Home KRYESORE Graviteti i bindjeve te djathta dhe tendenca social-demokrate e Bashes!

Graviteti i bindjeve te djathta dhe tendenca social-demokrate e Bashes!

Nga Artur Roshi

Dje Basha mblodhi partitë aleate të diskutonte për protestën ndaj qeverisë.Organizimi i tryezave politike është një ndër gjestet politike të lidershipit që e organizon për të përçuar në opinionin publik mendimin paraprak që ka për një veprim politik që do ndërmarrë.

Shuma integrale e të gjitha këtyre gjesteve dhe veprimeve politike në harkun kohor të katër viteve krijon tek qytetarët perceptimin se si do të qeverisë kjo Parti apo Koalicion dhe definon me votbesimin e tyre në një kuotë të caktuar.

Parë në këtë optikë,mosqenia e Partive tradicionale si Balli Kombëtar Demokrat në këtë tryezë konsultimi ngren pyetjen logjike që lind nga kjo premisë, se kush do të jetë filozofia politike që z.Basha kërkon të marrë pushtetin dhe të qeverisë vendin.

Balli Kombëtar Demokrat është graviteti i bindjeve politike të djathta në vendin tonë.

Kjo për shkak të tre komponentëve kryesorë,të traditës politike,të qëndrimeve politike që ka mbajtur dhe aktivitetit politik në këto 27 vite,si dhe të filozofisë konservatore moderne europiane ku mbështet programin e saj politik.

Mënyra e sjelljes së Partisë Demokratike ndaj Partive tradicionale tregon afërsinë apo largësinë e qeverisjes së nesërme ndaj ideve dhe moralit politik të së djathtës,të cilat lidhen ngushtë me një shoqëri më të lirë e të drejtë, me një jetë më të mirë për shqiptarët.

Partia Demokratike po artikulohet së fundmi se fton në një koalicion proteste kundër qeverisë çdo parti të majtë,madje edhe socialistë,saqë duket sikur ka krijuar një varësi psiqike se vetëm të majtët krijojnë pushtet.

Ka një sfond se definicioni i këtij koalicioni janë zgjedhjet lokale.

Ende e trubullt,por sjellja e Partisë Demokratike është afër nuancave politike social-demokrate, sepse tenton të mbledhi të majtët e pakenaqur kundër të majtëve të kënaqur.Eshtë një ves i vjetër i saj në një realitet të ri.

Besoj se është një qasje e gabuar që nuk do ngrejë pushtet,por një rrëmujë paqëndrueshmërie.

Në këtë pikë të duket sikur pluralizmi politik po kthehet në nivelet që e filloi Ramiz Alia me “Bashkimet Profesionale”,”organizata e Rinisë”,si formacione politike zgjedhore.

Keto ide me prirje majtas të PD hidhen nga njerëz që nuk e njohin të djathtën, gjykimin e saj,ndijimet e saj, por thjesht kanë shansin të këshillojnë.

Shpallja je apo jo opozitë është momenti kur perfundon procesi i zgjedhjeve dhe jo kur bën pazar në të dy krahët dhe shkon nga të thyejnë balancën interesat meskine.

Në liri njerëzit i bashkon dinjiteti,morali dhe qëllimi për të ardhmen.

Idetë janë forca kryesore që lëvizin njerëzit,të cilat zhvillohen mbështetur mbi filozofitë politike dhe parime dhe jo interesat momentale.Unë besoj se zotësia e PD në bashkpunimin me LSI është ta stimulojë atë për të afruar të majtë të tjerë brenda saj që lindin nga emetimi i pakënaqësive ndaj PS dhe të djathtët komercialë brënda LSI të zhvendosen më djathtas.Kështu kemi një rritje të natyrshme elektorale të koalicionit opozitar dhe jo duke rritur numurin e partive të majta në koalicion.

Në se zgjedhjet do ishin vërtet të lira dhe vota do numurohej realisht nuk do shqetësohesha pse PD po ikën majtas,por sot ajo ka ende inercinë e monopolit të pushtetit të së djathtës të krijuar me mekanizma shtërngues ligjor por jo demokratik dhe si e tillë ka fuqinë e ndikimit edhe në përfaqësimin tonë si e djathtë e vërtetë.

Kam bindjen e thellë se e djathta vjen në pushtet vetëm nëpërmjet votës së lirë dhe asnjë mekanizëm tjetër politik anësor taktik nuk mund ta zvëndësojë atë.

Ne ndajmë me Partinë Demokratike interesat e ligjshme që rrjedhin natyrshëm prej të vërtetës,argumentit,logjikës,vlerave të vërteta të lirisë,vizionit për të ardhmen e fëmijve tanë dhe jo kushtëzimet për interesa të një pushteti plaçkë.

Gjykoj se protestat pa bosht politik do ngelen veprime mekanike pa emocion dhe nuk do të rrëmbejnë pasionin e njerëzve për të arritur qëllimet e tyre për një realitet jetësor cilësor.
Nuk mund të marrësh votat e së djathtës pa imazhin e saj politik.

Të djathtët (sigurisht ata që janë mbi kufijtë e egzistencës),kanë premisa më shumë të orientohen drejt fuqisë së moralit dhe jo drejt fuqinë së pushtetit.

A.Roshi,

Share: