Spanja është tërhequr nga urdhër-arrestet ndërkombëtare të shpallura për ish-presidentin katalanas, Carles Puigdemont dhe katër ish-ministra të tij.
Vendimi është marrë nga një gjykatë vendase. Por, kjo nuk përjashton mundësinë që si Puigdemont ashtu edhe katër ish-anëtarët e kabinetit qeveritar rajonal të Katalonjës të përballen me akuzat për shkëputje dhe rebelim ndaj shtetit.
Të hënën, gjashtë ministra të ndaluar u liruan me kusht, ndërkohë që dy të tjerë dhe ish-zv.presidenti katalanas mbeten në burg.
Puigdemont ishte udhëheqësi i lëvizjes për shkëputjen nga Spanja, por referendumi i mbajtur më 1 tetor u kundërshtua nga Madridi si antikushtetues. Situata u përshkallëzua deri në momentin kur qeveria qendrore e Rajoy aktivizoi nenin e Kushtetutës, që i hapi rrugë marrjes së kompetencave të qeverisë rajonale katalanase dhe organizimit të zgjedhjeve të reja në rajon.