Gjuha shqipe po “harrohet” dhe deformohet çdo ditë, sidomos këtë fakt po e avancon brezi i 30-vjeçarëve, përmes rrjeteve sociale, ku ata kalojnë kohën më të madhe të ditë-natës. Është zëvendësuar pothuajse 100% fjala mirupafshim me bye apo ciao… Por s’është problemi vetëm te kjo fjalë.
Problem në tërsi është gjuha dhe bazat e saj. Sot në Shqipëri më shumë dëgjojmë anglisht sesa shqip, sepse 90% të këngëve tona kanë fjalë të huaja. Përjashtojmë në këtë pikë vetëm këngët popullore. Ndërkohë në televizon, ku audienca është më e madhe, është e pamundur mos përdoren fjalë të gjuhës angleze apo asaj italiane. Po kështu emrat e emisioneve radio-televizivë, pothuajse 90% e tyre mbartin emra në gjuhën angleze dhe atë italiane.
Lokale apo biznese i kanë emrat e tyre në gjuhë të huaja duke shpërfillur shqipen. Deformimi i gjuhës shqipe, sidomos i asaj pjese me bazë krahinore, po ashtu, po imitohet keq e më keq nga të rinjtë. Imitohen këngëtarët shqiptarë që së shumti po këndojnë me theks kosovar, duke ju larguar shqipes letrare. Te rinjtë nuk hapin më libra! Ata hapin vetëm website dhe rrjete sociale! Lexojnë atë që shkruajnë njerëz jo kompetentë, lexojnë ata që shkruajnë sipas qejfit dhe mbi të gjitha me plot gabime drejtshkrimore.
Vërej më shumë se gjuha krahinore e pasur me ngjyra dialektesh po humbet çdo ditë e më tepër terren. Madje për t’u dukur intelektualë “seksi”, shpesh, përdorin disa fjalë që nuk kuptohen nga krahina në krahinë. A thua se po flasin gjuhë të huaj dhe jo shqipen e Naimit, Fishtës, Kutelit… Mjafton të pyesësh sot të rinjtë dhe mëson se ata nuk dinë as alfabetin e shqipes, as historinë e letërsisë shqiptare. T’u flasësh për veprën letrare të Martin Camajt, është njësoj si t’u flasësh për “shkencë të avancuar”.
Në Shqipëri janë zëvendësuar shumë fjalë shqipe duke i njehsuar ato me fjalë në anglisht. Shumë nga ne s’ua gjejmë kuptimin në gjuhën shqipe, e jo më në atë angleze.
Rrjetet sociale po ashtu kanë sjellë prurje të reja, sikurse shkrimin e fjalëve me shkurtime apo simbole, që veç mosha e re i kuptojnë. Arsyeja është komunikimi i shpejtë me njëri-tjetrin. Për këtë gjë janë gjymtuar dhe ngrënë shumë fjalë të shqipes. Ky trend fatkeqësisht po na shoqëron edhe jashtë botës virtuale, saktësisht në jetën tonë reale.
Ne, shqiptarët, sot po humbasim edhe emrat e përveçëm. Sot fëmijët po mbartin mbi supe emra që s’kanë asnjë kuptim në shqip. Sot prindërit e rinj bashkojnë emrat e tyre dhe vazhdojnë të nxjerrin emra shqiptarësh të çuditshëm…, duke harruar emrat e bukur shqiparë. Personalisht, në këtë pjesë nuk jam kundër bashkimit të emrave prindërorë për fëmijët e tyre, por po flas këtu për përdorimin e emrave shqiptarë, atyre emrave palcërisht shqiptarë, të cilët nuk i gjen në asnjë lloj gjuhe të botës. Apeli im është ta mbrojmë të gjithë gjuhën tonë të fisshme, shqipen e bukur!