muajin maj 2017, ku shfaqet ndërmjetësuesi duke marrë paratë. Bëhet fjalë për 20 mijë euro.
Shkëlqim Miri, u arrestua dje në orën 2 të mëngjesit, disa orë pasi në banesën e tij ishin sekuestruar një shumë e konsiderueshme parash, euro, lekë e dollarë. Kontrolli në banesën e tij u krye me një vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, që kishte pranuar kërkesën e organit të akuzës që po e hetonte Mirin prej afro një viti.
Policia e Shtetit njoftoi dje se ndalimi i gjyqtarit 46-vjeçar është kryer në zbatim të urdhrit të Prokurorisë për Krime të Rënda, në funksion të një procedimi penal proaktiv të këtij viti. Burimet thanë se ai akuzohet për korrupsion, pasi dyshohet se ka marrë 20 mijë euro nga familjarët e një ish-të dënuari për vrasje, akuza e të cilit ishte kualifikuar nga Shkalla e Parë dhe ishte apeluar nga Prokuroria.
Në mënyrë që vendimi të mos ndryshonte në Gjykatën e Apelit, të afërmit e të dënuarit kishin ndë- rhyrë përmes kushëririt të gjyqtarit. Përmes shtetasit Kujtim Miri, i cili u arrestua mbrëmjen e djeshme, ndërmjetësues të familjarëve të të dënuarit, ish-anëtari i KLD, Shkëlqim Miri, ka lehtësuar dënimin, kundrejt shpërblimit financiar.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi prej rreth 33 milionë lekësh të rinj.
I pyetur në Policinë e Tiranës për prejardhjen e parave, ai ka deklaruar se vetëm 3 milionë lekë të rinj janë kursimet e tij, ndërsa pjesa tjetër janë të një të afërmi që do të blinte një pronë në Tiranë./lapsi.al