Kryeministri shqiptar, Edi Rama, tha në Davos se shpreson që edhe pse Serbia është përpara Shqipërisë në procesin e pranimit në BE, dy vendet mund të hyjnë së bashku në Union. Ai tha se kjo mund të ndodhë nën supozimin se Serbia e njeh Kosovën.
“Është një proces i bazuar në performancën. Serbia është përpara, pasi është duke negociuar dhe ne shpresojmë se do të fillojmë negociatat këtë vit. Por kjo është një konkurrencë e shëndoshë dhe do të donim të përparojmë më shpejt dhe pse jo, në të ardhmen do të jemi në të njëjtën pozitë dhe të hyjmë së bashku në BE, nën supozimin që Serbia të njohë Kosovën”, u tha Rama gazetarëve në Forumin Ekonomik Botëror.
Rama pranoi se kishte gabuar kur parashikoi se Hillary Clinton do të ishte president i SHBA, por Uashingtoni mbetet partner i rëndësishëm i Shqipërisë.
“Shpresoj se SHBA, ashtu sikurse Evropa, do të mbeten një aleat i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë. Është e rëndësishme që SHBA të vazhdojë të luajë rolin strategjik në rajon”, tha Rama.
Kryeministri shqiptar tha se Gjykata Speciale për Kosovën nuk është në rrezik.
“Mendoj se ky është një proces i pakthyeshëm. Ideja e gjykatës nuk është në rrezik. Ka një debat në lidhje me përmirësimin dhe ky është një debat i mirë”, ka thënë Rama.
Sipas tij, Evropa nuk është në gjendjen më të mirë, por fjalimi i kancelares gjermane Angela Merkel e inkurajon atë.
“Ajo është gjithmonë inkurajuese. Ajo mbajti Evropën dhe vlerat evropiane, parimet dhe ëndrrat e të jetuarit në një kohë kur Gjermania u përball me krizën e refugjatëve. Nuk ka luajtur politika”, tha kryeministri shqiptar./360grade.al