Fëmijët shqiptarë do ta mësojnë se ka një vend që quhet Çamëri, ku jetonin shqiptarë e sot nuk mund të kthehen në trojet e tyre, sepse në fuqi është ende Ligji i Luftës mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Kështu është shprehur në një intervistë për televizionin grek, ΣΚΑΪ (SKAI) kryeministri Edi Rama. Ai thekson edhe më këtë tezë:
“Nuk është propagandë irredentiste t’iu thuash fëmijëve shqiptarëve që ka qenë një zonë që quhej Çamëri dhe që shqiptarët jetonin atje e ku për fat të keq nuk mund të shkojnë në atë vend, atje ku kanë shtëpitë e tyre, ku patën familjen e tyre.” Kreu i qeverisë në këtë bisedë të median greke ka folur po aq hapur për Çështjen Çame pa u tërhequr në asnjë prej deklaratave të tij të bëra në Kuvend pak ditë më parë. Kryeministri i Shqipërisë ngul këmbë për që të lejohen çamët të kthehen në trojet e tyre duke theksuar se Shqipëria nuk ka asnjë qëllim për të ndryshuar kufinjtë.
“Për shkak të çfarë ata nuk lejohen të kthehen? Nuk kemi asnjë pretendim për ndryshim kufinjsh. Ne thjesht besojmë se ka ardhur koha t’i tejkalojmë të gjitha këto pengesa të së shkuarës e të shohim njëri-tjetrin në sy e të themi a është e mundur që ata 80 vjeçarë gra e burra të mos mund të shkojnë në vendin e tyre sërish. A është e mundur që personat që janë nga ky rajon të mos mund të kalojnë kufirin e një vendi si Greqia? A është e mundur? Çfarë ka këtu për irridentizëm?!
Duke mbetur peng i këtyre temave e duke ndenjur peng i së shkuarës i japim ushqim vetëm nacionalistëve. Përse të mos themi po, ka një problem me këta njerëz që janë çrrënjosur nga shtëpitë e tyre. Shtëpitë e tyre janë në Greqi dhe mund të kthehen nëse duan, kanë të drejtë të pretendojnë pronat e tyre në se duan. Cili është problemi këtu?!”
Më tej Rama rrëfen për ΣΚΑΪ (SKAI):
“Flas për 80-vjeçarë dhe nuk e besoja dot. Ishte një grua 80-vjeçare që dëshmoi historinë e saj. Iku, kur ishte tetë vjeç, por nuk mund të kthehet në vendin e saj, nuk mund të kalojë kufirin grek.
I akuzojnë për kolaboracionistë… Ka pasur njerëz që kanë bashkëpunuar, po ku kemi parë në këtë botë që breza të tërë të privohen nga mundësia për t’u kthyer në vendin e tyre, vetëm se dikush prej të parëve të tyre ka qenë kolaboracionist. Ku në ç’vend të botës keni pare?
A e dinë grekët se jemi në gjendje lufte? Kjo do të thotë se ka një dekret mbretëror i cili është ende në fuqi. Miqve të mi ua them këtë, ia kam thënë Papandreut, Ciprasit, Samarasit. Përse nuk e heqim këtë Ligj të Luftës dhe i themi pastaj njerëzve se jemi në rregull. Por, çështja është se ky Ligj i Luftës pengon shqiptarët e Çamërisë të kthehen në trojet e tyre.”/27.al