Home KRYESORE Reflektime pas një vizite tre ditore në Shqipëri

Reflektime pas një vizite tre ditore në Shqipëri

Nga Ismete Selmani Labaj

Para disa ditësh u nisëm me tim shoq për një vizitë të shkurtër në Shqipëri. U nisëm me kokën mënjanë sepse një person shumë i dashur për ne ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Ishte hera e parë pas 25 vjetësh që ky udhëtim ishte i trishtë. Takimin e parë me Shqipërinë dhe shqiptarët e pata që në aeroportin e Catania-s. Po kërkoja vendin tim për t’u ulur në aereo dhe kur e gjeta pashë që një grua rreth të pesëdhjetave me një fytyrë karakteristike të dëshpëruar shqiptare, kishte zënë vend ngjitur me sediljen time. Në sediljen time kishte vënë çantën e saj duke e “zënë” sipas saj, para meje. E kuptova menjëherë që ishte shqiptare por gjithsesi ishim në territor italian dhe ndoshta intuita ime gabohej. I thashë në italisht:

«Më falni zonjë, por ky është vendi im» duke treguar vendin ku zonja kishte vënë çantën. Më pa me një shikim të habitur si për të më thënë “unë e zura para teje”. M’u kujtuan rradhët me gurë nëpër dyqane qe zinim në Shqipëri. Zonja nuk po hiqte çantën. I thashë edhe një herë në shqip:
«Më falni por ky është vendi im».
«Po unë ku ta vë çantën?» më pyeti shqip.
«Vendoseni këtu poshtë» i thashë dhe zonja më në fund më liroi vendin.

Stjuardesat po vazhdonin kontrollet për rripat e sigurimit dhe zonja ngaqë kishte një pallto sipër këmbëve nuk dallohej që s’e kishte vënë. I thashë:

«Duhet të vini rripin».
«S’po e vë se do të shkoj në tualet».«Tani s’mund të shkoni në tualet. Ju them unë kur mund të shkoni» i thashë.

Po përpiqesha të tregohesha e sjellshme dhe po prisja një shenjë mirënjohje apo të paktën të shihja të hiqte atë shprehjen e dëshpëruar nga fytyra. Por gabohesha rëndë. Gjatë gjithë vizitës sime në Shqipëri do të shihja vetëm fytyra të dëshpëruara.

Ku më në fund gjatë udhëtimit pasagjerët ishin të lirë të shkonin në tualet, i thashë zonjës:
«Tani mund të shkoni, e keni përballë».
«Jo, tani s’shkoj më» m’u përgjigj.
Ishte e kotë që përpiqesha të krijoja një afrimitet, ishte e kotë që kërkoja mirënjohje.

Kush e di se çfare problemesh kishte ajo grua! Kur stjuardesat po u ofronin për të pirë pasagjerëve, unë mora një lëng portokalli. Zonja duke i treguar me gisht kutinë e lëngut të portokallit, tha shqip: «Amita». Stjuardesa sigurisht që nuk e kuptoi por e pa se për ku e kishte drejtuar gishtin zonja dhe pyeti në italisht duke marrë kutinë e lëngut të portokallit në dorë: «Lëng portokalli?»

. Sigurisht që edhe zonja shqiptare nuk e kuptoi stjuardesën por e mori me mend çfarë tha. Aty m’u kujtua që në Shqipëri kanë hyrë disa emra karakteristikë markash të caktuara që përgjithësojnë elementë të caktuar mallrash, ushqimorë apo industrialë. P.sh, “Ace” quhen të gjitha markat e candegginave, “Molto” quhet cornetto, “Pampers” quhen pelenat e fëmijëve, “Test” quhen dedergjentët për enët, etj.. etj…që tani s’po më vijnë në mendje.

Kur mbërritëm në Durrës, gjetëm lumenj që e përshkronin mes për mes. U hutova. Lumenjtë kanë të njëjtin drejtim; drejtimin për në det. Por lumenjtë që po shihja atë natë vinin nga të gjitha drejtimet; nga e majta, nga e djathta, përballë. Lumenj ku uji i shiut ishte i bashkuar me atë të ujrave të zeza dhe xhami i makinës që na shoqëronte disa herë u bë me ngjyrë kafe nga uji i pisët që i binte sipër. Shikoja njerëz që fare “normalisht” me qeset e pazarit në dorë i përshkronin këto lumenj që arrinin deri në brez sikur të ishte diçka rutinë.

Arritëm në spital. Spital i thënçin sepse të gjitha ilacet dhe gjithçka duhej për mjekimin e të sëmurit blehej nga të afërmit e pacientit në farmaci, ku katër turnet e infermierëve duhet të merrnin “haraçin” çdo ditë, ku mjekë militantë të forcave politike të ndryshme hidhnin e prisnin para të sëmurëve inatet e tyre personale e partiake duke kunërshtuar njëri-tjetrin edhe përsa i përket diagnozës së pacientëve, ku spitali i Durrësit ka dy vjet që s’ka një aparat për të bërë grafitë, ku tek urgjenca shikoje njerëz të gjakosur që rrinin ulur në karrike të lënë në mëshirë të fatit. Mjekësia falas????? Cfarë mjekësie???? Vetëm muret e spitalit janë gratis….por ç’them dhe unë! As muret s’janë gratis përderisa duhet të paguhen të gjithë; mjekë e infermierë.

Atë natë u bë vonë, ishte ora 23 dhe kur po shkonim më në fund në shtëpi me tim shoq, u kujtuam se s’kishim ngënë asgjë. Kishim pirë një kafe para se të dilnim nga shtëpia në Sicili në orën shtatë të mëngjesit. Po hapnim sytë se mos gjenim ndonjë dyqan hapur për të blerë ndonjë gjë. Na zuri syri një dyqan buke që ishte hapur poshtë pallatit tonë. Na u hap syri, më në fund do të fusnim diçka në gojë! Hymë brenda dhe u kujtuam që s’kishim lekë me vehte, por euro. Gjithsesi do të paguanim me euro. Seç kanë një shqisë të gjashtë shqiparët që janë në Shqipëri për t’i kuptuar menjëherë ata që vijnë “nga jashtë”! Dhe sapo e kuptojnë, çmimet pësojnë një rritje të menjëhershme. E kuptojnë edhe thjesht nga një “mirëmbrëma” që themi ne. Sepse në Shqipëri nuk përshëndesin më me “mirëmbrëma” apo “mirëdita”.

Në Shqipëri sapo hyn në një dyqan të thonë “si kalove?”, “si jeni, mirë?”, “ça bone?”. Sikur të të kenë prerë kërthizën! Prandaj zotëria i dyqanit të bukës sapo dëgjoi “mirëmbrëma” nga unë e im shoq, mendoi se gjeti viktimat e tij të rradhës. Morëm disa byrekë dhe një kos sepse s’kishte gjë tjetër.

«Sa bën?» e pyeti im shoq.
«Katër mijë lek!» arriti përgjigja e bymuar e shitësit.
«Po me euro?» pyeti im shoq.
«Katër euro» u përgjigj pa ju dredhur qerpiku.
«Që kur qenka 1 me 1 leku me euron?» pyeti me ironi im shoq. Shitësi bëri një buzëqeshje dhe s’tha asgjë.

Nuk dola shumë nëpër qytet ato tre ditë sepse ishte shumë ftohtë. Por ato ditë që dola vura re vetëm dëshpërim në fytyrat e njerëzve. Fytyra të dëshpëruara që ecnin dhe përpiqeshin ta shtynin edhe atë ditë. Ku njerëzit s’kanë asnjë shpresë për të ardhmen. Dëshpërim dhe mjerim.

Po lluksi? do pyesni ju. Ai lluksi i shfrenuar që na serviret përditë ne televizor nga mediat, nga kasta politike dhe “vipat” injorantë shqiptarë? Duhet të gërrmosh shumë që ta gjesh këtë lluks sepse e posedon vetëm një përqindje e vogël njerëzish. Sa më i shthurur të jetë lluksi i një pjese të popullsisë, aq më shumë dëshpërim e mjerim do të kemi e aq më shumë do të shtrydhen deri në palcë shqiptarët. Trishtim, trishtim, ky udhëtim në Shqipëri teksa pashë njerëz që vdesin edhe nga sëmundje të kurueshme sepse nuk kanë lekë, ku kapitali më i çmuar nuk është njeriu, por leku.

U ktheva ne Itali dhe shoh fytyra te qeta njerezish qe shkojne ne pune, qe shoqerojne femijet ne shkolle, qe bejne nje shetitje buze detit sepse s’e kane mbushur me beton, qe per çdo problem shendetesor qe kane, marrin mjekimim maksimal gratis…Teksa i krahasoj me bashkekombesit e mi ne Shqiperi, marr edhe une nje shprehje te deshperuar ne fytyre; si ajo zonja ne aeroportin e Catania-s

Share: