Bizneset mund të shkarkojnë në kohë reale certifikatën e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Kjo procedurë kryhet më thjeshtë tashmë, duke klikuar dhe duke e marrë këtë shërbim në portalin “e-Albania”.
Në një njoftim të fundit thuhet se, në çast bizneset e interesuara mund të shkarkojnë certifikatën e regjistrimit, të vlefshme ligjërisht, pasi është e pajisur me vulën dixhitale, pa asnjë kosto shtesë, pa vonesa dhe pa afat përdorimi.
“Nëpërmjet këtij shërbimi elektronik bizneset mund të marrin në kohë reale certifikatën e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Certifikata përmban të dhëna mbi NUIS – numrin unik të identifikimit të biznesit, i cili lëshohet në momentin e regjistrimit të subjekteve tregtare me të certifikatës së regjistrimit. Gjithashtu në të, tregohet statusi i biznesit, adresa, afati i veprimtarisë, data e regjistrimit të biznesit”.
Dokumentacioni i nevojshëm
– NUIS (numri unik i identifikimit i biznesit) – i nevojshëm për t’u loguar në portal
Hapat e procedurës
– Identifikohuni si biznes në portal
– Zgjidhni shërbimin “Certifikatë Regjistrimi”
– Klikoni butonin” Përdor”
– Plotësoni formularin përkatës elektronik
– Klikoni butonin “Shkarko dokumentin e vulosur” në faqen e fundit të formularit
– Certifikata do te shkarkohet menjëherë në shfletuesin tuaj
Shërbimi do të merret menjëherë dhe do të ofrohet për bizneset pa asnjë pagesë. / Scan