Home KRYESORE Bota si sot një shekull më parë, momentet më pikante në celuloid...

Bota si sot një shekull më parë, momentet më pikante në celuloid (VIDEO)

Një qind vjet më parë bota ishte e mbërthyer nga lufta. Kineastët e kohës kanë arritur të kapin në filmime momente të asaj periudhe. Që nga lëvizja e grave për të drejtën e votës e deri tek ditët e fundit të Luftës së Parë Botërore, viti 1918 u shoqërua me ngjarje që kanë ndikim edhe sot e kësaj dite në jetën tonë:

Në ditët e para të shekullit XX, shumë gra u ngritën me pyetjen për vendin dhe rolin e tyre në shoqëri, mbi të gjitha me kërkesën për të drejtën e votës.

Aktivistet filluan të demonstrojnë për të tërhequr vëmendjen publike. Falë këtyre përpjekjeve, gratë mbi 30 vjeç në Britani fituan të drejtën e votës në 1918.

Gustav Klimt vdiq më 6 shkurt 1918. Artisti ishte një nga themeluesit e lëvizjes moderniste vjeneze. Në vendlindjen e tij, Austri, arti i tij shihej me dyshim, por ishte i mirëpritur në galeritë e Parisit. “Puthja” mbetet vepra e tij më e famshme.

Gjatë vitit 1918 filluan të shfaqen vatra të gripit spanjoll. Afro një e treta e popullatës së botës u prek nga sëmundja dhe besohet se 20-50 milionë vetë mund të kenë gjetur vdekjen nga epidemia. Fillimisht virusi u shfaq në Shtetet e Bashkuara, por tërhoqi vëmendje kur preku Spanjën ku goditi më rëndë.

Më 1 prill 1918 u themeluan Forcat Ajrore Mbretërore në Britani për të mbrojtur vendin nga ajri, ndërkohë që ende vazhdonte Lufta I Botërore. Në 1940, gjatë Luftës II Botërore, Kryeministri britanik Winston Churchill nderoi kontributin e forcave ajrore të vendit duke thënë “Asnjëherë në sferën e konfliktit njerëzor, një numër kaq i madh njerëzish nuk ka qenë kaq në borxh të sakrificës së një grupi kaq të vogël”.

Gjatë 1918 bota vazhdoi të ndjente tronditjen e shkaktuar në 1917 kur Car Nikollai hoqi dorë nga froni mbretëror. Pas një periudhe me qeverisje të dyfishtë nga një qeveri e përkohshme dhe organet e revolucionit sovjetik, Partia Bolshevike mori në dorë udhëheqjen me një grusht të dhunshëm shteti.

Më 17 korrik 1918 Car Nikollai dhe familja e tij u ekzekutuan nga një skuadër pushkatimi.

Më 21 mars 1918, kur Lufta I Botërore po i afrohej fundit, Gjermania filloi ofensivën e saj për të penguar avancimin e forcave aleate para mbërritjes së amerikanëve. Në korrik forcat aleate u hodhën në sulm, duke kthyer pas gjermanët.

Në fillim të nëntorit, forcat aleate ishin në dalje të Sedanit, një pikë e rëndësishme e furnizimit të trupave gjermane. Më 11 nëntor u nënshkrua paqja me Gjermaninë për t’i dhënë fund luftës. Luftimet u ndalën në orën e 11, të ditës së 11 të muajit të 11 të vitit. Lufta la pas miliona të vdekur. Ata që kishin luftuar dhe që dolën gjallë nga llogoret morën epitetin “Brezi i Humbur”. /VOA

Media

Share: