Home KRYESORE Turqia, fletarreste për 360 “gylenistë”

Turqia, fletarreste për 360 “gylenistë”

Prokurorët në Turqi kanë paraqitur fletarreste për 360 persona, në një operacion në shënjestër të të cilit janë mbështetësit e dyshuar brenda ushtrisë, të klerikut turk me seli në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gulen, ka raportuar sot agjencia shtetërore e lajmeve, “Anadolu”.

Në raport theksohet se 333 prej këtyre personave, që pritet të arrestohen, janë ushtarë, ndërsa 216 prej tyre janë personel shërbyes.

Qeveria e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pretendon se Gulen dhe rrjeti i tij e kanë orkestruar përpjekjen për grushtshtet vitin e kaluar. Gulen e ka hedhur poshtë këtë akuzë.

Oficerët e policisë së Stambollit po e vazhdojnë operacionin për arrestimin e të dyshuarve, raporton “Anadolu”.

Agjencia private e lajmeve, “Dogan”, ka raportuar se 7 prej atyre që kërkohen, janë pilotë.

Më se 50 mij njerëz janë arrestuar në pritje të proceve gjyqësore për shkak të lidhjeve me Gulenin, ndërsa 150 mijë të tjerë, janë shkarkuar ose pezulluar nga puna në sektorin publik ose privat, prej puçit të dështuar të 15 korrikut të vitit të kaluar, në të cilin janë vrarë më shumë se 250 njerëz.

Javën e kaluar, afro 700 vetë janë arrestuar në lidhje me këto hetime.

Aleatët perëndimorë të Turqisë dhe grupet për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësim se Ankaraja po i shfrytëzon hetimet për goditjen e atyre që mendojnë ndryshe. /360grade.al

Share: