Home KRYESORE Kur fillova ta doja veten … Nga Charlie...

Kur fillova ta doja veten … Nga Charlie Chaplin

Përktheu Elona Caslli

Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët,
kuptova se dhimbja dhe vuajtja shpirtërore
nevojiteshin për të më kujtuar se po jetoja në kundërshti me vlerat e mia.
Sot, e di që kjo gjë quhet Vërtetësi.

Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët,
kuptova, se sa shumë e fyeja dikë, kur i diktoja dëshirat e mia
duke e ditur se nuk ishte çasti i duhur dhe se ai njeri nuk ishte ende gati,
edhe pse, ai njeri isha unë.
Sot ,e di që kjo gjë quhet Respekt.

Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët,
nuk dëshiroja më të kisha një jetë tjetër
dhe kuptova se sfidat që po përballoja, veçse më ftonin të bëhesha njeri më i mirë.
Sot, e di që kjo gjë quhet Pjekuri.

Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët
kuptova se në çdo rrethanë isha në vendin dhe në kohën e duhur
dhe gjithçka që më ndodhte kishte një domethënie të caktuar.
Sot, e di që kjo gjë quhet Besim në Vetvete.

Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët,
nuk hoqa dorë nga koha e lirë dhe nuk fantazoja më për projekte madhështore në të ardhmen.
Sot, bëj vetëm atë gjë që më pëlqen dhe më sjell gëzim,
atë gjë që kam pasion dhe që më bën të lumtur dhe e bëj ashtu si më pëlqen, duke respektuar ritmin tim.
Sot, e di që kjo gjë quhet Thjeshtësi.

Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët
hoqa dorë nga gjithçka që vinte në rrezik shëndetin tim; ushqime, njerëz, objekte, rrethana dhe gjithçka që më ulte poshtë dhe më largonte nga vetvetja.
Në fillim e quaja “ egoizëm të shëndetshëm” por
Sot , e di që kjo gjë quhet Vetëvlerësim.

Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët,
nuk doja të kisha gjithmonë të drejtë
dhe kur sillesha kështu, gaboja më pak.
Sot, e di që kjo gjë quhet Përunjësi.

Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët,
nuk jetoja më në të shkuarën
dhe nuk shqetësohesha më për të ardhmen.
Sot kam mësuar të jetoj çastin e së tashmes, të vetmin çast që vlen me të vërtetë.
Sot, e di që kjo gjë quhet Mirëqënie.

Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët,
kuptova se Mendimi im mund
të më bënte mjeran dhe të sëmurë.
Por, kur e mësova mendimin tim të fliste me zemrën time,
intelekti u bë aleati im më i mirë.
Sot, e di që kjo gjë quhet Mençuri.

Nuk duhet të kemi frikë nga ndryshimet, kundërshtitë
dhe problemet që kemi me vetveten apo me njëri-tjetrin,
sepse edhe yjet ndonjëherë përballen mes tyre
për të sjellë në dritë botë të reja.
Sot, e di që kjo gjë quhet Jetë.

 

Share: