Home KRYESORE Bilanci i eksport-importeve të Shqipërisë së Edi Ramës: Drogë dhe opozitë; Muxhahedinë...

Bilanci i eksport-importeve të Shqipërisë së Edi Ramës: Drogë dhe opozitë; Muxhahedinë dhe plehra

Nga Çim Peka

Nëse ju bën një bilanc “importeve” të Shqipërisë për atë që duhej të ishte zemreku i zhvillimit të një ekonomie primitive si jona, pra investimeve të huaja, të krijohet përshtypja se nuk jeton në Shqipërinë që pret të anëtarësohet në BE, por në atë të Enver Hoxhës së viteve 80-të.

Viti që kaloi u mbyll me një bilanc “Bllokade” nga kapitalizmi botëror, sepse pothuajse të gjitha shtetet që kanë pasur interes tradicional për të investuar në vendin tonë, (Formalisht me përjashtim të Zvicrës, që është vendi nga raportohen investimet e TAP, i cili është në mbyllje e sipër), nuk preferojnë më të sjellin kapitale dhe teknologji në Shqipëri. Por ky rekord i paprecedent i qeverisjes mbi katër vjeçare të Rilindjes, nuk e shqetëson aspak Edi Ramën.

Ai ka metodologjinë e vet në fushën e import-eksporteve, në të cilën nëse je i aftë të “lexosh” përtej botës së kazanit, mund të zbulosh se bëhet fjalë për një kryevepër ku gjen pak stil nga Shqipëria e Enver Hoxhës, pak nga Kuba e Fidel Kastros, më shumë Noriegë dhe jo pak origjinalitet, që mban vulën e Edi Ramës.

Shqipëria e Enver Hoxhës, bllokadën ekonomike të kapitalizmit e thyente herë pas here duke kontrabanduar cigare në vendet e tyre. I duheshin dollarët e fituara nga ky aktivitet i jashtëligjshëm, për të bërë “vepra madhore” këtu brenda që i zgjasnin ditët pushtetit, por njëkohësisht proklamonte se nikotina e duhanit do të vdiste të degjeneruarit përtej detit.

Sot Edi Rama në krye të Shqipërisë kandidate për tu anëtarësuar në klubin e kapitalistëve më të mëdhenj të Europës, nuk trafikon drejt tyre vaporë me cigare, por qindra tonelata drogë të të gjitha “artilerive”. Miliardat e kthyera mbrapsht, po zëvendësojnë “importet” e munguara të investimeve të huaja; po futen në lavatriçen e veprës madhore, “projekti 1 miliard”, për të përfunduar në llogaritë e “kapitalistëve” që ka rritur Rama, pa ja pasur fare nevojën kapitalizmit botëror. Kaq e thjeshtë dhe kaq “gjeniale” është kjo mënyrë e vjetër, për të mbajtur pushtetin sa më gjatë në këto kohë të reja.

Por, nuk ndalet këtu skema. Një shtet i fortë, çdo eksport fitimprurës duhet ta blindojë me importe po aq të fuqishme, që prodhojnë miliona e miliarda. Prandaj me shpejtësi, pasi dështoi tani për tani për ta ligjëruar, nisi import-trafikun e fuqishëm, të të gjithë llojeve të plehrave të Europës, nga më të thjeshtat deri më të rrezikshmet. Një zot e di se ku kanë përfunduar dhe ku groposen, por e sigurt është që do ti kemi në pjatat dhe gjakun tonë, për breza me radhë.

Strategjia e import-eksporteve të Rilindjes së Ramës nuk mbaron këtu; burimet njerëzore janë një tjetër fushë e lëvruar me sukses.

Edhe në këtë drejtim kemi pak Enver Hoxhë (Ju kujtohet importi i revolucionarëve terroristë nga Afrika, Amerika Latine e deri Palestina?), e më shumë Fidel Kastro.

Ky i fundit në vitin 1980 hapi kufijtë dhe lejoi brenda pak ditëve të iknin drejt SHBA-së mbi 120 mijë kubanezë, të cilët i quante “llumi i kombit”. Edhe në Shqipërinë e Edi Ramës “dembelët dhe parazitët” janë të lirë të ikin kur të duan. I kanë të gjitha kushtet; nuk ju mungon asnjë gjë.

Një burim i sigurt pranë administratës së Departamentit të Shtetit na ka konfirmuar se ata disponojnë të dhëna të sakta, sipas të cilave nga Shqipëria vetëm gjatë 3 viteve të fundit janë larguar, plot 456 mijë shqiptarë.

Mund të jemi pa frikë krenarë për këtë rekord në eksportin e burimeve njerëzore, në sasi dhe cilësi. Eksportojmë rini, pleq, të shkolluar, infermierë, doktorë, farmacistë, inxhinier, mësues, intelektual të dëshpëruar që refuzojnë të shohin si shkatërrohet e ardhmja e fëmijëve të tyre… e çdo kategori tjetër të mundshme.

Në fakt eksportojmë opozitën e vërtetë, të qeverisjes së Rilindjes!

Eksportojmë natyrisht edhe trafikantë droge e kriminelë të rrezikshëm, por shumicën, ajkën e tyre preferojmë ta mbajmë këtu, të veshur me kostumin e biznesmenit të suksesshëm, politikanit dhe deputetit.

Sipas postulatit, “pa eksport, nuk ka import”, edhe në këtë të fundit në fushën e burimeve njerëzore jemi bërë lajm botëror: Kemi importuar mbi 3 mijë muxhahedinë iranianë!

Dhe për të mos e zgjatur ja ku jemi në një bilanc të koncentruar të import-eksporteve që realizon Shqipëria e Edi Ramës;

Eksportojmë; Drogë dhe “Opozitë”, importojmë; Muxhahedinë dhe plehra!/Syri.net

Share: