Partia Socialiste është tërhequr nga kërkesa për shkarkimin e kryetarit të KQZ, Klement Zguri. Kryeministri Edi Rama ka kërkuar mbrëmjen e djeshme në Kuvend heqjen nga kalendari të shkarkimit të Zgurit dhe nisjen e dialogut me opozitën.
“Marrëveshja e 17 majit krijoi atë konfiguracion në KQZ, është marrëveshja që e vuri Zgurin kryetar dhe nëse marrëveshja ka vdekur, Zguri është dëshmor i parë i vetë marrëveshjes. Por e përsëris këtu. Ajo që unë thash që ishte mospërdorimi i shumicës për t’i dhënë fund këtij debati sikur e bëtë ju kur ishin në shumicë me KQZ.
Ju mund të qëndroni në pozicionin tuaj, ne në tonin. Propozimi im ishte që të mos futet në kalendarin e Kuvendit. Nuk kemi se çfarë diskutojmë më, nuk është sot për të debatuar” deklaroi Rama. Basha vlerësoi si të drejtë heqjen nga kalendari të çështjes së shkarkimit të kryetarit të KQZ, ndërsa shtoi se asnjë marrëveshje nuk mund t’i mbivendoset ligjit.
“Duhet hequr nga kalendari dhe nga programi. Asnjë marrëveshje nuk mund t’i mbivendoset ligjit. Heqja nga kalendari sot është vendimi i duhur. Jam dakord, të mos e vazhdojmë këtë debat dhe të zbresim në terren” deklaroi Basha.
I pyetur nga kreu i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla nëse vazhdon apo jo marrëveshja e 17 majit, Basha është përgjigjur se ajo marrëveshje ka vdekur, pasi kusht kryesor ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme./360grade.al