Prokurori Besnik Muçi është përplasur me deputeten socialiste, Vasilika Hysi, pas vendimit të Komisionit të Ligjeve, i cili nuk e vlerësoi të përshtatshëm për postin e Kryeprokurorit të Përkohshëm Muçin. Në një lidhje telefonike në emisionin ‘Repolitix’, ku e ftuar është deputetja Hysi, Muçi deklaroi se është banale të thuash që ai u përjashtua nga gara se nuk kishte 15 vite punë si prokuror. Ai u përplas me ligjvënësen e PS-së, teksa i tha se ka 15 vite punë si jurist, gjë e cila nuk u hodh poshtë nga Hysi.
Muçi: Nuk do ta merrja guximin po të mos isha i sigurt. Më duket fare banale për koment.
Hysi: Muçi ka 15 vite jurist. Nuk e kemi vlerësuar nëse është i spikatur apo jo, sepse thuhet që duhet një nga prokurorët më me përvojë.
Muçi: Po pra, po çfarë kuptoni ju me përvojë? Përvoja përcaktohet te kriteri 15-vjeçar.
Hysi: Asnjë nuk e diskuton që jeni 15 vite jurist. Ju nuk e keni doktoraturën. Muçi: Tek eksperienca unë jam dhe ekspert i Këshillit të Evropës, jam anëtar i Byrosë.