Home KRYESORE Edi, na duhet shtet serioz, që mbikqyr, mbron dhe zgjeron tregun e...

Edi, na duhet shtet serioz, që mbikqyr, mbron dhe zgjeron tregun e lirë!

Si vetëm qeverisja serioze dhe tregu i lirë mund ta shpëtojë Shqipërinë dhe fatin politik të kryeministrave të saj

Nga Dr. Enriko Ceko

Këtë shkrim e kam përgatitur duke marrë shkas nga artikulli i botuar në datën 5 Dhjetor në Gazetën MAPO, me titull “Edi, nuk na duhet shtet, na duhet treg”, me autor shokun Henri Çili.

I nderuar shoku Çili, ju e filloni artikullin tuaj me në ngjarje të vitit 1995, pra, përpara 22 viteve, kur Shqipërinë e vizitoi presidenti konservator gjerman, Roman Herzog, që gjatë bisedës me presidentin e parë të Shqipërisë demokratike, Sali Berisha, tha: “Sali, sa jeni në fillim, bëjeni tregun. Gjermania nuk e bëri dot tregun”. Nuk e di se ç’bënit ju në atë kohë, por personalisht punoja në Drejtorinë e Bujqësisë dhe Ushqimit Tiranë, drejtoja një organizëm joqeveritar që merrej edhe me çështjet e qeverisjes dhe tregjeve dhe jepja leksione ekonomie në një subjekt privat.

Në atë kohë u bënë përpjekje maksimale dhe serioze për krijimin e tregjeve, dhënien e sa më shumë mundësive për biznes dhe krijimin e kushteve për ristrukturimin e ekonomisë shqiptare, duke krijuar hapsira për sektorë të ekonomisë shqiptare që deri para vitit 1990 ishin në minorancë apo nuk ekzistonin fare, si për shembull turizmi, transporti, tregtia me shumicë dhe pakicë, etj, hapsira falë të cilave kemi këtë ekonomi tregu sot, me të këqijat e të mirat e saj, hapsira që u krijuan me ato njohuri minimale që kishim në atë kohë për ekonominë e tregut dhe lirinë ekonomike.

Është e vërtetë që vitet e fundit, pra, duke filluar që nga viti 2014e këtej, kur ne prisnim më shumë liri tregu, më shumë mundësi për biznes dhe rritje të shpejtë ekonomike, për më shumë prosperitet si individë dhe si komb, ka ngërç në disa drejtime.

Unë mendoj se ky ngërç që ka prekur disa sektorë dhe tregje si për shembull arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, agrobiznesin, industritë përpunuese, etj, në fakt është krijuar si rezultat i konkurrencës së pandershme, që shpesh vjen si rezultat i ndërhyrjeve të personave me influencë në treg, të cilët, në bashkëpunim me ata që marrin vendimet, pra, me qeverinë, shtetin, për interesa personale apo të rrethit të ngushtë të tyre, kanë sjellë këtë gjendje, nga e cila është shumë vështirë të dilet. Shembull konkret është arsimi i lartë në vend, një treg që, ju, ashtu si edhe unë, e njihni mirë, sepse jeni operator në këtë treg.

Pra, nuk e ka fajin shteti, por fajin e ka shteti shteti i korruptuar, nga individë me influencë, që kryesisht këtë influencë e realizojnë me rrushfete, afera korruptive, oferta me interes të madh, mitëmarrje, presione, etj, të kësaj natyre.

Kjo do të thotë, se në fakt Shqipërisë dhe shqiptarëve, por jo vetëm këtyre, u duhet një shtet serioz dhe i fortë, që të jetë në gjendje të mbikqyrë tregjet dhe të garantojë lirinë e tyre. Pikërisht kjo është sfida qeverisjeve që do të ketë Shqipëria në të ardhmen.

Është e vërtetë ajo që ju evidentoni në lidhje me ndjesinë e bllokimit, kur shkruani: “E bllokuar duket Reforma në Drejtësi, e bllokuar reformimi, thjeshtimi i administratës, e bllokuar funksionimi i shumë tregjeve. E bllokuar duket iniciativa për të reformuar gjendje e nivele të caktuara në shoqërinë shqiptare, nisur nga pronat, legalizimet, nga reforma në arsim tek ajo në shëndetësi. E bllokuar duket gjithçka”, por unë mendoj se ky bllokim nuk vjen për shkak të Edi Ramës, apo për shkak të një duzinë ministrash të kësaj qeverie dhe as për shkak të opozitës që deri dje ka qenë në pushtet. Ata, si në pushtet si në opozitë, janë thjesht dhe vetëm pasqyrë e nivelit të shoqërisë shqiptare, e injorancës që mbizotëron në Shqipëri, e nivelit shumë të lartë të korrupsionit që ka këtu.

Para disa ditësh kam shkruar një artikull në lidhje me atë se si unë e shikoj ekonominë e Shqipërisë për vitin 2018. Në këtë artikull unë rendis disa çështje që duhet të zgjidhen në mënyrë që ekonomia të ecë, të ketë liri tregu dhe sektorët e ekonomisë të bëhen dhe të vazhdojnë të mbeten vibrantë, për të krijuar mundësi për të gjithë dhe fitore për të të mirin.

Këto janë:

  1. Mungesa e modelit ekonomik.
  2. Moszbatimi dhe mosrespektimi i ligjit.
  3. Mungesa e standardeve (kryesisht standardet ISO, etj).
  4. Çështjet e pazgjidhura të pronësisë.
  5. Mungesa e etikës në punën e administratës publike.
  6. Mungesa e përgjegjësive manaxheriale në sektorin privat.
  7. Korrupsioni në sektorin publik dhe atë privat.
  8. Paqendrueshmëria e parametrave makroekonomikë dhe mungesa e shifrave të vërteta.
  9. Paaftësia e komunitetit të biznesit për t’u përballur me qeverinë.
  10. Shfytyrimi demografik dhe territorial.
  11. Mosreflektimi në buxhetin e shtetit të gjendjes ekonomike dhe prirjeve zhvillimore rajonale dhe sektoriale.
  12. Mungesa e kushteve për egzistencën dhe rritjen e SME-ve.
  13. Korrupsioni në sistemin e drejtësisë.

Padyshim që ka edhe arsye të tjera, por unë kaq mund të rendis në një artikull tematik. Dhe unë mendoj se edhe ju i nderuar shoku Çili do jeni dakord me mua në atë se një pjesë e mirë e këtyre sa më lart nuk janë përgjegjësi e tregjeve, por e qeverive dhe vetëm e qeverive. Pra, edhe një herë, për ty shoku Çili dhe për kryeministrat e Shqipërisë: “ne na duhet shtet serioz, për të garantuar lirinë e tregut” dhe jo “nuk na duhet shtet se na duhet vetëm tregu”.

Ajo ç’ka unë kuptoj me shtet në termat e njësisë politike është një komunitet i organizuar politikisht që jeton nën një sistem të vetëm qeverisës, ndërsa ajo që thoni ju se nuk na duhet shtet, bie ndesh me këtë përkufizim klasik të shtetit të cilit unë i besoj.

Ajo ç’ka unë kuptoj me liri ekonomike është aftësia e anëtarëve të një shoqërie që të ndërmarrin veprime ekonomike, që është një e drejtë themelore e çdo qenieje njerëzore për të kontrolluar, mirëmbajtur e mirështuar pronën nëpërmjet punës, duke qenë i lirë për të punuar, për të prodhuar, për të konsumuar dhe për të investuar në mënyrën apo mënyrat që ka dëshirë.

Ajo ç’a unë kuptoj me shtet serioz në ditët tona dhe në kushtet e Shqipërisë është jo një shtet i fortë që përdor mjete dhe forca të shumta për të shtypur çdo mendim ndryshe, por një shtet që çdo ditë ndërmerr hapa të vegjël por të sigurt për të përmirësuar efektivitetin e qeverisjes, në mënyrë që të përmirësohet eficienca dhe efektiviteti i tregjeve, në mënyrë që individi të ketë mundësi të shfrytëzojë të drejtën e tij themelore për të punuar, prodhuar, konsumuar, investuar, në liri të plotë mendimi dhe veprimi, si një Homo Economicus, ashtu si na mësojnë, John Stuart Mill, Ludwig Von Mises, Friedrich Hayek, etj, ekonomistë të mëdhenj, idetë e të cilëve mësojnë studentët si në Universitetin Europian të Tiranës, ku ju drejtoni, ashtu edhe në Kolegjin Universitar “Wisdom”, ku unë kontribuoj, dhe në shkollat e tjera të larta në Shqipëri e kudo në botë.

Share: