E shohim të hënave në karrigen e jurisë së spektaklit “Dance with me”. Si Missi i parë që ka sfiluar me bikini në skenën e Tiranës së ’90 ka eksperiencën e duhur për të gjykuar një performancë skenike. Për këtë arsye, Valbona Selimllari vazhdon të jetë e preferuara e kopertinave kur rrëfen jo vetëm sekretet e bukurisë, por edhe të nënës me shumë fëmijë.
Në një intervistë për revistën “Who” nga Eraldo Rexho, shoqëruar me foto të fotografit të saj të preferuar, Egest Xhoga, Valbona ka folur për jetën e saj jashtë ekranit si nënë e dedikuar e tre fëmijëve. “Shpesh momenti të sjell gjëra më të bukura sesa ato që ti i planifikon për një kohë të gjatë. Mua më duhet t’i organizoj për hir të fëmijëve, e për të njëjtën arsye nuk i dua destinacionet e largëta.
Jam bërë edhe frikacake që kur jam bërë nënë”, thotë ajo duke treguar se nuk i ka menduar kurrë Maldivet e as Arubën. Për të, qetësia janë tri buzëqeshje, në çdo breg qoftë, në çdo strehë qoftë. Mes shumë angazhimeve, prej muajsh ajo punon në Bashkinë e Tiranës si këshilltare për çështjet sociale.
“Pse duket i çuditshëm angazhimi im në Bashki për çështjet sociale?! Unë jam në ndihmë të njerëzve aty. Kjo është një gjë që më ka tërhequr, më ka pëlqyer ta bëj gjithnjë. Fakti që je në bashki do të thotë se ke mbështetje, pasi e vetme, sado të mundohesh, nuk ia del”.
Në këtë intervistë, ajo ka treguar se dikur ka dashur të marrë në shtëpi fëmijët e rrugës. Tani, që ka të vetët, thotë se po të kishte mundësi sërish do të birësonte. “Nëse nuk do të kisha pasur fëmijë, e sigurt që do të kisha birësuar. Ka skena e ngjarje që më kanë mbetur vragë në mendje.
Ende qaj kur i kujtoj, nuk kam mundur ta mbledh veten. Është shumë e vështirë”. Po cilat janë ambiciet e saj sa i takon botës së televizionit, ku ajo shfaqet me sezone? “Unë jam njeri pa ambicie dhe protagonizmin e kam minimal. Plus që e përditshmja, sa do të rrish brenda në skenë, nuk e shmang dot”.
Kur dritat e skenës fiken, kur ti mbyll derën dhe del prej aty, lajmet, informacioni, rrjetet sociale të vënë në kontakt me çfarë ndodh përreth. Nuk mund të jetosh në një kullë dhe të mendosh se bota shkëlqen si dritat e studiove televizive. Realiteti të ndjek kudo. Ajo që ne shohim në Instagram, ajo çfarë na shitet, nuk është realiteti.
Ai është realitet i gënjeshtërt. Shpesh bën edhe dëme”. Si për të qenë reale, Bona thotë se edhe kujdesin për pamjen e jashtme e ka minimal. “Kujdesi për veten është minimal. Minimalist. Më duhet pesë minuta kohë për të bërë pak make-up. Veshja nuk më shqetëson, nuk impenjohem. E përditshmja ime është impenjative për punën që kam, por jo për kujdesin për veten. Sigurisht, ka nevojë për më shumë kujdes sidomos për moshën, por unë jam edhe pak përtace.
Nga ana tjetër, i ngjaj babait se është shumë i mbajtur”, tregon ajo duke mos e fshehur që ndihet me fat. Po a është realisht e lumtur, apo buzëqeshja e saj në ekran është thjesht skenike? “Lumturia është çelësi i jetës.
Njeriu mund të ketë gjëra shumë të vogla që të mbushin jetën plot, ndaj varet nga këndvështrimi për lumturinë. Në përgjithësi jam e lumtur.
Por nëse s’do isha, do ta thosha? Kush e thotë?. Them se jam e lumtur pasi kam tre fëmijë si drita, që ma mbushin aq shumë jetën, sa të tjerat i vë në plan të dytë. Lumturia është brenda nesh. Kur nuk e gjejmë, kur nuk e ndiejmë, duhet vetëm të marrim frymë dhe të buzëqeshim me gjërat të vogla. Lumturia nuk vjen në zymtësi.
Në jetë, disa gjëra kanë shkuar si kemi dashur e ca gjëra nuk kanë shkuar ashtu. E vetmja gjë tek e cila nuk dua të dështoj, janë ata.
Mundohem, por s’e di sa do t’ia dal”, shprehet ajo. Sa për profesionet e jetës së fëmijëve nuk ka dëshirë t’i shohë në botën e televizionit, por nuk do t’i ndalojë, e as t’i shtyjë. Ka dëshirë t’i lërë të lirë, të lirë të bëjnë zgjedhjet e veta. “Ndonjëherë them sepo t’i kisha dëgjuar disa njerëz që më janë imponuar, do të kisha bërë mirë. Por jo, kam preferuar të bëj atë që kisha dëshirë. Jam prapë e kënaqur. Njësoj.
Ndaj nuk dua të ndërhyj në dëshirat e tyre”. Kështu tek i biri, Deni, sheh një arkitekt. “Më jep mendime për shtëpinë që janë shumë të vlefshme. E shoh që ka ide, është artist. Keni, djali tjetër, mund të jetë një menaxher shumë i mirë, është i shkathët, impulsiv.
Të dy e duan futbollin, por unë nuk e kam prioritet”. Vivi, ah, ajo është shumë e vogël ende. Por është e qartë.“Vivi ka lojë të preferuar formimin e figurave. Por është shumë e zgjuar, aq sa më lë pa fjalë.
Ju nuk e dini, por nuk ka gjë më të sikletshme se të të pyesë një fëmijë trevjeç e ti të mos kesh përgjigje”, përfundon rrëfimin Bona, që në këtë sezon televiziv shfaqet në ekran në programin e mikeshave të saj të ngushta, Vera Grabockës dhe Alketa Vejsiut.