Ministria e Arsimit urdhëron anketim për drejtorët e shkollave të arsimit parauniversitar për të matur performancën e tyre.
Urdhri i firmosur nga ministrja Nikolla vjen dy ditë pas takimit që kryeministri zhvilloi me mësuesit dhe drejtuesit e shkollës ku evidentoi se rreth 300 drejtorë nga testimet kishin dalë me rezultate nën mesataren e vlerësimit.
Në këtë urdhër parashikohet që mësuesit e shkollës do të vlerësojnë në mënyrë të fshehtë me anë të një formulari tip punën e drejtorit dhe nëndrejtorëve të shkollës, raporton BW.
Drejtoritë arsimore rajonale do ta organizojnë këtë anketim këtë të enjte në orën 12:00 duke grupuar disa shkolla në një të vetme ndërsa zyrat arsimore këtë proces do ta zhvillojnë të premten.
Procedurat e anketimit në çdo njësi arsimore vendore do të monitorohen nga përfaqësues të ministrisë së Arsimit. Mësuesit duhet të jenë të pajisur me karta apo pasaportë për tu paraqitur në qendrat e anketimit në orën 12.00.
Shumica e drejtorëve të shkollave vetëm pak kohë më parë kanë marrë emërimin për të qenë drejtues të institucionit, ndërkohë që nuk dihet çfarë do të ndodhë pas administrimit të rezultateve të anketimit nga ministria e Arsimit, do të shkarkohen apo do të trajnohen për të qenë në lartësinë e detyrës.