Kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili e cilëson puç Kushtetues procedurën e ndjekur nga Kuvendi për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri.
I ftuar në 45 minuta nga Denis Minga në Report Tv, Vasili tha se autorët e këtij puçi do cilësohen puçistë dhe do akuzohen për tradhti kombëtare. Sipas tij Kushtetuta nuk parashikon zgjedhjen e një Kryeprokurori të Përkohshëm. “Është puç kushtetues. Procedura e ndjekur nga komisioni i ligjeve, dëgjesat e zhvilluara janë të paligjshme. S’ka asnjë nen kushtetues që të parashikojë këtë gjë. Nëse do vazhdojnë është dita e fundit kur në Shqipëri flitet për shtet ligjor. 60% e Kushtetutës ndryshoi në vitin 2016. Është një kushtetutë e mbështetur nga SHBA dhe BE të cilët e thanë haptaz konsiderojeni si kushtetutën tonë dhe kjo kushtetutë dhunohet ditën për diell. Reagimi do jetë shumë i fortë. Ky prokuror do refuzohet të njihet nga ne dhe të gjithë shqiptarët. Ata që do ta konsiderojnë këtë do jenë puçistë të cilët do akuzohen për tradhti kombëtare. Çfarë do i mbrojë ligjit ky Kryeprokuror i cili ka ardhur në detyrë në shkelje me ligjin”, tha Vasili.
“Shefi i EURALIUS u shkarkua për inkompetencë”
Vasili vuri në pikëpyetje edhe ekspertizën e EURALIUS dhe OPDAT, pasi theksoi se shefi i këtij misioni në Tiranë u shkarkua për mungesë kompetence. “Rene Deville u shkarkua për inkompetencë. Isha ministër Drejtësie kur ai u shkarkua nga detyra”, tha Vasili, ndërsa duke komentuar deklaratat e ambasadorëve Lu e Vlahutin tha se “përgjegjëse për këtë çështje janë institucionet shqiptare”.
“Mandatin e Llallës e konstaton KLP”
Mbarimin e mandatit të Llallës, shtoi Vasili, e konstaton KLP dhe jo Kuvendi. Ai u shpreh në një mendje me kryetarin e PD, Lulzim Basha që Llalla të vijojë të qëndrojë në detyrë deri në krijimin e KLP-së. “Kush e shpall vakancën? Ulsi Manja? Ku shkruhet sa është mandati? Ishte menduar që gjallë a vdekur kjo punë do ndodhte në kohë, pra që do ishte ngritur KLP dhe nuk mendohej se Shoqëria Civile do bllokonte KLP-në, se ata e kanë bllokuar dhe KLP do ngrihej e do merrte vendimet e veta. Ku është shkruar në Kushtetutë që për mosmarrëveshje palët shkojnë në Gjykatën Kushtetuese?