Home KRYESORE Amnistia e munguar dhe të drejtat e njeriut! Nga Xhoi Jakaj

Amnistia e munguar dhe të drejtat e njeriut! Nga Xhoi Jakaj

Hera e parë prej vitesh që mungon amnistia për të dënuarit e të gjitha veprave penale,nuk e di i ka shkelur apo jo burgjet shqiptare znj Ministre për të kuptuar nga afër dramën qē mbart sistemi në vite e për të cilën nuk po aludoj se mban pergjegjësi individuale pasi kushtet e rënda të banimit, strehimit, lagështirës dhe infrastruktures tejet të amortizuar në burgje ka vite që lengojnë e nuk njohin përmirësime!

Aty ka minorene, te rinj, të moshuar, një numer i madh të semurësh kronik dhe me sëmundje të rënda, përpos numër shumë i lartë të denuarish në dhoma,e në pamundësi totale nga stafi i punonjësve në burgje për ti rregulluar në bazë të moshës për shkak te infrastruktures se dobët që paraqitet në rreth 70 % e burgjeve në shqipëri,me të njejtin ligj trajtohet nje prodhues i lendeve narkotike, nje perdorues dhe nuk perjashtohen në më të shumten e rasteve nga zbatueshmeria e ligjeve te ashpra as personat me sasi te vogla droge te kapura ne trafikim apo perdorim,….

Po cfare është amnistia per ata që nuk e njohin këtë term,Amnistia është një fjalë që rrjedh nga greqishtja (ἀμνηστία, amnestía) e që në shqip nënkupton harresën, fshirjen nga kujtesa. “Fshirja e krimit” nga kujtesa e institucioneve ligjzbatuese, e është e mundur në fakt,kjo konsiston në heqjen dorë nga ana e shtetit të ndjekjes penale të disa krimeve/kundërvajtjeve të caktuara. Në këtë rast bëhet fjalë për një parashikim të përgjithshëm faljeje, që në gjenezën e saj është frymëzuar nga arsye oportuniteti politik dhe pajtimi social, ndërsa në ditët e sotme amnistia konsiderohet edhe si një instrument për të zvogëluar “mbipopullimin e burgjeve”.

Për këtë arsye sugjerohet që “fshirja e kujtesës” për krime të caktuara të ndodhë edhe në Shqipëri, duke patur parasysh situatën dhe gjendjen e institucioneve të vuajtjes së dënimit dhe paraburgimit, e mbi të gjitha kategori të caktuara të dënuarish e paraburgosurish sic janë gratë, vajzat, të miturit dhe të sëmurët terminal. Duke sjellë në vëmendje ndryshimet e fundit në Kodin e Procedurës Penale të hyra në fuqi me datë 01.08.2017, e konkretisht shfuqizimin e nenit që parashikonte lirimin para kohe për arsye shëndetësore, tashmë është qeveria dhe kuvendi që nëpërmjet ligjit për amnistinë duhet t’i japin zgjidhje kësaj problematike që më parë është zgjidhur nga gjykatat.

Përvec politikave penale të caktimit dhe masës së dënimit që zbatojnë gjykatat, krahas me to dhe pa rënë në kundërshtim me njëra-tjetrën, qeveria dhe kuvendi kanë të drejtën të zbatojnë politikat e tyre nëpërmjet ligjit për amnistinë. Kjo në tërësi është dhe një rregullator perfekt nëse ka shkelje të drejtave të denuarve nga gjykatat apo vendimet e tyre të padrejta për veprat e lehta penale dhe shtresat vunerabile e në pamundësi ekonomike.Por kurrësesi nuk duhet të nënkuptojë që meqënëse qëveria e kuvendi e kanë këtë të drejtë kushtetuese të vendosin sipas oportunitetit politik apo privilegjit për kategori të caktuara,dhe kjo te perdoret politikisht (si psh.rasti i amnistisë nga ndjekja penale të politikanëve në Rumani, që ngjalli protesta popullore).

Në mënyrë që ligji për amnistinë të japë efektet dhe të përmbushë qëllimin e tij humanitar është e nevojshme kryerja e një studimi të mirëfilltë paraprak nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, përpara se të dilet në përfundimin nëse do të ketë apo jo ligj për amnistinë. Deklaratat e nxituara mbi një ligji për amnistinë, pa patur një studim paraprak në tavolinë mbi situatën e të burgosurve, paraburgosurve, personave nën hetim, të dyshuarve për vepra penale të caktuara, situatën e burgjeve, mbipopullimit,dhe të kriminalitetit në vend, të veprave penale relativisht të lehta për të cilat parashikohen dënime të rënda, etj. Pra nuk i shërbejnë qëllimit human të ligjit dhe unë si një ish Drejtore burgu nuk do e sygjeroja kurre një amnisti në kundershtim me ligjet në fuqi.

Me poshtë po sjell në vemendje përcaktimet ligjore për dhënien e amnistisë.

-Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 81 parashikon të drejtën e Këshillit të Ministrave, çdo deputeti, si dhe 20 mijë zgjedhësve për të propozuar ligje.

-Ligji për amnistinë miratohet me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, duke u vendosur në një nivel me ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve, të parashikuara nga Kushtetuta, ligjin për shtetësinë, ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore, ligjin për referendumet, kodet, ligjin për gjendjen e jashtëzakonshme, ligjin për statusin e funksionarëve publikë, dhe ligjin për ndarjen administrative të Republikës.

-Nga ana tjetër në nenin 151 të Kushtetutës parashikohet se cështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, me kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, me buxhetin, taksat e detyrimet financiare të shtetit, me vendosjen dhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, me deklarimin e luftës dhe të paqes dhe me amnistinë nuk mund të shtrohen në asnjë referendum.

-Referuar këtyre parashikimeve kushtetuese si dhe rëndësisë që kushtetuta i jep ligjit për amnistinë, nuk mund të shtrohet për tu votuar me referendum, duke marrë parasysh ndjeshmërinë që kanë të dënuarit, të paraburgosurit, personat nën hetim apo të dyshuarit për një vepër penale dhe të afërmit e tyre ata kanë të drejtë të kërkojnë amnisti,Por kushtetuta ia ka dhënë të drejtën për ta votuar ligjin për amnistinë vetëm kuvendit me një shumicë të caktuar sic është tre të pestat, dhe jo popullit me referendum, pas propozimit të Këshillit të Ministrave, cdo deputeti si dhe 20 mijë zgjedhësve,

Në këtë aspekt, si nga ana e propozuesve të ligjit ashtu edhe nga ana e miratuesve të tij, duhet patur parasysh qëllimi i ligjit për amnistinë dhe fryma e tij. Qëllimi i Ligjit për amnistinë mund të përshkruhet si krijim i një infrastrukture ligjore, e cila synon krijimin e një ambienti të qëndrueshëm në funksion të sundimit të rendit dhe ligjit, e udhëhequr nga parimet e humanizmit, rrezikshmërisë së ulët të personave të cilët amnistohen si dhe mbrojtjen e interesave publike.

Miratimi i këtij ligji duhet të synojë të ketë si efekt pozitiv realizimin e qëllimit të dënimit, po ashtu të ndikojë pozitivisht edhe në risocializimin dhe riintegrimin e personave të dënuar për kategorit të caktuara të veprave të lehta penale..

Ndaj si një ish drejtore burgu grash që kam parë shumë vajza e gra vunerabile dhe te pamundura nga ana financiare të paguajnë avokat por ndiqen me avokat kryesisht të caktuar nga shteti,sepse në shumë raste janë të braktisura nga familjet e sygjoroj vit per vit amnistine për vepra penale të lehta pasi denimi në Kodin Penal është shumë i lartë për gratë të semuret terminale, te miturit, etj. Personalisht mendoj se amnistia e pergjithshme, pra per tē gjithë te denuarit është e gabuar dhe shpesh perdoret nga politika, ne kundershtim me politiken penale qe ndjekin gjykatat ne vend.

Nga amnistia e fundit që hyri në fuqi në janar të ketij viti kanë perfituar dhe disa të denuar edhe per vepra te rënda, kjo nuk duhet të ndodhe më pasi nuk është ky qellimi i amnistisë e ndaj duhet studim i hollësishëm me ekip të specializuar të jurispondences dhe jo vetëm,

Të dënuarit përfitojnë cdo vit ulje denimi me 3 muaj nga gjykata e kjo nuk është pak, doja ta sqaroja edhe këtë detaj për që ata që nuk punojnē në sistemin e burgjeve dhë nuk e kuptojnë si klauzolë të ligjit,Gjithsesi jam e mendimit se amnistia duhet të zbatohet pasi perveç se ul mbipopullimin ka një efekt shumë social në shoqëri nëse amnistia trajtohet në këtë forme dhe nuk perdoret politikisht

Xhoi Jakaj
Doktoreshe shkencash
Ish Drejtore burgu

Share: