Home KRYESORE Lirimi në gjykatë i Durim Keçit, i dënuar në Itali për drogë,...

Lirimi në gjykatë i Durim Keçit, i dënuar në Itali për drogë, në Shqipëri pozon me politikanë

Shijakasi Durim Keci nuk është një emër i panjohur për opinionin publik. 42 vjecari tashmë ka lënë qelinë e burgut me një vendim të Gjykatës së Durrësit, edhe pse në Itali është dënuar me 9 vite burg. Por Durim Keci më shumë se për procesin penal u bë i famshëm pasi dolën foto të tij me deputetin dhe ministrin e PS Blendi Klosi. Nga studio e “Opinion” gazetari Artan Hoxha do të denonconte në Tetor të vitit që lamë pas se Durim Keci është vizituar në qeli nga persona të rëndësishëm me imunitet.

Duke mbështetur gazetarin, lideri demokrat Lulzim Basha publikoi foton e Durim Kecit me Blendi Klosi si dhe tha “në burg e ka takuar edhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako”.

Durim Keçi, i njohur si i “forti i Shijakut” u arrestuar në Tetor në Shqipëri për llogari të drejtësisë italiane e cila e kishte dënuar me 9 vite burg për trafik droge dhe prostitucion. Por në Dhjetor të 2017 Gjykata e Durrësit vendosi për mosekstradimin e Kecit në Itali.

Sipas avokatit të tij, Ilia Ilia, ai e ka kryer dënimin në Itali, ndaj nuk kishte asnjë lloj arsye të mbahej në qeli dhe për më tepër, të ekstradohej drejt këtij shteti. Ai shton se, në dosjen e Keçit mungonte garancia nga pala italiane, për ridënim nga e para.

“Sipas kodit të ri penal, çdo i dënuar në mungesë duhet të rigjykohet. Ndryshimet e fundit ligjore në Kodin e Procedurës Penale, që kanë hyrë në fuqi me datë 1 gusht të vitit 2017, detyrojnë Ministrinë e Drejtësisë t’i drejtohet shtetit kërkues, që të lejojë gjykimin nga zero për çdo shtetas shqiptar të dënuar në mungesë. Ai është dënuar nga Gjykata e Xhenovës, me 9 vite burgim për akuzat e pjesëmarrjes në organizatë kriminale dhe shfrytëzim prostitucioni. Për arsye procedurale është liruar nga paraburgimi dhe pas kësaj është rikthyer në Shqipëri.

Ndërkohë, në shtetin fqinj, ka vijuar gjykimi në mungesë të tij në përfundim të të cilit është cilësuar fajtor. Ai e ka kryer dënimin dhe nuk ka asnjë arsye të qëndrojë në qeli dhe për më tepër të ekstradohet”, deklaroi avokati Ilia Ilia.

Sipas tij, ndonëse është kërkuar garancia që pala italiane ta niste gjykimin nga fillimi, kjo garanci nuk ka ardhur e në këto kushte, Gjykata nuk mund ta mbajë në burg këtë shtetas.

Duke reaguar pas këtij vendimi, Enkelejd Alibeaj nga selia e PD deklaroi: “Lirimi i Durim Keçit është edhe efekt i presionit të Edi Ramës ndaj drejtësisë dhe kontrollit politik nëpërmjet kryeprokurorit antikushtetues”.

Më pas Alibeaj renditi edhe një sërë vendimet të marra kohët e fundit nga drejtësia:
• Saimir Tahirit iu kthye pasaporta dhe ai mund të lëvizë I lirë kudo ku ka fshehur paratë e fituara nga trafiku I drogës.
• Orest Sota u lirua nga burgu,megjithëse u kap në mashtrim për burimin e 863 mijë eurove dhe përdorimin e tyre.
• Trafikantëve të kokainës së Xibrakës iu ul dënimi dhe prokuroria nuk e ankimoi vendimin.
• Balilajve iu rikthye nga Gjykata leja për policinë private, që do të thotë një ushtri e armatosur me njerëz në mbrojtje të Kelment Balilit./Opinion.al

*Më poshtë vendimi i Gjykatës së Durrësit për lirimin e Durim Keçit

 

Share: