Home KRYESORE Mrekullia e “ Bisturisë Antibakteriale” Rrëfim nga ...

Mrekullia e “ Bisturisë Antibakteriale” Rrëfim nga Prof. Tritan Kalo

Në Rrëfimtare – Prof. Tritan Kalo

Zbardhi Rrëfimin – Elona Caslli

Është e shtunë. Një e shtunë e hirtë që përgjum gjithçka. Përshkoj rrugën e liceut artistik . Duhet të shkoj tek Taivani. Kam lënë një takim me Prof. Tritan Kalon. Teksa ndjek me sy semaforin që dikton lëvizjen time më vjen ndërmend një poezi e Jamarbër Markos – Sot është e shtunë ; mundohem ta gërrmoj kujtesën dhe mbi sipërfaqe nxjerr ca vargje…

Sot është e shtunë
Për të vetmen thjeshtësi dhe mendim
Për të vetmen kënaqësi dhe trishtim
Për të bërë një hap
Në botën e vogël të njerëzve.

Dhe ndërgjegjësohem se ky takim me Prof. Kalon nuk është as më pak e as më shumë veçse një hap në botën e njerëzve.

Arrij tek Taivani. Kontrolloj me sy sipërfaqen e barit. Nuk e shoh Prof. Kalon. Kam çadrën në dorë. Nuk përpiqem të kërkoj me sy vendin ku lihet çadra pasi e di se ai send në formën e një kove të ngushtë është i tejmbushur në ditët me shi dhe duhet ta ngjeshësh fort çadrën për ta bërë pjesëtare të grupit , ndaj vendos ta lë poshtë tavolinës.

Kamarieri vjen. Me pyet se çfarë do të pi. I them se dua një çaj. Më pyet se çfarë lloji e dua çajin. I përgjigjem thatë- Siç e pi ti, ma sill dhe mua-.

Habia i lexohet për një çast në shikim. Ma sjell çajin dhe përligj shijen e tij duke më thënë- Ta solla me fruta pylli-.

Tund kokën në shenjë miratimi. Shoh orën. Është 10.08. Përtej xhamit shoh Prof.Kalon që po vjen. Ai bën të njëjtën gjë. Nuk e kërkon vendin e çadrave. E vendos poshtë tavolinës.
Kërkon ndjesë për vonesën

– Rrallë herë arrij të jem i përpiktë në takime. Rrugës më ndalojnë gjithmonë njerëz që u nevojitet një këshillë…

Doktor, gruaja ime ka këtë dhimbje…. Doktor im atë ka bërë këto analiza…..

Dhe teksa e dëgjoj them me vete… Kjo gjë rrallë herë, për të mos thënë asnjëherë, nuk mund t’i ndodhë të tjerëve, me një tjetër profesion.

Dhe imagjinata ime i kapërcen kufinjtë; imagjinoj sikur dikush më ndalon dhe më pyet

– Kujt zgjedhimi i përket kjo folje…..?

Kemi folur ditë më parë me Prof. Kalon për Qasjen e Rrëfimtarit , një rubrikë tek e cila do të rrëfehet një histori e vërtetë, një histori nga ato që të kujtohen mbrëmjeve vonë, një histori tek e cila pulson jeta…….

Prof. Kalo fillon të rrëfehet, të rrëfejë, të kujtohet dhe të kujtojë.

Ishte mëngjes nëntori dhe bënte ftohtë dhe e mbaj mend sepse ishte një i ftohtë i hidhur. Me të mbërritur më thonë se një natë më parë mjeku i rojes kishte transferuar një të sëmurë nga Shërbimi i Neuro-Kirurgjisë në pamundësi të një ndërhyrjeje kirugjikale nga ana e tyre.

Futem në dhomën e pacientit. O Zot! Ishte një djalë rreth 20 vjeç. I gjatë si një lis. Këmbët e tij dilnin jashtë krevatit. Lëkura e mermertë dhe flokët e dendur dhe ata sy aq të plotë…

Pranë tij qëndronte një grua e veshur me të zeza . Me sy të shkretuar më thotë..

“ Jam e ëma doktor, jam e ëma. Im bir shkoi në Mal të Zi Doktor, shkoi atje për të ruajtur dhentë. Fiton më shumë lekë atje doktor se në Malësi tek ne. Prandaj shkoi doktor, prandaj.

Dhëmballa doktor, dhëmballa. Dhëmballa e ka fajin. I thashë Doktor, i thashë mjekoje … S’ka gjë më tha se nuk më dhemb shumë…

I thashë Doktor I thashë … i thashë se i kishim aq lekë sa për dhëmballën por nuk më dëgjoi Doktor nuk më dëgjoi…. E kam më të voglin doktor .. e kam djalin më të vogël doktor nuk mund ta humbas.. Më vdiq burri para tre muajsh doktor… Nuk mund ta humbas….

Kaq mundi të fliste ajo grua… Pjesën tjetër e rrëfeu me lot. Dhe teksa ajo rrëfej përmes lotëve unë mendoja këtë djalosh të bukur duke ruajtur dhentë në Mal të Zi. E mendova teksa dhimbja e dhëmballës i kishte filluar. Teksa i kishte thënë vetes – S’ka gjë- do të pushojë…,. teksa krej i vetëm mes dhenve ka ndjerë dhimbje në nofull, ka patur ftohtë, ethet ia kanë marrë frymën dhe ka vendosur të kthehet tek streha e nënës me shpresën se ajo një zgjidhje do ta kish..

E mendoja tmerrin që ka ndjerë ky lis i gjatë e i bukur kur nuk ka mundur të lëvizë gjymtyrët.

E mendoja kokën e tij të bukur të mbushur plot me qelb…...

Shoh kartelën e tij. Është gjithçka siç e pata parashikuar. Është e pranishme një Empiemë Subdurale dhe një Abcesi intracerebral imminent në hemisferën e djathtë të trurit, me shtrirje të tillë që e bën shumë të rrezikshme dhe pothuasje të pamundur ndërhyrjen kirurgjikale tek ky i sëmurë. Shkalla e vdekshmërisë në këto raste arrin mbi 45-60% të rasteve dhe ndaj Shërbimi i Neuro-Kirugjisë e transferoi në Shërbimin e e Sëmundjeve Infektive.

– Doktor, doktor çfarë do bëhet me djalin tim doktor… A do shpëtojë djali im doktor…?

Zoti para dhe ne prapa tij! – i përgjigjem….

Kisha nevojë për ndihmën e të Plotfuqishmit për ta shpëtuar Lisin e Malësisë prej vdekjes.

Lëkura e tij e qelqtë duhet të jetonte….duhet të jetonte….

Largohem nga dhoma e të sëmurit. Dal jashtë për të thithur ajër… Filloj të mendoj

Më duhet të paracaktoj vatrën paratrunore nga mundet të jetë përhapur infeksioni dhe më pas duke njohur teorikisht shkaktarët e mundshëm të tyre, të përpiqem ti “fus  ato në një thes” dhe t’i asfiksoj, t’i mund, me anët të një antibioterapie probabiltiste sa më efikase.

Përshkrova menjëherë mjekimin e rastit me një me një kombinim antibiotikësh, antiedematozësh dhe antiiflamatorësh. Risolla ndërmend të gjitha rastet e ngjashme nga përvoja në Shqipëri dhe në Francë dhe gjithçka kisha lexuar lidhur me këto raste.

Mjekimi vazhdoi për 85 ditë. Fizioterapeutistët punonin fort me tonusin muskular të pacientit në gjysmën e paralizuar të trupit dhe infermierët qëndronin gjithmonë pranë tij.

Kaluan orë, kaluan ditë, kaluan netë, kaluan muaj derisa një ditë Lisi 1.90 metër i gjatë u ngrit në këmbë.. Impulsi i jetës e sfidoi vdekjen… Dhe i kënaqesha teksa e shihja ashtu të gjatë, të bardhë , të qelqtë , të qeshur në korridoret e pavionit…

Kam ndjekur qindra të sëmurë gjatë punës sime si mjek por nuk mund ta harroj kurrë përqafimin e mamës së atij djali kur doli nga spitali.Ishte një përqafim që kullonte mirënjohje dhe dashuri….

– Ma shpëtove djalin Doktor… Ma shpëtove…. M’i dhe jetën djalit doktor .. m’i dhe jetën

Një ditë prej ditësh në telefonin tim vjen një mesazh ku shkruhet….

– Jam në Itali Doktor. Punoj në ndërtim. Jam mirë. Jam martuar Doktor. Jam bërë me vajzë.
Faleminderit Doktor. Prejt teje kam jeten.

Shoh foton. Vajza është e bukur si i ati. Të përbashkët sytë, e përbashkët lëkura prej qelqi, e përbashkët dhe ajo e qeshur që mirëpret të nesërmen….

 

Share: