Kompania që shfrytëzon rafinerinë e naftës në Ballsh jo vetëm ka lënë punëtorët pa paguar por është edhe debitore në shtet. IRTC ka 50 milionë euro borxhe ndaj Tatimeve. Kësisoj nga dhjetori 2017, Drejtoria e Tatimeve ka nisur hetim tatimor dhe po verifikon transaksionet bankare të kësaj shoqërie.
Top Channel raporton se Tatimet kanë kërkuar nga bankat tregtare informacion mbi çdo transaksion të kryer nga IRTC për të verifikuar nëse kompania ka transferuar para në llogari të tjera brenda apo jashtë vendit. Burime nga administrata tatimore thonë se që në fillim të dhjetorit, subjektit IRTC me administrator shtetasin Mitat Sulaj i janë bllokuar të gjitha llogaritë bankare, dhe ndaj aseteve të saj është vendosur barrë siguruese dhe hipotekore. Pritet që pas kalimit të afatit një mujor nga urdhri për vendosjen e barrës siguruese, të gjitha asetet do të sekuestrohen siç sanksionohen në ligjin për procedurat tatimore.
Administratori (në letra) i kompanisë është Mitat Sulaj, vëllai i Besnik Sulajt, siç njihet ndryshe “Beso i Taivanit”. Disa here opozita ka akuzuar Kryeministrin se ia dhuroi ARMO-n mikut dhe ortakut të tij, Sulaj.
IRTC mori në shfrytëzim rafinerinë e ARMO-s në shtator të vitit 2016 sipas një marrëveshje me kreditorët privatë. Kryeministri Edi Rama e quajti marrëveshjen me këtë kompani si shumë të suksesshme.
Sipas të dhënave nga doganat, vetëm në vitin 2017 kompania ka prodhuar dhe shitur në tregun vendas 156 mijë tonë karburant. Por edhe pse ka arkëtuar mbi 220 milionë euro nga shitja e naftës, ka krijuar mbi 50 milionë euro borxhe ndaj administratës tatimore, për taksa të papaguara kryesisht TVSH dhe taksë qarkullimi./opinion.al