Qytetarët do t’u bashkohen deputetëve në Parlament. Duket se ky mund të jetë një nga skenarët e pritshëm të opozitës në seancën e sotme, sikurse ka bërë me dije gjatë raportimit për News 24, gazetarja Elda Menga.
“Burime konfidenciale thanë se do të jenë qytetarët që do t’i bashkohen deputetëve në parlament. Ndryshe nga rastet e tjera, kur kanë qenë deputetët që kanë dalë jashtë kuvendit, për t’iu bashkuar qytetarëve, sot do të ndodhë e kundërta” u shpreh gazetarja.
Mëngjesin e sotëm, kreu i demokratëve Lulzim Basha është të hyjë në selinë e partisë rreth orës 8:40 të mëngjesit, nga ku pritet të dalë pas pak minutash për të nisur protestën që opozita ka paralajmëruar, brenda dhe jashtë kuvendit.
Qytetarë të ardhur edhe nga rrethe të ndryshme të vendit pritet të bëhen pjesë e protestës, ndërkohë që deputetët do të jenë brenda në sallë për të penguar procesin e votimit të Kryeprokurorit nga ana e mazhorancës.
Burime pranë opozitës kanë thënë për Panorama se, deputetët e Partisë Demokratike do të bllokojnë foltoren e Kuvendit nëse maxhoranca nuk do të tërhiqet nga vendimi i saj për të zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm.
Gjithashtu deputetët e PD-së nuk do të lejojnë zhvillimin e një seance normale, për aq kohë sa është menduar nga maxhoranca, që në fund të seancës të shkelet Kushtetuta duke u emëruar një Kryeprokuror vetëm me votat e saj.
Ndërkohë, qytetarët në mbështetje të opozitës vijnë sot nga Fieri, Vlora, Korça, Lezha dhe rrethe të tjera të vendit, ndërkohë që sipas “News 24” Dibra raportohet të jetë qyteti nga i cili janë nisur më shumë protestues, rreth 1500, ndërsa nga Shkodra mendohet se janë nisur 1000 protestues./opinion.al