Nga Entela Kasi*
Qendra PEN e Shqipërisë, qendër e PEN International në Tiranë zhvilloi në Bibliotekën e Librit Akademik, ceremoninë e Çmimeve PEN Albania për letërsinë, përkthimin dhe studimet Albanologjike.
PEN International, Organizata ndërkombëtare e shkrimtarëve , me seli në Londër e themeluar në vitin 1921 nga autoritetet e letërsisë botërore ushtron veprimtarinë e saj bazuar në parimet dhe Kartën e PEN International. Kjo organizatë e cila promovon letërsinë dhe garanton të drejtën e lirisë së shprehjes ka status bashkëpunimi dhe konsultativ me OKB, UNESCO, Amnesty International, dhe të tjera organizata ndërkombëtare për kulturën.
Aktiviteti i përvitshëm I Qendrës PEN të Shqipërisë është pikërisht edhe ceremonia e Çmimeve PEN Albania për letërsinë. Laureatët e PEN Albania 2017 u shpallën : Ylljet Aliçka : Shkrimtari shqiptar i vitit 2017, Ilirian Zhupa – Poeti shqiptar i vitit 2017, Romeo Çollaku – përkthyes i vitit 2017. Prof. Dr. Fatmir Sulejmani nga Universiteti Shtetëror i Tetovës u shpall laureat i çmimit PEN Albania 2017, në fushën e studimeve Albanologjike.
Qendra PEN e Shqipërisë si çdo vit shpalli autorin e ri të vitit 2017, poetin dhe eseistin Akri Çipa, I cili është aktualisht me studime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
PEN Albania gjithashtu ndau titujt honorifike për kontribute të çmuara në kulturën kombëtare dhe promovimin e urave kulturore pavarësisht kufijve etnikë, politikë, dhe gjuhësorë.
Me titullin e lartë të Mirënjohjes për kontribute të çmuara në kulturën kombëtare u vlerësua Z. Zef Mark Zeka, studiues, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për shpëtimin e Kambanës së Kishës së Pogut, e cila sot ndodhet në Muzeun Dioqezan të Shkodrës. Mirënjohja u takon atyre burrave të malësisë së Dukagjinit të cilët mundën ta shpëtojnë këtë dëshmi autentike të kulturës së Shqipërisë mesjetare nga shkatërrimi – u shpreh studiuesi Zef Mark Zeka gjatë ceremonisë së PEN Albania.
Me titullin e lartë të Mirenjohjes për kontribute të çmuara në kulturën kombëtare dhe promovimin e gjuhës shqipe në hapësirat mbarëshqiptare dhe diasporë u vlerësua Z. Ali Daci, intelektual, krijues, veprimtar politik dhe aktualisht kryetar i Lidhjes Demokratike në Malin e Zi. Z. Ali Daci u shpreh se ky është vlerësimi më i lartë që i bëhet nga Shqipëria, vendi me të cilin e lidh identiteti nacional.
Titullin e mirënjohjes për promovimin e urave të kulturës në botë përmes letërsisë Qendra PEN e Shqipërisë ia akordoi shkrimtarit Safet Vrbički Hadrović, dhe po ashtu u promovua vepra e tij letrare ‘ Viktima’ për të cilën referuan Dr. Sadik Bejko, si dhe Smajl Smaka përkthyes i autorit në gjuhën shqipe. Shkrimtari Safet Vrbički Hadrović në fjalën e tij të rastit theksoi rëndësinë e komunikimit përmes letërsisë. Ai u shpreh se ky do të mbetet në kujtesën e shkrimtarit si një prej ditëve më të rëndësishme.
Qëllimi i PEN është promovimi i letërsisë dhe garantimi i të drejtave gjuhësore por edhe i lirisë së shprehjes. Letërsia është atdheu universal i njerëzimit, është përmasë dhe dimension lirie , u shpreh presidentja e Qendrës PEN Albania znj. Entela Kasi.
Në këtë ceremoni u anëtarësuan edhe autorët e rinj, e po ashtu u zgjerua bordi i Qendrës PEN.
Aktivitetin e përshëndeti deputetja e Kuvendit të Shqipërisë Znj. Kejdi Mehmetaj e cila theksoi rëndësinë e investimeve për kulturën. Shkrimtarja Flutura Açka, drejtuese e komitetit të shkrimtareve femra në PEN Albania, theksoi faktin se kultura dhe letërsia kanë nevojë për mbështetjen e institucioneve të shtetit.
Ceremoninë e çmimeve PEN Albania e drejtuan Dr. Sadik Bejko, I cili bëri një paraqitje të aktiviteteve të PEN në Shqipëri dhe botë, Çerçiz Loloci, Kryetar I Bordit të PEN Albania, i cili theksoi motivacionet për laureatët, dhe Z. Dorian Koçi, Drejtore I Muzeut Historik Kombëtar, njëkohësisht anëtar i Bordit Drejtues të Qendrës PEN të Shqipërisë.
Këtë aktivitet e përshëndeti z. Flamur Shala, Dekani i Fakultetit Filologjik, të Universitetit Shtetëror ‘ Ukshin Hoti’ , Prizren.
Laureatët e Çmimeve PEN Albania 2017 për letërsinë falenderuan PEN Albania, për vleresimin ndaj veprës letrare dhe theksuan rëndësinë dhe rolin e PEN Qendrës së Shqipërisë dhe PEN International për ndërtimin e urave të komunikimit dhe dialogut brenda vendit dhe promovimin e letërsisë shqipe në arenën ndërkombëtare.
Shkrimtari Ismail Kadare është President Nderi i Qendrës PEN të Shqipërisë. PEN International në arenën ndërkombëtare aktualisht drejtohet nga autoritetet e letërsisë botërore midis të cilëve janë shkrimtarët e Çmimit prestigjioz Nobel në fushën e letërsisë dhe Çmimit Nobel për Paqe.
*Entela Kasi, Presidente e Qendrës PEN të Shqipërisë Tiranë