Në datën 1 janar media belge ‘Lecho.be’ i ka dedikuar një artikull të gjatë situatës së kanabisit në Shqipëri të cilin e titullon: “Shqipëria, një vend i kanibalizuar nga kanabisi”.
“Duke e konsideruar si një shtyllë të “stabilitetit rajonal”, Shqipëria e Kryeministrit Edi Rama ka qenë prej kohësh një “nxënës i mirë evropian” në Ballkan. Megjithatë, që nga viti 2014, prodhimi i drogës dhe trafikimi kanë shpërthyer”, shkruan media belge.
Autori i shkrimit i kushton vëmendje operacionit të policisë në Lazarat, për të cilin thotë se erdhi si produkt i presionit të ndërkombëtarëve ndaj kryeministrit Edi Rama.
Aty u shkatërrua “kryeqyteti evropian i kanabisit” me fitime që shkonin në 4.5 miliardë euro, ose sa një e treta e PBB-së së Shqipërisë. Por çuditërisht shkruan ‘Lecho.be’ aksioni në fjalë ishte edhe pikënisja për një kultivim masiv që do të përfshinte të gjithë territorin.
“Ky operacion shumë i publikuar kishte pasoja të padëshiruara: prodhimi u përhap shpejt në të gjithë vendin. Sipas të dhënave nga Guardia di Finanza, 753,000 bimë u shkatërruan në vitin 2016, kundrejt 46,000 në vitin 2014 dhe ekspertët pajtohen se shkatërrimi prek një mesatare prej vetëm 10% të zonave të kultivuara. Fshatarët braktisin tokat e tyre masive, duke preferuar të punojnë në këto plantacionet ku marrin 20 euro në ditë, pothuajse trefishin e pagës mesatare. Në fakt, prodhimi pastaj eksportohet masivisht në Itali dhe, në një masë më të vogël, në Greqi”, nënvizohet në shkrim.
Më tej shënohet se historia e kultivimit të kanabisit në Shqipëri është shumë e vjetër dhe brenda saj janë të inkuadruara intriga të dy palëve me më shumë influencë në politikë.
“Kultivimi i kanabisit është një histori e vjetër, e cila ka qenë gjithmonë shumë politike, ndërkohë që vendi karakterizohet nga një rivalitet i fuqishëm ndërmjet Partisë Demokratike (PD) dhe Partisë Socialiste (PS). Dy grupet kryesore kanë secilën fusha rajonale të vendosura mirë të ndikimit”, shkruan ‘Lecho.be’ .
Media belge i bënë jehonë edhe arrestimit të anëtarëve të klanit të Habilajve në Itali dhe lidhjeve të tyre me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
“Në nëntor, Moisi Habilaj, një kushëri i ish-ministrit të Brendshëm, i akuzuar për drejtimin e një bande te trafikut masiv të armëve dhe drogës është arrestuar ne Sicili. Sipas përgjimeve, Saimir Tahiri, i cili u shkarkua në pranverë, ka pasur marrëdhënie të ngushta me grupin. Shume shpejt rasti “Habilaj-Tahiri” u bë një skandal dhe kryeministri Edi Rama ishte i dyshuar se ka mbyllur sytë mbi këtë trafik dhe më e keqja ta ketë kontrolluar atë”, theksohet në këtë artikull.
Një pjesë e veçantë në shkrim është ndërtuar mbi lidhjet e Tahirit me Orest Sotën, me një biznesmen 25-vjeçar, në makinën e të cilit u gjet mbi 800 mijë euro dhe dy patenta për mjete lundruese të ish-ministrit.
“Prokurori i Përgjithshëm i bëri thirrje për arrestimin e Saimir Tahirit, për të cilin kolegët e tij socialiste refuzuan të heqin imunitetin e tij parlamentar, pavarësisht nga zbulimi në fillim të nëntorit, i dy patentave detare me emrin e tij dhe 863,000 euro në para të gatshme në bordin e makinës së fëmijës se një kontraktori pranë PS”.
‘Lecho.be’ shkruan për stoqe të mëdha me drogë në Shqipëri dhe e justifikon heshtjen e ndërkombëtarëve për këtë problem me nevojën për të ruajtur stabilitetin në rajonin e Ballkanit.
Theksi vendoset edhe tek prezenca e shtuar e FBI apo agjencive ligj zbatuese evropiane në vendin tonë pas deklaratës së ambasadorit të SHBA, Donald Lu për ‘peshqit e mëdhenj’.
“Pavarësisht nga rritja e problemit, qeveritë perëndimore kanë preferuar të heshtin për të shmangur dobësimin qeverinë se Edi Ramës, pasi shihet si një garantues i “stabilitetit rajonal”, sidomos në çështjen e shqetësimit kryesor të Kosovës në Ballkan për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
Artikulli mbyllet duke argumentuar se bandat shqiptare e kanë shtuar aktivitetin e tyre kriminal, duke u orientuar tashmë drejt drogave të forta, si kokaina dhe heroina. Gjithashtu theksohet se mafia shqiptare po kontrollon tregun njëjtë si ‘homologët’ e tyre italianë nga Sicilia./opinion.al
lajmi ne origjinal: https://www.lecho.be/actualite/tablet/L-Albanie-un-pays-cannibalise-par-le-cannabis/9967954