Nga Ina Kosturi
Titulli i shkrimit të zotit Krasniqi “Për qytetarët që duhet të dëgjohen“ më duket frazë e saktë për qytetarët e sotëm shqiptarë që me-gjithë plagët e tranzicionit, problemet e shumta jetojnë në një shoqëri demokratike dhe republikë parlamentare.
Në shoqërinë kapitaliste edhe një i vetëm individ ka të drejtë të dëgjohet, ka të drejtë të japë opinione. Për këto të drejta të fjalës së lirë, të drejtës së prononcimit, të reagimit e publikimit ka luftuar shoqëria shqiptare , media, dhe kjo liri e individit është një nga parimet bazë për të cilat kanë financuar e bashkëpunuar institucionet ndërkombëtare, ambasadat e huaja, institucione të rëndësishme të cilat synojnë nëpërmjet investimeve përparimin dhe nxitjen e progresit, zbatimin e parimeve e demokracisë.
Kjo përpjekje e realizuar nëpërmjet shoqërisë civile, organizatave, fondacioneve është një pjesë shtesë që i bashkëngjitet në miniaturë proceseve të reformave të shtetit, ku institucioni më i lartë është parlamenti, ku korrupsioni e fenomene të tjera luftohen me vetting, me deklarime pasurish e shumë mekanizma të tjerë të rëndësishëm, me votën qytetare në zgjedhje dhe kërkesë llogarie.
Një shtet dhe kur funksionon keq, një qeverisje e mirë ose e keqe funksionon mbi bazën e këtyre parimeve dhe institucioneve, në bazë të ligjeve e rregullave. Të formuluara mirë e të zbatuara ndoshta keq, ato janë ligje të një shteti , të lira ose jo, të ndershme ose jo të drejta zgjedhjet parlamentare janë esenca, baza, mënyra e vetme e funksionimit.
Kushtetuta dhe ligjet, parlamenti, ministrat e qeveria mbeten organet drejtuese të shoqërisë shqiptare. Në gjithë këto vite demokraci, investimet e institucioneve të huaja kanë ardhur në rritje duke inkurajuar dhe mekanizmat shtesë, duke krijuar një impakt më të madh se ato institucione që funksionuan në Shqipëri pas viteve 90.
Sot diskutojmë për impakt tjetër, shpejtësi veprimi dhe artikulli tregon për potencialin e madh të këtyre strukturave që me anë të projekteve, thirrjeve , aplikimeve financojnë nga donacionet e institucioneve të huaja e qeverive , individë e grupe shoqërore në Shqipëri siç citohet në artikull” duke u dhënë shanse të ndryshojnë dhe vendimet e politikës dhe institucioneve, me kurajë të madhe për krijimin e një shoqërie të përhershme dhe të pushtetshme”.
Pra, kemi nisma të shpejta, të fuqishme dhe të pushtetshme . Duke e marrë të rëndësishëm investimin që bëhët nga institucionet jashtë vendit e organizmat ndërkombëtarë në një vend si Shqipëria, ku diskutohen probleme e fenomene të rënda, nga korrupsioni tek përdorimi i pushtetit për interesa personalë, lind pyetja se cilat janë burimet njerëzore që realizojnë këtë aksion të fuqishëm, që shtrihet në gjithë vendin e bashkëpunon me gjithë institucionet?
Bashkë me donacionet, institucionet ndërkombëtare nuk sjellin dhe një produkt njerëzor tërësisht të pastër, me moral, parime , integritet që kryen në mënyrë perfekte këtë aktivitet. E gjejnë midis shoqërisë shqiptare, në një shoqëri ku probleme kanë qeveritë dhe vetë ministrat. E përtej problemeve ministrat i nënshtrohen zgjedhjes me votë, bëhen pjesë e debateve, janë çdo ditë në shënjestrën e publikut, medias, zëri i të cilëve i zhgarravit herë me të drejtë e herë jo, shpesh deri në fyerje.
Ministrat e çdo qeverie, të aftë ose jo përballen me qytetarin çdo ditë , çdo çast, sepse monitorohen për të qenë modele të funksionimit në detyrë e jashtë saj. Cilët janë njerëzit që realizojnë këto procese të shpejta, të fuqishme, që nxisin qytetarët të reagojnë, duke synuar deri ndryshimin e vendimeve të institucioneve? Të panjohur, emra të panjohur për qytetarët e gjerë që japin votën për tu qeverisur.
Duke dashur të ushtrojmë kontroll mbi qeverisjet me forcën e financimit të fondeve që vijnë nga jashtë, mos po fuqizojmë një grup tjetër politikë bërësish që shtrijnë kudo aktivitetin, ndërkohë janë të padukshëm nën pushtetin e fondeve, më të fuqishëm se vetë ata që sovrani ka zgjedhur për ta qeverisur ?
E parë në këtë këndvështrim duket se duke glorifikuar këtë grup cenojmë të drejtat ndaj individëve të tjerë, shpesh për interesa të ngushta. Absolutizojmë një grup individësh të cilët nuk mund të jenë tërësisht të drejtë, të paanshëm dhe pa interesa.
Pra, midis tyre mund të ndodhin të njëjtat fenomene korrupsioni, e nëse jo aq të rënda, politika që cënojnë lirinë e individëve të tjerë në emër të përfitimeve, interesave personale. Në se të parët kalojnë në filtrin e vettingut dhe dekriminalizimit, nga më i madhi tek polici i fundit, këta që realizojnë këto aksione të fuqishme nuk i kontrollon askush!
Ata janë pjesë e shoqërisë shqiptare sot dhe ideja për ti nxjerrë të pastër është vetëm utopi e teorive të komunizmit, ku flitej për barazi, vijë masash etj . Mos ndoshta fraza “ Për qytetarët që duhet të dëgjohen “ shkëmbehet me frazën “ Për familjarët që duhet të lançohen?” Paralel me zërin e atyre për të cilët financohet, bërtet dhe një zë tjetër , dhe ky është zëri i krijuar artificialisht, i njerëzve të afërm, i nepotizmit që copëton shoqërinë tonë?
E nëse nepotizmi i ministrave bëhet publik, nëse gërmohen kushërinjtë e tretë se mbajnë një vend pune, zërat e familjarëve të atyre që realizojnë këto veprimtari janë akoma më të fortë, të paprekshëm pasi nuk i di askush, nuk i kontrollon askush, në emër të financimit që u bëhet bizneseve e individëve, e deri në bashkëpunime me institucionet më të rëndësishme në gjithë sektorët e jetës.
E ky zë që bërtet i kërkon të gjitha, kërkon të jetë i vetëm , këtë zë e bezdisin të gjithë ata që mendojnë ndryshe, që kanë diçka më shumë nga suksesi profesional, nga e shkuara e të parëve deri tek tiparet e fytyrës. Këta janë ”të përkëdhelurit e shekullit “, “të përvëluarit e shekullit” për karrierë, me avantazhin e madh të të bërit nder ndaj të tjerëve duke u fshehur pas reputacionit te donatorëve.
E ky zë bëhet i frikshëm kur përballë tij tremben ata të tjerët, që në mjerimin tonë shpesh kanë shpëtim nga ato fonde e projekte që bota i jep qytetarit shqiptar. E zëri yt, i tjetrit duhet të heshtë se krejt ndryshe nga reagimi i ministrave, kryeministrave për të cilët mund të shkruash e ta përkrahin fjalën kur je palë me të drejtën, ky zë nuk lejohet as të përmendet, as të pëshpëritet.
Ky zë i di të gjitha, jetën tënde nga tatimet tek spitalet, nga ministritë tek kompanitë celulare, nga taksat vendore tek institucionet. Hera- herës behet kaq qesharak sa të kujton shprehjet e famshme të Koçit hipur në karrocën me kashtë ( Komedia Zonja nga qyteti ) me fraza megalomane e bombastike “ Uuuune bej gurin të qaj, unë bëj zhaba meksikane … Kjo madhështi e fituar më kot, pa meritë, të kujton atë shprehjen gjeniale të Ollgës “Sofkë ç më bëre” … Ku e dinë Sofkat jashtë se bashkë me financimet u dërgojnë halle të kota qytetarëve që duan veç të drejtat dhe zbatimin e ligjit.”
Zëri i familjarëve që s duhet të dëgjohet duhet të jetë slogani, slogani që duhet të zbatohet nga drejtuesit e institucioneve së pari, nga qeverisja vendore e bashkitë e çdo rrethi , projekte që kontrollojnë zërin e familjarëve , zërin e interesave, që do preferonim të ishte zëri i ministrave e qeverisë që ndërrohet çdo katër vite e jo zëri i fshehur i anonimatit, që duket se reagon rëndë .
Të heshtë ai zë që buçet prepotent institucioneve, duke kuptuar se kjo që jetojmë është demokraci, ku e drejta e fjalës është e drejte themelore që mbrohet nga kushtetuta dhe sipas kushtetutës te gjithë shtetasit janë te barabarte.
PS: Titulli i autores ishte : Mendime për artikullin e zotit Afrim Krasniqi “ Për qytetarët që duhet të dëgjohen”, botuar datë 21 dhjetor 2017,Gazeta “Shekulli”