Në një intervistë të dhënë dje nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, në lidhje me problemet që përballet Institucioni që ai drejton, ndër më të spikaturit është zvarritja pafund e proceseve gjyqësore, kryesisht për shkak të reduktimit në minimum të stafit të gjyqtarëve.
Por shqetësimi që artikulon kryetari Zaganjori nuk përputhet në praktikë me shumë çështje konkrete. Ndërkohë, portali News365.al ka investiguar lidhur me cështjen administrative nr. 31003-00082-00-2017, datë 23.01.2017 me relator gjyqtarin Adrian Dvorani. Kjo cështje brenda një periudhe 2 mujore nga data e depozitimit me propozim për përshpejtim nga relatori z. Adrian Dvorani miratohet për t’u gjykuar nga z. Zaganjor, i cili shkel të gjitha kriteret e përshpejtimit si dhe urdhërin e nxjerrë nga po ai vetë, ndërkohë që ka qindra dosje që prej më shumë se prej 5 vitesh presin të shqyrtohen. Dhe siç vë në dukje vetë Kryetari, situata vazhdon e përkeqësohet përsa i përket cështjeve në pritje të shqyrtimit.
Ndoshta Kryetari i Gjykatës së Lartë z. Zaganjori tjetër thotë para medias dhe ndryshe vepron në praktikë, apo ka ndonjë lidhje korruptive mes tij dhe gjyqtarit Adrian Dvorani, relatorit të çështjes administrative nr. 31003-00082-00-2017, datë 23.01.2017. Ndërkohë gjyqtari Dvorani me mandat të skaduar prej 4 vitesh i emëruar në këtë detyrë që në vitin e largët 2005, me dekret nr. 4481 ka rreth 13 vjet në detyrë, ndërsa ligji e parashikon që mandati të jetë 9 vjecar.
Rasti i gjyqtarit Dvorani me mandat të skaduar u bë objekt diskutimi edhe në emisionin “Arena” të Oranews Tv, ku gjyqtari Neshat Fana, ish anëtar i KLD-s tha se ”Adrian Dvorani, i cili ka ikur në shtëpi me muaj të tërë edhe është kthyer përsëri në punë, s’ka ndodhur ndonjëherë, kjo sepse politika e majtë ka afeksion ndaj këtij individi, dhe hesht për atë, është i vetmi anëtar i Gjykatës së Lartë që ka 13 vjet në detyrë !”
Mosdorëheqja e Dvoranit nga ky post në kohë dhe brenda cakut ligjor, është një tjetër rast abuziv dhe jo transparent në Gjykatën e Lartë nga i cili vuan sistemi i drejtësisë shqiptare dhe pasojat i paguajnë në kurrizin e tyre qytetarët e thjeshtë.
Duke shpresur që procesi i shumë diskutuar i Vettingut i cili është në fillesat e tij të kontribojë në eleminimin e këtyre rasteve abusive dhe jo transparente dhe dorëheqja e një gjyqtari me mandatë të skaduar, si rasti Dvorani t’i kontribonte këtij procesi pozitiv në sistemin e drejtësisë. /News365.al