Petrit Vasili, kryetar i grupit parlamentar të LSI, u shpreh se ambasadori amerikan, Donald Lu duhet të mbante një qëndrim të qartë për çështjen Tahiri.
I ftuar në studion e Repot Tv, Vasili tha se Lu duhet t’i kishte kërkuar maxhorancës heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm.
“Lu duhet të kishte mbajtur një qëndrim të qartë t’i kërkonte maxhorancës heqjes së imunitetit për ish-ministrin. Lu duhet të ishte më i drejtpërdrejtë. Pse duhet të presim janarin për të goditur “peshqit”, bosët e krimit. Ç’të presim? Nga do ta presim?”, tha Vasili.
I pyetur nëse LSI pret rezultate konkrete nga operacioni “Forca e Ligjit”, Vasili tha se “zhvillimet dhe faktet e rënda që po dalin çdo ditë s’kanë pse të na çojnë në janar”. “Duhet një qëndrim i fortë ndaj maxhorancës, boll më me krimin. Në politikën ka qëndrime të qarta, o i voton, o i pengon. Maxhoranca pengoi”, tha ai. Vesili u shpreh skeptik edhe për Vettingun në polici. “Janë të njëjtët njerëz. Refuzoj ta besoj vetëpastrimin e policisë pasi janë po ata që përmbytën Shqipërinë me drogë”, tha ai. Sa i takon ardhjes së agjentëve të FBI në kuadër të operacionet “Forca e Ligjit”, Vasili kërkoi që të bëhej publike marrëveshja. “Është detyrim ligjor që qeveria të bëjë transparente marrëveshjen me FBI”, shtoi ai.
“Droga, BE të ishte më e rreptë”
“BE duhet të ishte më e rreptë me qeverinë për çështjen e drogës”, tha Petrit Vasili duke iu referuar vizitës së komisionerit për Zgjerimin e BE, Johannes Hahn në Tiranë. “Kemi probleme shumë të rënda nga korrupsioni, nga krimi, nga droga. BE duhet të ishte më e rreptë me qeverinë për çështjen e drogës. Presim rezultate nga Vettingu, i cili do jetë çelësi për negociatat me BE”, tha Vasili.
Kreu i deputetëve të LSI, iu referua edhe deklaratave të Ramës për mediat. “Autoritarizmi i Ramës po i imponohet medias. Një gazetar e quajti fjalimin e Ramës vrastar, komente të tilla tha, vrasin gazetarë. Ajo media që nuk kapet nga ai, është media që gënjen, është media kazan”.