Liliana Hoxha, nusja e djalit të diktatorit është rikthyer me deklaratat e saj kontraverse ne publik.
Ajo ka reaguar pas transmetimit në ‘ABC News’ të një dokumentari për informacionet që kishte CIA kishte për diktatorin shqiptar Enver Hoxha.
Hoxha ka mohuar në mënyrë kategorike vdekjen e vjehrrit të saj për shkaqe natyrale duke supozuar qe vdekja e tij natyrale i ka interesuar çdo antishqiptari dhe vetë Nexhmie Hoxhës, shkruan ajo. Liliana ka shtuar dyshimet duke theksuar dhe zhdukjen e papritur të mjekut të Enverit pas vdekjes së diktatorit dhe duke mos folur per semundjen e gjate te diabetit dhe mosehn e tij jo te re.
Shkrimi i Liliana Hoxhës sot në Gazetën Shqiptare
Sërish pata keqardhje për produktin shqiptar se sa atë të CIA-s për Enver Hoxhën. Thënë shkurt, mbrëmë dokumentari i “ABC Neës” për sekretet e Enver Hoxhës lëvruar nga CIA, ishte një ripërsëritje e dokumentarit të Fevziut miksuar me të ashtuquajtura dokumente të CIA-s të deklasifikuara, nga të cilat nuk mund të merrje asgjë për t’u bazuar, si superficiale e të mangëta nga serioziteti, pa asnjë fakt të vrojtuar e jo më të vërtetuar nga agjentë apo bashkëpunëtorë të mirëfilltë të CIA-s të pajisur me kompetencat që i takojnë këtij shërbimi autoritar.
Ishin dëshmi thashethemesh të individëve të rëndomtë rrethanorë e të vetvullnetshëm për të dëshmuar ashtu siç ju kërkohet të hiqet vallja. Kjo gjë sinqerisht më ka befasuar sa kuptova që nuk është qëllimi i CIA-s të lëvrojë këto hedhurina për investigimin e saj të posaçëm për Enver Hoxhën, por janë kërkuesit e thërrimeve që mund të gjenden lehtë si të pavlera ndaj edhe të deklasifikuara. Interpretimi i të cilave CIA-s nuk i intereson fare, pikërisht sepse nuk ka qenë qëllimi i saj të përdorë këto hedhurina për deri sa s’ia doli në qëllimin që kishte për të sajuar perversitetin seksual të Enver Hoxhës ndaj të cilit vetë shqiptarët do të ngriheshin kundër tij. Gjithsesi nuk është qëllimi im të merrem me dokumentacionin e pavlerësuar nga vetë CIA, por me shfrytëzimin e abuzimin që bëjnë në emër të CIA-s kërkuesit shqiptarë në këmbëngulje për vdekjen natyrale të Enver Hoxhës e në qëndrimin aq sa mund pro Ramiz Alisë.
Skemë e diktuar në kohën përkatëse nga ai vetë e Nexhmije Hoxha. Vdekja natyrale e Enver Hoxhës i intereson çdo antishqiptari në thelb i tillë sado shqiptar qoftë, për të zvogëluar dimensionet e mitit. Por drejtpërsëdrejti i intereson Nexhmije Hoxhës e diktuesve të saj të shërbimeve ruso-sllave. Siç është insistimi për vdekje natyrale në qëndrimin zyrtaro-publik ashtu ka qenë kërcënimi me vetë jetën time duke shpëtuar shumë herë për çudi, prej saj në gojën e ish-sigurimsave: Fol çfarë të duash, vetëm për vdekjen e Enver Hoxhës mos fol!!!!!
CIA-s, vdekja e tij që do të përfshinte vetëm disa vjet nuk i ka interesuar. Për vetë ndryshimet gjeopolitike në Ballkan e sidomos të luftës së ftohtë, Enver Hoxha ishte faktor stabiliteti në rajon kundër KGB dhe UDB. Pra, jetëgjatësia e tij i interesonte asaj. Por nga ky interes më se i qartë nuk mund të rrjedhë deklarata e përdorur nga dokumentari në emër të saj për vdekje natyrale të Enver Hoxhës. Meqë CIA s’ka qenë e interesuar për vdekjen e tij ajo nuk mund të bëhet mbulim i shërbimeve të huaja kundërshtare të luftës së ftohtë. Edhe informacioni i CIA-s për shëndetin e Enver Hoxhës s’të çon asgjëkund, çka provon mosinteresimin real të saj për vdekjen e tij. Por për dikë që ka studiuar çështjen, aty këtu, gjen përkime të rastit, por të fuqishme. Ndaj më vlejtën dy argumente shumë të rëndësishëm në vërtetim të akuzës time për vrasjen e Enver Hoxhës nëpërmjet mjekimit.
Në dokumentet e CIA-s del që në 1976 kardiologu pranë E.H , Nikolla Shurbani deklaron që ai vuante lehte nga problemet kardiake e qarkullimit të gjakut. Nikolla Shurbanin e kam njohur personalisht. Ishte më kompetenti e ndërkaq më i ndershmi pranë shërbimit të Enver Hoxhës. Bie në sy që Shurbani nuk e ka bërë alarmante shëndetin e tij në 1976 kur Nexhmija e mjeku personal i tij Kalo që në ‘74 e kishin futur në karantinë me psikozën e të sëmurit rëndë ndaj atij dhe ndaj nesh, por sekret për popullin. Shurbani u zhduk. Protagonistet nuk i zë lapsi i CIA-s, sepse ajo nuk është marrë me atë problem.
Gjithashtu, përmendet një mjek italian (Zorxoli) apo disa japonezë që kanë vizituar Enver Hoxhën. Përveç mjekut francez Miliez për të cilin CIA s’kishte hollësi, asnjë nga këta nuk ka vizituar Enver Hoxhën. Duken më shumë si pista dizinformuese për vetë CIA-n. Gjithmonë në kësi rastesh për njerëz që janë marrë me studimin e çështjes mund të gjesh prej rrjedhjes së informacionit në dukje të parëndësishëm, por që përkon me faktin e vërtetuar nga Auron Tare që zbulimi italian ka pasur që në vitet ‘70 dosjen reale shëndetësore të Enver Hoxhës, e mundshme kjo vetëm nëpërmjet njerëzve më të afërt d.m.th. doktorit më të afërt apo familjarëve të tij. Në krahun tjetër të luftës së ftohtë të atyre viteve, shërbimet përkatëse fshehin, kërcënojnë, vrasin për zbulimin e vdekjes së Enver Hoxhes. Ndërkaq që nxjerrin në gojën e CIA-s të pa interesuar që Enver Hoxha pati vdekje natyrale.
Askush nga ne shqiptarët që veprojmë me fjalë e penë, duke filluar që nga unë, producentët e dokumentarit apo emra që përmenda më lart nuk kanë interes as qëllim e as këllqe të merren, të analizojnë apo përgojojnë këto shërbime në fjalë. Çështja është sa shqiptarë jemi në të vërtetë se antishqiptarizmi ushqehet madje diktohet në mënyrë të pandjeshme po të jesh i verbër e për më keq po të jesh i interesuar, sërish mund t’ia dalësh duke pasur alibi opinionin personal. Mbetet gjithmonë çështje ndërgjegjeje: Sa është secili në thelb shqiptar.