Një projektrezolutë e parashtuar në Komisionin e Jashtëm në Kongresin amerikan, shpreh fuqishëm mosmiratimin e rezolutës së miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, për të mosnjohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.
Disa kongresmenë amerikanë, përmes draftit të depozituar rreth një javë më parë, mbështesin dekretin e datës 6 dhjetor të Presidentit Donald Trump, që njeh Jeruzalemin si kryeqytetin e izraelit dhe kalimin e ambasadës së SHBA-së nga tel Avivi ku ndodhet sot, drejt kryeqendrës së re.
Përmes pr/rezolutës i bëhet thirrje Presidentit Trump që të udhëzojë Sekretarin e Shtetit që të paraqesë në Kongres një raport mbi statusin e ndihmës ndaj vendeve që votuan pro rezolutës në OKB.
Rezoluta e paraqitur nga Turqia u kundërshtua nga 9 vende, mes të cilave edhe SHBA dhe Izraeli, ndërsa 35 vende, mes të cilave 6 të BE-së, abstenuan.
Shqipëria u rreshtua mes 128 vendeve që mbështetën rezolutën që kundërshtonte qëndrimin amerikan për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, ndërkohë që një qëndrim të tillë mbajti edhe Kina, Rusia, Serbia.