Home KRYESORE Zbardhet vendimi i gjykatës që penalizon anëtarin e ri të KLGJ-së

Zbardhet vendimi i gjykatës që penalizon anëtarin e ri të KLGJ-së

Kandidati i propozuar nga Shoqëria Civile për anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Altin Hazizaj rezulton se ka një denim penal të formës së prerë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Opinion.al ka zbardhur vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë që vulosi dënimin me gjobë ndaj tij.

Sipas vendimit në fjalë, sqarohet se Hazizaj është dënuar në korrik të vitit 1996 me 5000 lekë gjobë për veprën penale “kundërshtim i punonjësve të policisë dhe rendit publik”.

“Subjekti me vendimin nr. 603 datë 24.07.1996 është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me 5000 lekë gjobë për veprën penale të parashikuar nga neni 236/1 i Kodit Penal “Kundërshtimi i punonjësve të policisë dhe rendit publik”,-citohet nga vendimi i Gjykatës.

Ndërsa, bëhet me dije se këto të dhëna janë pasqyruar edhe në Dëshmitë e Gjendjes Gjyqësore Nr.11, datë 20.07.2017, përcjellë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me shkresën nr.3219 prot,datë 20.07.2017.

Sipas këtij vendimi, rezulton se Altin Hazizaj ka fshehur në formularin e dekriminalizimit një vendim penal të formës së prerë të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë.

Mësohet se në formularin e dekriminalizimit, Hazizaj i është përgjigjur me ‘JO’ pyetjes nëse ka qenë ndonjëherë i dënuar me vendim të formës së prerë nga një autoritet gjyqësor shqiptar apo i huaj.

Fakti që në formular, ai nuk ka pasqyruar asnjë të dhënë në lidhje me vendimin penal të formës së prerë të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, sjellë përjashtimin e menjëhershëm të tij dhe në çdo kohë nga kandidimi, zgjedhja, emërimi apo funksioni publik.

Në rrjetën e dekriminalizimit ranë së fundmi dy ish-deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Aqif Rakipi i PDIU-së dhe Gledion Rehovica i LSI-së për shkak se kishin dështuar të vetëdeklaronin dy episode penale të kryera në Itali shumë vite më parë.

Nga ana tjetër, anëtari i Shoqërisë Civile për KLGJ-në, pretendohet se do të jetë pjesë e komisionit që do të përzgjedhë gjyqtarët me ligjet e reja të reformës në drejtësi, por që ka gënjyer në formularin e vetëdeklarimit dhe nëse i referohesh të njëjtit standard; Hazizaj duhet të largohet nga ky komision./opinion

Share: