Përktheu Elona Caslli
Kur shpresat të janë venitur, ta japin vizën.
Dera hapet drejt një rruge, si nëpër filma,
pa njerëz dhe pa mace.
Veçse është rruga jote,
pasi ti po largohesh.
Ta dhanë vizën ‘përkohësisht’.
‘Përkohësisht’- sa fjalë grindavece.
Dritaret që mbylle u bënë rozë,
ashtu siç bëhen çdo agim.
Këtu është gjithçka gri.
Dera e taksisë hapet.
Kjo valixhe, objekti më i trishtë në botë.
Bota hapet.
Në pasqyrën e makinës, qielli fillon të skuqet
ashtu siç u skuqe ti, atë ditë,
kur mamaja të tregoi se ç’do të thoshte
të ishe grua në këtë botë.