Botuar në Le Parisien
Përktheu Dr. Diana Skrapari
Terroristët e dyshuar synonin katedralen Notre-Dame-de-Kazan dhe vende të tjera “shumë të frekuentuara” në Shën Petersburg. Presidenti rus Vladimir Putin ka falënderuar në telefon homologun e tij amerikan Donald Trump për “informacionin e dhënë nga ana e CIA-s” në Rusi që ndihmoi të nxjerr në pah një sulm të planifikuar në qytetin e dytë të vendit, tha të dielën Kremlini. Ky informacion lejoi “të zbulonin dhe të kapnin një grup terrorist që po përgatiste sulme në qytetin e dytë të Rusisë”, sipas Kremlinit.
Shtatë persona u arrestuan në Shën Petersburg
Të premten, shërbimet e inteligjencës ruse (FSB) njoftuan se kishin shkatërruar një qelizë të grupit xhihadist të Shtetit Islamik (Isis) që ishte duke u përgatitur për të kryer sulme më 16 dhjetor në Shën Petersburg. Shtatë persona u arrestuan të mërkurën dhe të enjten. Sipas FSB, që specifikonte se kishin kapur “një numër të madh eksplozivësh […], automatikë dhe municione”, ky grup planifikonte një “atentat vetëvrasës”, si dhe “vrasje dhe shpërthime në vende të mbushur me njerëz” .
Presidenti rus falenderoi CIA-n
Në telefon, Vladimir Putin i kërkoi Donald Trump-it “të përcillte mirënjohjen e tij drejtorit të CIA-s dhe stafit operativ të shërbimeve sekrete amerikane”. Presidenti rus shtoi se “shërbimet sekrete ruse, nëse marrin informacion mbi rreziqet terroriste në lidhje me Shtetet e Bashkuara dhe qytetarët e tyre, menjëherë do t’i transmetojnë ato tek kolegët e tyre amerikanë”.
Rusia u godit nga disa shpërthime këtë vit, duke përfshirë një në prill në metro të Shën Petersburgut që vrau 14 vetë. Inteligjenca ruse është e shqetësuar për kthimin e xhihadistëve që luftuan në Siri, ku Isis ka humbur pozitat e tij falë mbështetjes ushtarake të Rusisë për regjimin e Damaskut.