Partia Demokratike nuk ka ende një vendimmarrje për mënyrën se si do të zhvillohet aksioni opozitarë në sesionin e ri parlamentar, duke e lënë zgjidhjen në dorë të forumeve drejtuese.
Nënkryetari i kësaj force politike Edi Paloka tha se parlamenti e ka humbur legjitimitetin dhe marrëdhëniet me të nuk mund të jenë normale, ndaj opsion të hapur la bojkotin por dhe djegien e mandateve.
Sipas tij, opsionet janë duke filluar nga djegia e mandateve, qëndrimi në sallën e Parlamentit, por një qëndrim që praktikisht nuk do të lejonte zhvillimin e seancave normale në një Parlament që ka humbur legjitimitetin, si dhe një variant që është përdorur disa herë nga opozita, por që ka pasur raste që ka rezultuar i suksesshëm që është bojkoti.
Paloka tha se ekziston një përpjekje për t’i faturuar opozitës bllokimin e reformës në drejtësi, por është kryeministri Rama, ai që shkatërroi reformën.
“Është Edi Rama i cili i ka vënë shkelmin gjitha reformave në Shqipëri. Ajo proteste ishte dhe mbrojtje e reformës në drejtësi”,-tha ai.
Numri dy i PD-së, nuk komentoi qëndrimet e ambasadorëve Lu dhe Vlahutin për protestën, por garantoi se Partia Demokratike ka marrëdhënie në nivele të larta me ndërkombëtarët, ndërsa paralajmëroi rezultate konkrete.
Gjithashtu, Paloka u ndal në procedimin penal që i është bërë nga Policia e Shtetit për shkak të protestës të disa ditëve më parë.
“Janë ata drejtues policie që kanë dalë me emra nga përgjimet e antimafies italiane si njerëz që kanë drejtuar fushatën e trafikut të drogës në Shqipërisë”, –deklaroi ai.
Sipas tij, qytetarët duhet të marrin në dorë fatin e tyre, pasi kryeministri Edi Rama nuk njeh ligje dhe Kushtetutë.