Home KRYESORE Ç’e duam republikën, kur kemi Amerikën? Nga Andi Bushati

Ç’e duam republikën, kur kemi Amerikën? Nga Andi Bushati

Që prej zgjedhjes së shumë diskutueshme të Arta Markut e deri tek lëvizjet në kufijtë e ligjshmërisë në hierarkinë e prokurorisë, një tis thashethemnaje po shoqëron të gjithë këtë proces: Pas kësaj loje janë ShBA dhe Brukseli.

Në emër të këtyre fuqive okulte, të gjithë ata që e shohin me dyshim apo kriticizëm atë që po ndodh, ftohen të mbyllin njërin sy.

Nuk ka problem se prokurorja e përkohshme u zgjodh në mënyrë anti – ligjore.

Nuk ka problem se ajo votua vetëm me kartonat e njërës palë.

Nuk ka problem se ajo përdhosi edhe digën e hekurt të vettingut nga sita e të cilit duhet të buronin të gjithë figurat e drejtësisë së re.

Nuk ka problem se ajo u betua si një militante nën rrëmujë dhe tym, vetëm për t’i thyer hundët opozitës.

Nuk ka problem se ajo po vepron me kompetenca të plota pavarësisht se KLP-ja e famshme nuk është konstituar ende.

Nuk ka problem se ajo po bën shkarkime dhe emërime, ndërkohë që nga përzgjedhësit e saj u premtua se ajo nuk do ta kishte këtë fuqi.

Nuk ka problem që ajo po merr vendime të rëndësishme, ndërkohë që thelbi aq trumpetuar i reformës në drejtësi ishte zhveshja e kryeprokurorit (edhe atij të zgjedhur në mënyrë kushtetuese) nga kjo lloj gjithëpushtetshmërie.

Të tëra këto pikpyetje dhe dilema fshihen me një të rënë të lapsit duke evokuar hijen e frikshme të “vëllait të madh”: Arta Marku duhet pranuar se ajo është zgjedhje e Amerikës, kryeprokurorja e përkohshme duhet përligjur se atë e duan ambasadorët, ajo nuk duhet paragjykuar si socialiste, sepse atë e kanë vendosur të huajt.

Edhe për lëvizjet e fundit në piramidën e institucionit të akuzës përdoret e njëjta logjikë simetrike: “Mos u shqetësoni për ligjshmërinë, sepse nga pozicionet kyçe po largohen të gjithë prokurorët që figurojnë në listat e zeza të amerikanëve. Po t’i qëmtosh një e nga një, janë shkarkuar nga postet ata që më parë ambasada i’u ka rrefuzuar vizat”.

Në fakt, po t’i shohësh veç e veç largimet nga detyra të disa prokurorëve që ishin bërë njësh me batakun e krimit në qytetet e tyre, nisma e diplomatëve që fshihen poshtë fustanit të Arta Markut është për t’u lavdëruar. Shumica e tyre e meritonin t’i lëshonin karriget që mbanin.

Por, në këtë rast problemi është tjetër. Dilema që shtrohet është shumë më e madhe se debati për një, dy, apo tre rastet e fundit.

Precedenti që ka hapur mënyra se si u përzgjodh Arta Marku dhe brutaliteti me të cilin po vepron ajo, ngre një çështje shumë më të mprehtë: Kush është më i rëndësishëm, kushtetuta, ligjet, institucionet, parlamenti me 140 deputetë nga të cilët burojnë të gjithë ato, apo vullneti sado i përndritur i një bande të vogël diplomatësh. Kujt duhet t’ besojmë më shumë, një shteti ligjor dhe funksional, apo dyshes ekzibicioniste Lu – Vlahutin?

Përgjigjja që të japin në këtë rast idhtarët e rolit të pamatë të ndërkombëtarëve është se nuk ka rrugë tjetër. Se ne kemi dështuar për një çerek shekulli për të bërë drejtësi, prandaj zgjidhja e vetme mund të pritet nga të huajt. Se, në fund të fundit, Shqipëria është një vend që e ka dorëzuar një pjesë të sovranitetit të vet, si anëtare e NATOS dhe aspirante për BE, ndaj ajo duhet t’i pranojë edhe kushtëzimet që i vijnë në formë fermanesh nga Uashingtoni dhe Brukseli.

Po, të gjitha këto argumenta qëndrojnë dhe duhen marrë parasysh. Pikërisht se ato janë pranuar publikisht, e gjithë reforma në drejtësi u iniciua dhe u dirigjua nga të huajt. Pikërisht për këtë sot në Tiranë gjenden ndërkombëtarët e OMN-së dhe nesër do të funksionojë SPAK-u.

Por këtu është pika fundore e kufirit të dorëzimit të sovranitetit. Ç’do veprim që shkon përtej këtij kuadri ligjor, të imponuar nga aleatët perendimorë dhe të votuar nga deputetët shqiptarë, është një akt voluntarist, i dyshimtë dhe pse jo banditesk.

Në këtë pikpamje, është më mirë qëndrimi edhe për pak kohë i një prokurori të kriminalizuar në detyrë, sesa spastrimi i tij me anë të një akti të paligjshëm. Sepse historia prej kohësh na ka treguar se nuk ka padrejtësi që ndreqet duke kryer një padrejtësi më të madhe. Se nuk ka akt moral që pranohet si i tillë, kur ai arrihet përmes një aksioni imoral.

Dhe meqë jemi te historia, i duhet kujtuar servilëve shqiptarë të Donald Lu-së se jo gjithnjë vendi prej nga ai vjen, ka qenë në anën e drejtë të historisë. Mjafton të kujtojmë se ç’tmerre dhe masakra, prodhoi modeli i dizenjuar nga Kisingeri në Kilin e periudhës së Pinoçetit. Mjaftojn të vimë më pranë në kohë dhe të kujtojmë disfatën e eksportimit të demokracisë, në Irakun e udhëhequr nga Paul Bremer.

Qoftë edhe këto dy shembuj, mes dhjetra të tjerëve janë të bollshëm për të qeshuar me ata që të vetmin argument kanë shprehjen: është e drejtë se e ka thënë Amerika.

Përdorimi i saj vend e pa vend, shkelja e ligjeve dhe kushtetutës për të ndejkur voluntarizmin e ambasadorëve rrezik se po e varros ende pa lindur reformën në drejtësi. Sepse duke e zbatuar atë, sipas modelit që po ekspertimentohet tani në prokurori, ne nuk mund të shkojmë përtej një gjuetie të përkohshme shtrigash.

Ne do të dështojmë të ngrejmë institucione që veprojnë sipas rregullave dhe ligjit dhe do e lëmë gjithçka në mirbesimin apo keq besimin e dy-tre diplomatëve. Pra shkurt, precedenti me Arta Markun nuk mund të shërbejë për asgjë më shumë sesa një gijotinë momentale, ndërkohë që në afatgjatë, ai rrëzikon të rrëzojë republikën duke brohoritur për Amerikën.

©Lapsi.al

Share: