Home KRYESORE Ministri i Jashtëm grek: Për ne prioritet marrëveshja detare me Shqipërinë

Ministri i Jashtëm grek: Për ne prioritet marrëveshja detare me Shqipërinë

Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Kotzias dha një intervistë në kanalin turk ERT foli në lidhje me Shqipërinë. Për çështjen detare Kotzias tha se “është e drejta e Greqisë të zgjerojë zonën e Egjeut”.

“Nuk është në axhendën e diskutimeve me Turqinë, por problemi ynë qëndron tek shelli (rafti) kontinental. Teknikisht për të përcaktuar raftin kontinental, duhet përcaktuar zona e Egjeut, çfarë do e kryejmë pjesë-pjesë. Teoria se të gjitha bëhen automatikisht nuk solli asnjë rezultat prej vitesh. Në emër të maksimalizmit nuk bëhet asgjë. Delimitimi detar është mjaft i rëndësishëm për Greqinë, për përcaktimin e AOZ veçanërisht me Shqipërinë, të drejtat tona sovrane janë mese prioritare nga të gjitha aspektet”, deklaroi Kotzias.

Ministri grek nuk përjashton zgjerimin e kufirit detar duke u referuar për herë të parë në Marrëveshjen për të Drejtën Detare në ujërat deri në 12 milje, një marrëveshje që ekziston por deri më sot nuk është zbatuar nga pala greke. Ndërsa për Turqinë zgjerimi kufitar detar nga pala greke përbën “arsye lufte” sipas mbledhjes se 8 qershorit 1995.

Kotzias ka folur dhe për rëndësinë e abrogimit të ligjit të luftës me Shqipërinë si dhe ka përshëndetur palën shqiptare për vendimin e varrezave.

Përsa i përket Shqipërisë, Kotzias ka deklaruar se ‘koha është në favor të Greqisë për të zgjidhur gjithë problemet, duke u shërbyer interesave greke por pa cenuar palën tjetër’. Për kërkesën e pronave nga pala shqiptare ka deklaruar se “çështje prioritare është abrogimi i ligjit të luftës. Pasojat ligjore do përfshihen në një proces të posaçëm, në vijim”, eshte shprehur ai.

Share: