Home KRYESORE Jeruzalem: Putin dhe Erdogan paralajmërojnë për rifillimin e tensioneve. Nga Diana Skrapari

Jeruzalem: Putin dhe Erdogan paralajmërojnë për rifillimin e tensioneve. Nga Diana Skrapari

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin paralajmëruan të hënën në një konferencë të përbashkët shtypi se njohja e Jeruzalemit si kryeqyteti i Izraelit mund të rriste tensionet në Lindjen e Mesme. “Rusia dhe Turqia besojnë se (ky vendim) nuk ndihmon për të stabilizuar situatën në Lindjen e Mesme, por përkundrazi destabilizon një situatë tashmë të komplikuar”, tha Vladimir Putin, i cili vizitoi Ankaranë të hënën në mbrëmje, për të takuar homologun e tij turk.

Erdogan i tha atij se “Izraeli po hedh benzinë në zjarr”. “Izraeli e sheh këtë proces si një mundësi për të rritur presionin dhe dhunën kundër palestinezëve”, vazhdoi ai, duke shtuar se ai dhe Putin kanë “një qasje të ngjashme” ndaj çështjes. Gjatë një kalimi të shpejtë në Egjipt të hënën pasdite, Putin bëri thirrje për “një rifillim të menjëhershëm të bisedimeve të drejtpërdrejta izraelito-palestineze mbi të gjitha çështjet e diskutueshme, duke përfshirë statusin e Jeruzalemit”, sipas një përkthimi zyrtar simultan në arabisht të fjalëve të tij në rusisht.

Më herët të hënën, Erdogan i tha atij në një fjalim se “me këtë njohje të Jeruzalemit si kryeqytetin e Izraelit, ata (Shtetet e Bashkuara) janë bërë bashkëpunëtorë në gjakderdhjen në territoret e pushtuara palestineze”. Erdogan edhe një herë denoncoi veprimet izraelite ndaj palestinezëve në Jeruzalem, duke e akuzuar Izraelin për kthimin e qytetit të shenjtë “në një burg për myslimanët dhe ndjekësit e feve të tjera”.

“Ata kurrë nuk do të jenë në gjendje të lajnë duart nga gjaku me të cilin i kanë ndotur” tha ai. “Lufta nuk do të ndalet deri në krijimin e një shteti të pavarur palestinez në kufijtë e vitit 1967 dhe me Jeruzalemin Lindor si kryeqytetin e tij”. Erdogan tha gjithashtu se një samit i udhëheqësve myslimanë që do të mbahet të mërkurën në Stamboll do të ishte një “pikë kthese” në përgjigjen e tyre ndaj vendimit të njëanshëm të Presidentit të SHBA-ve Donald Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit.

Që nga ky vendim, i shpallur më 6 dhjetor, Erdogan ka shtuar kritikat e tij ndaj z. Trump. Të dielën, ai sulmoi Izraelin, duke e quajtur atë një shtet “terrorist” që përdor forcën joproporcionale kundër palestinezëve. Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, që udhëtonte për në Paris, u përgjigj në mënyrë të thatë duke pohuar se ai nuk kishte “leksione morali për të marrë nga një udhëheqës që bombardon fshatrat kurde në Turqi, që burgos gazetarët, ndihmon Iranin për të shmangur sanksionet ndërkombëtare dhe ndihmon terroristët, veçanërisht në Gaza “.

Kjo rritje tensionesh vjen pasi marrëdhëniet midis Turqisë dhe Izraelit mbeten të brishta, pavarësisht nga një normalizim vitin e kaluar pas gjashtë vitesh ngrirje për shkak të një incidenti serioz detar. /Perqasje.com

Share: