Home KRYESORE Përtej vështrimit… Nga Thomaidha Tanuçi Cullufe

Përtej vështrimit… Nga Thomaidha Tanuçi Cullufe

Ajo ditë dhjetori po trokiste aq mrekullisht. Kishte ditë që zgjoheshe me një ndjenjë të përzierë dimërore dhe pranverore bashkë e kur shkelje mbi gjethet e zverdhura të cilat edhe pse dimër nuk e kishin përfunduar rrugëtimin e tyre drejt transformimit, te kujtohej ndjesia e vjeshtës e kur ngrije sytë nga qielli, si një falënderim për lumturinë që të falnin të gjitha ngjyrat e stinëve në një çast të një stine të vetme, shihje qiellin e pa re dhe si pa dashur dëgjoje këngën e gjinkallës së verës.

Të gjitha të shkrira në një. Në një ishte shkrirë gjithë mrekullia e botës brenda saj, një mrekulli të cilës kishte frikë t’i jepte formë dhe emër tek ecte me hapa të sigurta drejt Hotel Tiranes, por me zemrën që I trokiste si zog nga e papritura që e priste…

Trafiku si gjithnjë ishte i rënduar. Ndaloi tek vijat e bardha…Makinat vazhdonin të ecnin me shpejtësi dhe ajo nuk e hidhte hapin për t’ju thënë atyre se donte të kalonte rrugën… Humbi për një çast në një botë të panjohur me labirinthe. Në pritje, u bë një turmë e madhe njerëzish që guxuan të futeshin tek ato vija, e turma e mori me vete për të vazhduar hapat që para pak ishin të sigurta, e për një çast çuditërisht hezituan…

Oh, çaste drithëruese…

U afrua me kokën ulur, sikur sytë i kishte mbyllur, për të shuar nga faqja e dheut çdo figurë njerëzore, çdo ndërtesë pa pritur do të zhdukej e çuditërisht do të mbeteshin vetëm ata e ajo të mos hulumtonte mes figurash të panjohura për të gjetur formësimin e shpirtit te saj.

…Po ishte aty… Ai kishte kohë që e shihte… dhe po i buzëqeshte, sikur dje ishin ndarë nga një çast i bukur buzëmbrëmjes në një nga lokalet e zhurmshme të Tiranës…

I zgjatën dorën njëri – tjetrit duke u vështruar në sy, për të vërtetuar ato tipare të fytyrës të skalitura në memorie dhe në shpirt, pastaj u përqafuan thjesht dhe ngrohte , si dy shokë të vjetër. Ajo nuk mundi të thoshte asnjë fjalë.

-Ikim, – tha Ai, – duke i vendosur dorën në sup dhe duke e drejtuar drejt hyrjes së hotelit. Edhe pse jashtë ishte ngrohtë, aty të krijohej ndjesia e një ngrohtësie më të madhe, sikur dikush të vishte një pallto për t’u ndjerë më ngrohtë brenda ngrohtësisë.

Holli ishte I zhurmshëm…Si gjithnjë njërës që bisedonin me zë të lartë pa dashur t’ia dinin nëse biseda e tyre dëgjohej apo bezdiste tjetër njeri. Si duket ishin pjesëmarrës të ndonjë workshop-i apo diçka tjetër, pasi disa vajza të bukura ishin caktuar enkas për të të drejtuar në meeting room-in përkatës.

U drejtuan drejt ashensorit. Fatmirësisht nuk hipi asnjë-njeri tjetër. Nuk po flisnin asnjë fjalë. Ndoshta të dy po mendonin ;a duhet të ishin tek ky ashensor apo diku aty, ku pihej kafe apo çaj, të fillonin nga bisedat e tyre, t’i dëgjonin zërin njëri-tjetrit, të shihnin sa bukur artikuloheshin fjalët e të futeshin në botën e pafundme të shpirtit të tyre, aty ku idealizohet gjithçka, si në një xhungël përrallore…

Ndalimi i ashensorit i përmendi; përsëri ai i hodhi dorën tek supi dhe e drejtoi për tek dhoma e tij. Ajo e mbante kokën ulur dhe zemra vazhdonte t’i rrihte si zog, por mendimet vdiqën në cast. Bota përsëri u shua…Mbetën përsëri ata të dy që po ecnin drejt një bote të panjohur, por shumë herë të imagjinuar, jetuar e përjetuar…

Pa se dhe tek dora e tij ndihej një tension I kontrolluar, kur hapi derën. Hynë brenda. Dhoma ishte errësuar. Grilat ishin ulur.Disa qirinj aromatikë bënin dritë, por ajo e turbulluar nuk mund të shijonte asnjë gjë nga romantizmi që të falte atmosfera. U afrua tek tavolina ku binte në sy një shishe verë dhe dy gota, por fatmirësisht kishte edhe ujë. Me dorën që I dridhj, hodhi pak në gotë dhe lagu gojën dhe fytin që tashmë po përjetonin stinën e thatësirës.

… Ndërkohë u dëgjua një tingull, pastaj një sërë tingujsh, një melodi, një këngë…

Ishte kënga e tyre…Instiktivisht u afruan dhe filluan të kërcenin në rritmin e saj të ngadaltë. Pa mbaruar ende kënga, ai e përfshiu në krahët e tij, e futi brenda në kraharor, po e shtrëngonte me një mënyrë që ende pa e pasur të tijën, ai i thoshte mos më ik kurrë, kurrë…

Ajo u përpëlit e brishtë brenda tij, e kokën vazhdonte ta mbante ulur pa guxuar ta shihte në sy ,për aq sa e lejonte ndriçimi i dhomës. Ia ngriti kokën dhe po e vështronte dhembshurisht dhe pastaj dashurisht.

Shpirtrat e bashkuar filluan të rrihnin me të njëjtin rritëm dhe të ëndërronin, jetonin, përjetonin njëlloj. Atë çast bota përsëri u shemb dhe prapë ata mbetën vetëm dy, tretur në puthjet e tyre të zjarrta, ngjizur nga malli, harmonizuar nga format e tyre trupore, shkrirë, në frymëmarrjen e njëkohshme, tretur në ndjenjat e tyre, në këtë çast për këtë botë, që ata kishin lindur për ta jetuar së bashku…

Stuhia e tyre mbaroi… Tashmë ajo guxoi ta shihte në sy. I prekte vetullat me dorën e saj, sytë, buzët,mjekrën sikur donte t’ia vizatonte, a skaliste në shpirt a në mendje. Rrinin në heshtje. Ajo vizatonte dhe ai kundronte mrekullinë e pafajshme, flokët e gjatë si ujëvarë që i binin mbi supet e rrumbullakët e të brishtët, sytë kaf të butë si të një dreri, a sorkadheje që ka marrë veten pasi i shpëtoi rrezikut…

Ai e rroku përsëri në krahët e tij duke dëgjuar trokitjet e zemrës.Tashmë ishte vetëm një.Tani filluan të vizatonin gjithçka brenda brendisë së tyre, për të mos e harruar kurrë.

E mori sërish në krahët e tij, e ngriti lart, e rrotulloi disa herë në ajër dhe pasi dëgjoi lutjen e saj ndaloi…

U mbështollën të dy me një batanije dhe u afruan tek dritarja…

Ata po shihnin përtej pamjes së dukshme…ai filloi të fliste për qytetin e lindjes me ajër të pastër, e me malet që i rrinin si kurorë, me njerëz të ngrohtë punëtorë dhe mikpritës. Shëtitën të dy në parkun e mrekullueshëm, ku i falnin puthje njëri – tjetrit mes ngjyrash e ndërrimesh stinësh…

E pastaj e veshi me fustanin e bukur blu, që ia kishte sjellë e blerë në ëndërrimet pafund…ajo ngjante si flutur, si flutur blu, por që pas pak do të ngrihej e do të fluturonte përsëri…

Ajo do të arratisej e do të tretej në errësirën që tashmë kishte mbuluar qytetin e ndërtesat e larta do ta ndiqnin si fantazma, por që nuk do ta trembnin përderisa shpirtin e saj kishte mijëra qiej madhështore qe sundonin çdo hije lartësish.

E duke ikur aty do të mbetej e pahapur shishja e verës me dy gotat bosh si një simbol i pritjes e ai e dinte se do të vazhdonte t’i rithoshte fjalet që i lindën duke parë vështrimin e saj tretur…

Share: