Home KRYESORE Jeruzalemi, kryeqytet i Izraelit ose molla e sherrit në Lindjen e Mesme...

Jeruzalemi, kryeqytet i Izraelit ose molla e sherrit në Lindjen e Mesme Nga Dr. Diana Skrapari

Jeruzalemi është përmendur për herë të parë në tekstet egjiptiane të shekujve XX dhe XIX para Krishtit, në periudhën kur Egjipti ka  pasur si shtet vasal Kanaanin me emrin Rushalimu. Emri i Jeruzalemit i referohet adhurimit të Perëndisë e Kananejve, Shalem, e cila ishte një perëndi popullore në panteonin perëndimor semit, hyjni e krijimit, e plotësisë, dhe e perëndimit të diellit.  Një etimologji e detajuar është dhënë në vitin 1859 nga Sander dhe Trenel, emri “Shalem” vjen nga dy rrënjët e Kaldeasve Yeru ( “qyteti”, “shtëpi”) dhe SHLM, e cila  dha fjalët Salaam në arabisht dhe Shalom në hebraisht. Kjo rrënjë SHLM do të thotë sot “paqe”, por kuptimi origjinal është ajo e tërësisë, e plotësimit.

Pas shpalljes së Pavarësisë së Shtetit të Izraelit në vitin 1948 dhe luftës që pasoi, qyteti u nda në pjesën perëndimore të aneksuar nga Izraeli dhe në pjesën lindore (të gjithë Qytetin e Vjetër) të aneksuar nga Jordania , të ndara nga një tokë e askujt (no man’s land). Në vitin 1949, Jerusalemi Perëndimor shpallet kryeqyteti i Izraelit. Në vitin 1967, gjatë Luftës së Gjashtë Ditëve, Tsahal pushtoi Jerusalemin Lindor dhe Izraeli e deklaroi Jeruzalemin “e ribashkuar”, kryeqytetin e tij “të përjetshëm dhe të pandashëm”. Megjithatë, në vitin 1996, asnjë shtet nuk e njohu këtë aneksim dhe asnjë shtet nuk ka ambasada atje sepse ligji ndërkombëtar e ka shpallur të pavlefshëm këtë ndryshim në statusin e qytetit. Në vitin 1980, në një ligj themelor izraelit, Knesseti e deklaroi kryeqytetin e Izraelit,Jeruzalemin «e përjetshëm dhe të pandashëm”. Institucionet e ndryshme izraelite, legjislative, ekzekutive, gjyqësore dhe administrative, janë vendosur në Jeruzalem.

Në vitin 1988 (31 korrik), Mbreti Hussein i Jordanisë tha në televizion se ai braktiste pretendimet e tij për sovranitetin mbi Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin. Kjo deklaratë nuk ka vlerë në të drejtën ndërkombëtare. Më 26 tetor 1994 është nënshkruar Traktati i paqes izraelito-jordanez. Kufijtë ndërkombëtarë midis Izraelit dhe Jordanisë janë vendosur. Në vitin 2000, Autoriteti Palestinez votojë një ligj ku njihte Jeruzalemin si kryeqytet të një shteti të ardhshëm  dhe ky ligj u ratifikua në vitin 2002. Për palët e përfshira, statusi i Jerusalemit mbetet një çështje kyçe në zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez. Në vitin 2000, në samitin e Camp David II, Ehud Barak (Kryeministër izraelit i asaj kohe) propozoi sovranitet palestinez mbi disa lagje të Jeruzalemit, si Abu Dis (vendndodhja e Universitetit Al-Quds) dhe “vetë-menaxhimin” e lagjeve palestineze. Dështimi i këtij samiti i jep fund këtyre negociatave.

Pozita e Kombeve të Bashkuara mbi Jeruzalemin lidhet me Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme 181 dhe rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme dhe të Këshillit të Sigurimit.Këshilli i Sigurimit, në rezolutat 476 dhe 478, deklaron se ligji izraelit që e cakton Jeruzalemin si “të përjetshëm dhe të pandashëm” është i pavlefshëm dhe përbën një shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Rezoluta u bën thirrje shteteve anëtare të tërheqin misionin e tyre diplomatike nga qyteti.

Më 6 dhjetor, Donald Trump bëri një deklaratë ku ai zyrtarisht e njohu Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe njoftoi transferimin e ardhshëm të Ambasadës së SHBA-ve nga Tel Avivi në Jeruzalem. Ky vendim ishte një nga premtimet e fushatës së tij.

Në vitin 1995 Kongresi amerikan votoi Jerusalem Embassy Act, i cili e njohu Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe premtoi se do të transferojë ambasadën amerikane nga Tel Aviv në Jeruzalem deri në vitin 1999. Por ky ligj kishte një klauzolë: mundësinë që presidentët të shtynin zbatimin e kësaj mase për gjashtë muaj dhe çdo president do ta bëjë këtë dhe ajo u shty 45 herë nga gjashtë muaj në emër të sigurisë së Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë ishte “një nga premtimet e fushatës” të tre presidentëve që paraprinë Donald Trump.

Në të vërtetë, në vitin 1992, Bill Klinton e bëri unitetin e qytetit izraelit një çështje të fushatës elektorale dhe gjithashtu e pranoi se Jeruzalemi ishte kryeqyteti i Izraelit dhe duhet të mbetej një qytet i pandashëm . Në të njëjtën mënyrë, presidenti i ardhshëm, Xhorxh W. Bush deklaroi në vitin 2000 se sapo të zgjidhej do të fillonte procesin e lëvizjes së ambasadës në qytetin që Izraeli e ka zgjedhur si kryeqytet. Pastaj Barak Obama, nga ana e tij, njoftoi në fushatën e tij të parë presidenciale se ai duhet të ruajë integritetin e Izraelit si një shtet hebre me kufij të sigurtë, të dallueshëm dhe të mbrojtur. Jeruzalemi duhet të mbetet kryeqyteti i Izraelit dhe duhet të mbetet i pandashëm. Ai përsëriti disa javë më vonë fjalët: “Është e rëndësishme të mos ta ndani përgjysëm qytetin. (…) Kjo është një situatë që duhet të zgjidhet me të dy palët – palestinezët dhe izraelitët. Dhe nuk është roli i Shteteve të Bashkuara të diktojë rrugën që ata duhet të zgjedhin(…). “

Deklarata e Presidentit Trump për Jeruzalemin si kryeqytet i Izraelit ngjalli shumë debate në botë, sidomos në vendet myslimane si Turqia dhe Irani. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është një nga kundërshtarët më të mëdhenj të kësaj iniciative dhe është shfaqur si një mbrojtës i kauzës palestineze. Ai mendon se kjo deklaratë do të ngjallë tensione në Lindjen e Mesme dhe e quan qëndrimin e vendeve arabe të frikësuar se mos prishin marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në. Ai i bëri thirje këtyre vendeve myslimane ta kundërshtojnë këtë deklaratë. Vende të tjera si Rusia dhe vendet evropiane bëjnë thirrje për një respektim të së drejtës ndërkombëtare, pra, për një mosnjohje të Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit.

Presidenti francez në një takim me Kryeminsitrin izraelit Netanjahu shpehu mospajtimin  e tij me Presidentin amerikan Donald Trump për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Ndërsa Kryeministri izraelit e përshëndeti këtë njohje dhe e quajti si ngjarje historike për Izraelin.

Gjendja aktuale në Jeruzalem është e tensionuar pasi shumë të rinj palestinezë kanë protestuar dhe janë ndeshur me forcat izraelite të mbrojtjes dhe ka pasur disa viktima nga të dyja palët (packa se në mediat evropiane flitet vetëm për viktima palestineze, por ka pasur edhe viktima nga forcat izraelite të mbrojtjes).

Cështja e Jeruzalemit ose qytetit të artë sipas këngës së Ofra Haza (Yerushalayim Shel Zahav) është kthyer në një mollë sheri në Lindjen e Mesme. Aty takohen tre fe monoteiste, aty gjendet altari i Perëndisë. Përsa kohë që në botë do  të ekzistojë armiqësia midis feve dhe urrejtja midis popujve, edhe cështja e Jeruzalemit do të jetë më e vështirë për tu zgjidhur.

David Ben Gurion, themeluesi i shtetit hebre thoshte “Të menduarit është një art i vështirë dhe pak i vënë në praktikë, përvëc rasteve të rralla”. Është fare e lehtë të bësh thirrje për luftë dhe Intifadah kur fare mirë mund të bëhët thirrje për paqe në botë…

Share: