Home KRYESORE Pse duhen rishikuar ato që na kanë mësuar për Skënderbeun

Pse duhen rishikuar ato që na kanë mësuar për Skënderbeun

Përse unë dua të rishikohen ato që më kanë mësuar ideologjikisht për Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu.

Gojëdhëna e shpatës dhe e dorës. E drejtë, nuk është shpata që bëri epopenë e madhe të Skënderbeut. Shpata ngrihet nga dora. Por, dora nuk ngrihet vetë. Dorën e ngre mendja, ideja, koncepti.

Duhet një historiografi idealiste për të shpjeguar çarjen e madhe që prodhoi Skënderbeu në histori.

Pse do të vinte në Krujë, në një cep fortese, kur atij i hapeshin të gjitha shtigjet në Perandori?

Jo, nuk është thjesht dëshira për feudin e babait. Nuk është trishtim disfate në karrierë, as tradhëti ndaj Baba Sulltanit. As shkrepje vegimesh fëmijënore! Mos u tallni!

Ai shihte larg, sepse poqese e shihte çështjen se nuk do të fitonte dot, nuk do ta fuste veten dhe familjen, klanin dhe fisin, popullin, në një aventurë. Kush e nis një betejë pa shpresë se do ta fitojë atë?

Pra pyetja është nga i erdhi ideja që e solli në një projekt madhor, të madhërishëm, po, po, të magjishëm, sepse t’i besosh një ideje, nuk është thjesht ratio, është besim, është frymëzim që nuk vjen shpesh nga ato që sheh, që të rrethojnë, është një kryengritje e “çmendur” në emër të idesë.

Gjergji i madh është produkt i një kulture që gëlonte në tokat arbërore.

Kur prifti Pal Engjëlli thoshte në shqip formulën e pagëzimit në Durrës, kjo nuk është një çështje thjesht linguistike sikurse e kanë trajtuar. Eshtë e dhëna më e madhe e antropologjisë kulturore arbërore. E dini se çfarë do të thotë kur një bashkësi besimtarësh do ta dëgjojë në kishë besimin e vet në gjuhën amtare? Do të thotë se ajo gjuhë ka arritur majat e institucionalizimit të saj. Eshtë një gjuhë kombëtare pavarësisht sesa është e zgjeruar gjeografikisht. Potencialin e ka tashmë. Por, stalinistët sovjetikë nuk e duan ta pranonin kombin para tregut të përbashkët, sepse ashtu kishte thënë sovjetiku Stalin. Pra e donin kombin shqiptar në shekullin e nëntëmbëdhjetë, a thua se nuk ka pasur kombe që në kohën kur popullsitë ishin të shpërndara dhe pa treg të përbashkët. Lexoni, lexoni o albanistezologë!

Kjo kulturë e fuqishme vendase që lulëzonte në qytete si Durrësi, etj., ishte edhe në rrethinat rurale, e mbrujtur përtej ndikimeve politike bizantine dhe atyre që vinin nga gadishulli përballë, nga fisnikët vendas që po fuqizoheshin disa shekuj pasi ra Roma dhe midis Romës dhe Bizantit gjenin vend për të konsoliduar pushtetin e tyre.

Se Gjergji erdhi, por si i mobilizoi ai fisnikët vendas nëse këta nuk ishin mbrujtur dhe mbrojtës të kulturës dhe gjuhës vendase. Por, Stalini nuk mund të pranonte që fisnikët vendas nga Veriu në Jug ishin ata që ngjiznin dëshira kombëtare. Sepse sovjetiku shqiptar feudalin e sheh si gjakpirës të bujqësve dhe kaq. Gjeni një muze në Shqipëri për fisnikërinë arbërore! Do kërkoni atë që ka qenë e censuruar, që vazhdon të jetë e censuruar, që është censuruar në kokë, pastaj me polici.

Shkencën shqiptare në shumë drejtime e ka bërë policia sekrete me anë të represionit.

Skënderbeu i madhërishëm e magjik sepse drejtohej nga ideja, e shihte larg, nuk ishte një shpatar i zakonshëm që priste koka me jatagan. Ai shihte larg sepse ndjenja kombëtare në të gjithë Europën kishte nisur të shpallej hapur kundër universalizmit latin. Në Gjermani, Luteri shkruan në gjermanisht dhe predikon një fe duke i bërë thirrje fisnikëve gjermanë kundër kishës romane, Gutenbergu i heq kuvendeve të drejtën për të riprodhuar dijet me skribë dhe shpik makinën e shtypit masiv, duke ja dhënë dijen turmave dhe masave të burgerëve vendas lokalë e duke nxitur ndjenjën kombëtare. Makiaveli i madh shkruan më pas Princin në italishten e vjetër dhe vazhdon traditat e kohës së tij duke e bërë politikën një fakt lokal. Dekarti më pas shkruan logjikën në frëngjisht pra në gjuhën e vulgut të kohës. Kjo lëvizje laike me ndjenja kombëtare është Europa qendrore dhe Perëndimore ku noton bota moderne e kohës. Në këtë lëvizje kaq moderne dhe antikonservatore shkruhet edhe projekti i Skënderbeut. Ai e di se çështja do të fitojë në mos kur është gjallë në pasvdekjen e tij. Ky është Heroi legjendar. Këtë e dinin të gjithë vizionarët e kohës dhe më pas, që nga Luteri, Serveti, Jan Husi, Galileu, Gutenbergu. Ata ishin njerëz të ndricuar dhe pranonin të gjitha torturat, vuajtjet dhe persekucionet në emër të asaj që ata e dinin se do të fitonte në mos sot nesër.

Por, stalinisti sovjetik nuk e donte që Skënderbeun ta shkruante brenda një projekti të përbashkët europian, sepse e donte një përpjekje vetmitare, si një ulurimë mali, me malësorë dhe me dëborë, jo si një projekt intelektual që shpatën e ka thjesht si mjet sikurse ka pendën.

Na duhej shpata sepse vetëquheshim se historinë e kemi çarë me shpatë në dorë majë kalit. Sepse fisnikët, fetarët, intelektualët e kohës nuk dinin të mendonin. Kishin ndërgjegje të cekët fetare përsërit stalinisti sovjetik. Pra kishin kulturë të cekët.

Po si ngrihet shpata pa dorën dhe dora si e bëhet e fuqishme pa mendjen?

Por, ndikimin e kishave bizantine apo katolike në trojet tona sovjetiku nuk e pranonte dot, sepse feja ishte kundër shqiptarisë, sipas tij, në çdo epokë, dhe në çdo rast, prandaj nuk mund ta gjejë frymëzime hyjnore te Gjergji i madh. Pal Engjëlli ishte ambasador – thonë – e vërtetë – pra e politizojnë – sepse si udhëheqës shpirtror i një epopeje me metafizikën e Zotit, nuk mund ta pranonin.

Si mund ta pranonin kur në 1968 ndërkohë që bëheshin festimet për Skënderbeun si prijës malësorësh që ngriti kokë poltikisht dhe ushtarakisht ndaj Sulltanit, mbylleshin kishat, xhamitë dhe teqetë?

Ja pra se përse duhet ta shohim më gjerë, më thellë, epopenë krenare të Skënderbeut, si themelues politik i kombit, si fenomen europian dhe paneuropian dhe jo i izoluar dhe jo i tradhëtuar nga kultura europiane, si fakt i udhëhequr nga besime hyjnore, si pasojë dhe jo si shkak me shpatë i një tradite vendase për kulturë identitare, si fryt i intelektualizmit vendas, në një ritëm me kulturën më të ndritur europiane të kohës.

Jo thjesht si fakt malësorësh barinj sikurse na ka degjeneruar filmi sovjetik stalinist sllavofil.

Jo turpin e botës !

A don ti Gjin me luftu kundër turqve?
Du si s’duuuuu!

Dhe salle e errët shkrihet me lotë.

Por kjo kërkon rinovimin e paradigmave që një grusht njerëzish i mban të ndrydhura, me anë të votimit të manipuluar, jemi ende në kohën e inkuizicionit, të censurës, të dogmave staliniste.

Ja përse duhet rinovuar kërkimi shkencor në Shqipëri, përtej lojrave politike dhe mefshtësisë dhe interesave financiare të disave që drejtojnë arsimin e shkencën.

Ja përse duhet çliruar shkenca shqiptare nga thonjë e obskurantizimit!

Ja përse duhet bërë çmos pa asnjë oportunizëm për ta hequr kapakun prej hekuri që ka mbyllur brenda një guve të vërtetat dhe që na pengon të jemi krenarë për atë që duhet të dimë se nga vijmë.

Ne jemi bërë komb pa projekt prandaj djemtë dhe vajzat ikin.

Ja përse duhet një rithemelim i akademizimit shqiptar, jo vetëm me njerëz të rinj, por edhe me hipoteza e me energji të reja intelektuale.

Përndryshe :

A don ti Gjin me luftu kundër truqve?

Du si s’duuuuuuuu!

Share: