Home KRYESORE PS zgjedh sot me 74 vota Prokurorin e ri? ja dy kandidatët...

PS zgjedh sot me 74 vota Prokurorin e ri? ja dy kandidatët favoritë

Maxhoranca pritet të votojë sot në Parlament, Prokurorin e ri të Përgjithshëm të Përkohshëm, i cili do të zëvendësojë Adriatik Llallën, deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, shkruan “Panorama”.

Seanca plenare është njoftuar të zhvillohet sot në orën 10:00, ndërkohë që opozita do t’i paraprijë kësaj seance, duke nisur protestat jashtë sallës së Kuvendit në orën 9:30. Burime pranë Partisë Socialiste bënë të ditur se dy kandidatët favoritë për të qenë pjesë e garës, janë prokurorët; Arta Marku, zv.drejtuese e Prokurorisë së Rrethit Shkodër dhe Ferdinand Elezi, drejtues i Prokurorisë së Durrësit.

Ndërkohë që kandidatja e tretë është Ermira Tafani, prokurore në Elbasan. Mësohet se Partia Socialiste ka mbledhur firmat për të mbështetur në votim dy prej kandidatëve, pasi secili prej tyre, që të bëhet pjesë zyrtarisht e votimit, duhet të mbështetet nga 28 firma deputetësh.

Sipas axhendës së Kuvendit, të miratuar nga Gramoz Ruçi, është vendosur që projektvendimi “Për caktimin e Prokurorit që do të ushtrojë përkohësisht funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm”, të jetë pika e pestë e rendit të ditës. Gjithashtu, në këtë vendim, është referuar dhe se zgjedhja e Kryeprokurorit të ri do të bëhet me shumicë të thjeshtë votash, që do të thotë edhe me 36 vota.

“Bazuar në Rregullore, neni 111, ligji nr. 97/ 2016, neni 109, votim me shumicë të thjeshtë”, thuhet në axhendën e Kuvendit. Ndërkohë që PS në këtë maxhorancë pritet të rrëzojë dhe dekretin e Presidentit Meta, i cili riktheu në Parlament “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”./360grade.al

Share: