Diktatorë ranë dhe shumë të tjerë do të bien. Askush s’mund të ndalë një popull të mbajtur nën zgjedhen e diktaturës me vite me rradhë. Një popull të cilit i është mohuar e drejta më e rëndësishme e çdo qenie njerëzore, e drejta e të shprehurit të lirë të mendimeve, do të ngrejë gjithmonë krye.
Kjo mund të na kujtojë ne shqiptarëve një fragment të historisë tonë të kaluar, kohën kur krijohej njeriu i ri i socializmit, njeriu i shndërruar në robot që ishte vetëm një numër më shumë i popullsisë shqiptare. Dhe neve, për mëse 45 vjet na i mohuan të drejtat tona themelore.
Shikoni këta njerëz, këta diktatorë që një ditë u zgjuan me idenë se mund të zinin vendin e Zotit në mendjet dhe zemrat e popujve.Ata krijuan kultin e individit, njeriut që ndriçonte me “zemergjerësine”e tij jetën e njerëzve.Diktatori ishte burimi i lumturisë dhe mireqënies së popujve. Por faqja tjetër e monedhës ishte krejt ndryshe.
Diktatori ishte qenia më egoiste që vinte interesat e tij mbi interesat e të tjerëve.Ishte ai që s’pranonte rivalitetin dhe kritikën, ishte ai që zhdukte pa mëshirë çdo disident ose mendim disident.Vetëm ata që kanë jetuar nën një diktaturë mund të jenë të aftë të kuptojnë revoltën dhe zemërimin e popujve ndaj diktatorëve. Rënia e monumentit të Sadam Huseinit në 2003, i ka kujtuar çdo shqiptari një ngjarje të ndodhur në shkurt të vitit 1991…
Diktatorët pasi hapën kutinë e Pandorës me gjithë të këqiat e saj kundër popujve të tyre, lanë shpresën të fshehur thellë në zemrat e njerëzve për një të ardhme të lirë dhe të bukur në një vend demokratik.Një ditë këta popuj u zgjuan nga gjumi letargjik dhe u ngritën kundër diktatorëve.Zoti që është Krijuesi ynë na fali vullnetin e lirë që të vendosim vetë për fatet tona dhe jo të bëhemi skllevër të diktatorëve zemërngushtë, të cilët kanë një mendje që i punon së prapthi vetëm për të keqen. Kështu që morali, që mund të nxjerrim nga këto “fabula famëkeqe” të historisë, është se njerëzit kanë lindur të lirë dhe duhet të vdesin të lirë. Nëse një ditë dikush do t’i lidhë me zinxhirë, ata do të ngrihen kundër këtij individi dhe do të shkatërrojne këtë idhull.
“Mos adhuro asnjë Zot përveç Zotit tënd…” Ja kuptimi i vërtetë që nxjerrim nga historia e shembjes së idhujve të diktatorëve…